Murinjo: Mos krijoni drama, Ibra qëndron
Ibrahimoviç duket se është mërzitur tek Interi e pas pesë vjetësh dëshiron "të provojë sfida të reja". Megjithatë, Hoze Murinjo shprehet i qetë. Trajneri zikaltër tha: "Fjalët e tij janë interpretuar ndryshe. Personalisht kam fituar titullin në Angli, po fitoj atë në Itali dhe do më pëlqente ta fitoja në Spanjë, por kjo nuk do të thotë se do largohem sot nga Interi. Ibra tha se në të ardhme synon të luajë në një kampionat tjetër, nuk mendoj se situata duhet dramatizuar". Në fund, tekniku luzitan shtoi: "Këtu ai po thyen të gjitha rekordet personale, po luan sezonin më të mirë. Besoj se Zlatan nuk do të largohet. Nëse Morati mendon ta shesë për 5 milionë euro, do ta blej unë".