Peru, moti i keq shkatërron me qindra shtëpi
Moti i keq ka shkaktuar shumë dëme materiale në shtetin amerikan jugor të Perusë. Reshjet e shumta të shiut kanë kanë detyruar me mijëra familje të braktisin shtëpitë e tyre dhe të evakuohen nga qendrat e tyre të banimit. Ndërsa familjet të cilat nuk kanë pasur mundësi që të evakuohen janë detyruar që të pastrojnë me mjete rrethanore baltën e cila ka ardhur nga malet që ndodhen afër Limës, kryeqytetit të Perusë. Sipas raportimeve të policiës peruane, rreth 1300 banesa raportohen të dëmtuar nga moti i keq, ndërsa rreth 150 banesa janë cilësuar si të shkatërruara.
"Nga vëzhgimet që kanë kryer punonjësit tanë në terren, jemi njoftuar që rreth 1300 banesa kanë pësuar dëme të riparueshme nga mot i keq. Ndërsa rreth 150 shtëpi janë dëmtuar plotësisht."- pohoi shefi i emergjencave të zonës Miguel Saldana.
Forca të policisë dhe të mbrojtjes civile janë duke u përpjekur që të shpëtojnë 100 persona të cilët kanë mbetur të bllokuar në ambientet e një kishe evangjeliste në zonën e Aposento Alto.