Peruja përfshihet nga përmbytjet masive
Peruja ditët e fundit është përfshirë nga reshje të fuqishme shiu të cilat kanë shkaktuar shumë dëme materiale si pasojë e përmbytjeve. Me dhjetëra shtëpi dhe banesa janë shembur nga përmbytjet në qytetet e Ayacucho, Cuzco dhe Puno. Vetëm në zonë e Ayacucho mbi 100 shtëpi janë shembur nga përmbytjet e pazakonta që kanë përfshirë Perunë. Shumë banorë të zonës janë detyruar që të kalojnë lumin e zonës duke hipur mbi një urë e cila nuk është aspak e sigurtë. Rrugët dhe shtëpitë e zonës Huanta janë mbushur me ujë dhe baltë pasi uji arriti që të depërtonte deri në brëndësi të zonave të banuara.
"Unë po përpiqem që nga ora 3 e mëngjesit që të largojë ujin që kam brënda shtëpisë. Madje 20 persona më kanë ndihmuar, por sërish shtëpia ime është në ujë."- tha një banor i zonës.
Shumë familje janë përpjekur që të mbledhin dhe të shpëtojnë nga balta objekte dhe orendi nga shtëpitaë e tyre. Sipas korrespondentëve lokal këto janë shirat me intensitetin më të madh që prej 15 vitesh që ka parë kjo zonë.
Madje shirat e rrëmbyeshëm i kanë shkaktuar probleme të mëdha edhe njërës prej pikave më të vizituar të globit, Machu Piçhu, zonë e cila është pjesë e krahinës Cuzco. Mbi 13 mijë persona janë evakuar nga kjo krahinë ndërsa të paktën 24 persona raportohen të vdekur. Gazetat lokale shkruajnë se në krahinën e Zurites mbi 200 shtëpi dhe banesa janë shkatërruar nga moti i keq ndërsa 5 mijë banorë janë prekur nga pasojat e përmbytjeve masive.