Haiti, rriten tensionet për shkak të mungesës së ushqimit
Janë rritur tensionet në Haiti për shkak të vështirësive që po hasen në dërgimin e ushqimeve në qytetet e prekura nga katastrofa e 12 janarit. Në qytetin e Gressier shumë banorë kanë dalë duke protestuar në rrugë dhe duke bllokuar akset kryesore të qytetit me kamione të prishur. Arsyeja e protestave është mungesa e ndihmave, siç pretendojnë se ka ndodhur sipas qytetarëve haitianë.
"Njerëzit brënda 10 ditëve do të shndërrohemi në vampirë. Punonjësit që do të shpërndajnë ndihmat do të kthehen në salçice për ne."- pohoi i inatosur një nga protestuesit.
Ndërkaq mungesa e ndihmave është ndier edhe në qytetin e Bizoton Carrefour. Një banore 56-vjeçare e këtij qyteti jeton në një tend të sajuar mes rrënojave së bashku me disa fëmijë jetimë. Ajo shprehet se nuk mund të ecë normalisht për shkak të problemeve serioze me ushqimin.
"Sot është dita e 16-të që po rri në këtë tendë me këta fëmijë. Ne fatkeqësisht po vdesim nga mungesa e ushqimit. Jam aq shumë e pafuqishme saqë nuk mund as të pi një gotë uji."- u shpreh 56-vjeçarja haitiane.
Shumë banorë të qytetit Bizoton Carrefour kanë shkruar parrulla fjali të tilla si: "Ne jemi të uritur" ose "Ne po vdesim urie".