E Diel, 1 Nëntor 2026

Komandot rrëfejnë terrorin në Afganistan, shteti shqiptar u heq bukën e gojës

Nga 60 dollarë dieta, nuk ju jepet as gjysma e tyre 

Ata, paqeruajtësit tanë për të cilët deri më tani kemi ndierë krenari e mirënjohje pa fund, tashmë gjenden në mes të katër rrugëve. Të papunë e të pashpresë vetëm për një arsye të thjeshtë. Kërkuan të drejtën e tyre dhe këtë e paguan paq. Jo vetëm pagat që si morën,

por as dietat e përditshme e aq më tepër shpërblimin e ëndërruar e harruan shpejt. Disa prej tyre i gjejmë të ulur në sallën e madhe të Avokatit të Popullit. Nuk janë të gjithë por vetëm 5 nga grupi prej 29 ushtarakësh të liruar në detyrë. Vetullngrysur, të tensionuar gjer në kockë, me instinktet e luftës e me cigaret e ndezura që i tymosin pa pushim në korridorin e jashtëm, i shohim me keqardhje tek gulçojnë e duke thënë gjithfarë fjalësh. Me dosje e letra të panumërta shkruajnë ankesën për ndihmë. Në çdo veprim, në çdo fjalë tek kujtojnë jetën e vështirë në Herat të Afganistanit reagojnë sapo kërcet karrigia në të cilën jemi ulur. Instinktet e luftës i shoqërojnë gjatë gjithë kohës. Sapo dëgjohet një kërcitje e karriges ata të gjithë përnjëherësh kthejnë kokën. U buzëqeshim duke u kërkuar falje që ju tërhoqëm vëmendjen. Nuk ka problem ne jemi mësuar në Afganistan sepse atje sa dëgjohej një kërcitje e vogël të gjithë shtriheshim përtokë, dëgjojmë tek flet ai që duket më i madhi në moshë. Pastaj sërish përqendrohen duke firmosur ankesat e tyre individuale. Disa minuta më vonë, i pyesim të na tregojnë diçka nga koha kur kanë qenë larg në Afganistan, atje ku jeta ka emrin e vdekjes e malli nuk shpaguhet ndryshe veçse me largësi. Në fillim ngurojnë të flasin, thonë se kanë frikë se nuk do të jenë më kurrë pjesë e ushtrisë, një profesion që e kanë kryer me aq dashuri e përkushtim. Ky fakt si lejon të japin shumë informacion për gazetarët, pasi sipas tyre, kjo gjë mund tu shërbejë edhe për tu prishur punë. Ne akoma jemi në veprime e sipër sot do të dorëzojmë ankesën me shkrim, në ditët që vijojnë do ta çojmë këtë kërkesë edhe tek presidenti e deri tek ambasadori holandez nëse është nevoja meqenëse ai ka qenë një ndër burrat e shtetit që na ka shoqëruar kur ne ikëm në luftë rrëfen një tjetër ushtarak. Ai tek lëviz nervoz në korridorin luksoz të Avokatit të Popullit shton se i kanë premtuar edhe për shpërblim por as lekët e rrogës e të dietës ditore nuk ja kanë dhënë. Më pas vjen më i riu një djalë rreth të 30-tave i cili rrëfen se kushtet në regjionin 1200 ishin skandaloze. Nuk kam fjetur për gjashtë muaj rresht një herë të vetme rehat në krevat normal, tregon duke shfryrë inatin djaloshi që kishte më shumë se 3 mandate që shkonte në Afganistan. Sipas tij, edhe ushqimi nuk ishte i saktë dhe herë pas here ai vetë qëndronte edhe pa ngrënë. Unë kam certifikata e trajnime që mi ka firmosur vetë Presidenti Bush kur ishte në fuqi dhe nuk e kam shkelur ligjin në asnjë pikë, por vetëm kam kryer detyrën time me nder, tregon ushtaraku i ri duke mohuar të japë numrin e tel.

Ankesa
Në ankesën e përpiluar në mënyrë individuale secili prej tyre rreket të shkruajë ato që ndien, por duke u vetëpërmbajtur e duke mos kursyer edhe ndonjë batutë për Ministrinë  e Mbrojtjes. Në fytyrat e tyre të egërsuara nga lufta e nga tmerri ndrin herë pas herë edhe ndonjë nuancë shprese se problemi i tyre do të marrë zgjidhje e se nuk do tu duhet të zvarriten pas dyerve të institucioneve çdo ditë. Ne përveçse të dëmtuar nga ana financiare ndihemi të fyer e të diskriminuar se nuk morëm asnjë njoftim për pushimin tonë nga puna, u ndiem bosh, menduam se jeta jonë sdo të kishte më kuptim se vite të tëra përkushtim me rrezik për jetët tona nuk kishte vlerë qoftë edhe për një minutë të vetme, rrëfejnë të tensionuar disa ushtarakë të tjerë. U trajtuam pa respekt, pa dinjitet, askush nuk erdhi nga pushtetarët për të na uruar mirëseardhjen ashtu siç ndodh zakonisht me të gjitha trupat ushtarake të ardhura nga regjionet e luftës, rrëfen tepër i indinjuar një tjetër ushtarak i pushuar nga detyra. Por shpresat e tyre ende skanë përfunduar. Tek i shohim duke kryer veprimet e fundit me punonjësin e Avokatit të Popullit i cili është në shërbim të qytetarëve largohemi duke u uruar fat. Ata na përshëndesin, përsërisin ndër vete se fati i tyre tashmë është vulosur dhe se duhet të mendohem mirë se me çfarë do të ushqejnë fëmijët që këtej e tutje e se e nesërmja do tu rezervojë një jetë pa instiktet e luftës, por me shenjat e saj në ndërgjegje e në lëkurë.

Precedenti me paqeruajtësit shqiptarë 
Ky është ndëshkimi i parë që marrin paqeruajtësit me misione jashtë vendit. Komanda shqiptare është ndëshkuar për mos kryerje me sukses të misionit paqeruajtës në Afganistan. Ushtarakët nuk u pritën me nderime në Rinas dhe përpos kësaj pësuan edhe penalizime, deri në shkarkim nga radhët e ushtrisë. Pranë institucionit të avokatit të popullit një grup pune do të shqyrtojë ankesën që kanë ngritur forcat komande për të parë nëse janë shkelur të drejtat e tyre me vendimin që ka marrë Ministria e Mbrojtjes. Shkak është bërë protesta e tyre për pagat, që çoi edhe në bojkotim të misionit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes 29 oficerë të misionit paqeruajtës në Afganistan janë liruar nga ushtria me motivacionin 'Ulje të dinjitetit ushtarak në misione jashtë atdheut dhe rebelim kundër institucionit. Po kështu shtatë oficerë komandues të këtij misioni sapo janë kthyer në Shqipëri, janë ulur në grada dhe transferuar në reparte të tjera dytësore, jashtë Tiranës. Po sipas dikasterit të Mbrojtjes, oficerët dhe ushtarët u ndëshkuan pasi atyre nuk iu lejohet rebelimi gjatë shërbimit. Nga ana tjetër vetë ushtarakët e liruar se përveç shkarkimit nga detyra ata janë ndier të fyer edhe nga ana njerëzore pasi as nuk janë pritur në kthim nga asnjë përfaqësues i ministrisë së mbrojtjes. Sipas tyre ky është një diskriminim që i bëhet jo vetëm atyre por edhe të gjithë atyre paqeruajtësve shqiptarë që gjenden me shërbime në Afganistan e Irak. Përpos kësaj ata pohojnë se në kontratat e firmosura me Ministrinë e Mbrojtjes, komandot do të paguheshin 60 dhe 80 dollarë në ditë të përcaktuar sipas kategorive. Por një vendim i qeverisë për vendosjen e TVSH 10 për qind të pagave. Por përveç kësaj edhe shpërblimi që i është premtuar nuk u është dhënë kurrë. Oficerët e liruar kanë pranuar gjithashtu se në lidhje me këtë Ministria e Mbrojtjes kapi dhe komandot tona në Afganistan. Kështu pagesa e tyre ditore nga 60 dollarë shkoi në 30. Dhe ky fakt sipas tyre ka mjaftuar që ata të kundërshtojnë. Përpos që janë ankuar në Shqipëri tek ministria dhe kryeministria ata kanë refuzuar të dalin në mision. Gjithsesi ata kanë ndenjur deri në fund në Afganistan, por kur kanë ardhur në atdhe janë ndëshkuar me masa disiplinore. Përveç të tjerash komandon e pushuara nga puna kanë deklaruar se kushtet në shërbim ishin problematike pasi edhe mjetet më të domosdoshme siç ishin krevatet apo ushqimi linin shumë për të dëshiruar.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›