E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e policëve, Dajti njihet me akuzën përfundimtare

I akuzuari, nga Spitali i Burgut refuzoi t'i japë shpjegime prokurorisë për krimet për të cilat do të përballet në Gjykatën e Krimeve të rënda


Pak kohë përpara mbylljes së hetimit për ngjarjen e 7 gushtit në qytetin e Durrësit, prokuroria njoftoi Dajtin dhe kunatin e tij për krimet që pandehen

TIRANË- Dritan Dajti, i dyshuar për "vrasjen" e katër policëve dhe shokut të tij Ledion Mara, me 7 gusht të këtij viti në Durrës, refuzoi të japë shpjegime pasditen e djeshme para hetuesve të çështjes, të cilët më pas i komunikuan akuzat e vrasjes së pesëfishtë dhe plagosjes së 17 vjeçarit F.S. Një veprim i tillë është kryer nga organi i akuzës kur hetimi ndaj Dritan Dajtit dhe kunatit të tij është drejt përfundimit.


Lajmi konfirmohet nga burime të Qendrës Spitalore të Burgut, që pohuan se pas konsultimit me mjekët e tyre, prokurorët e çështjes dhe avokati i Dajtit, Arben Qeleshi, vizituan të pandehurin, ku ai mjekohet që prej arrestimit të tij.


Qëllimi i vizitës së prokurorëve mësohet se ka qenë komunikimi i akuzës ndaj tij në përfundim të hetimit me qëllim që atij t'i jepet mundësia të japë versionin e tij mbi ngjarjen. Dajti i këshilluar nga avokati i refuzoi të japë shpjegime për akuzat, duke pretenduar se do të flasë gjatë gjykimit.


Pas refuzimit, prokurori Ardian Nezha dhe hetuesi i çështjes i komunikuan akuzat të pandehurit Dritan Dajti, për veprat penale të "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" ndaj katër efektivëve të policisë, "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave ku ka mbetur i vrarë shoku i tij Ledion Mara si dhe "vrasjen në rrethana të tjera cilësuese" në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave të mbetur në tentativë ndaj 17- vjeçarit F.S. që mbeti i plagosur.


Veç këtyre akuzave, prokurori i komunikoi atij edhe atë të "armëmbajtjes pa leje". Pak ditë më parë, prokurori Nezha nën shoqërinë e avokatit Qeleshi kanë marrë takim edhe me kunatin e Dajtit, të pandehurin Ergest Xhoxhi.


Edhe ai nuk ka pranuar të japë shpjegime përpos atyre që ka dhënë menjëherë pas arrestimit, duke refuzuar të flasë, por ka pranuar të njihet me akuzat përfundimtare ndaj tij. Ndaj Ergest Xhoxhit rëndojnë akuzat e "Përkrahjes së autorit të krimit" dhe "falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve" në lidhje me dokumentet e automjetit të tyre dhe dokumentet e policisë që i janë gjetur.


Pritet komunikimi i akuzës për oficerin e arrestuar


Të hënën paradite do të merret në pyetje i pandehuri Mariglen Muça dhe më pas do t'i komunikohet akuza përfundimtare e "shpërdorimit të detyrës", pasi ka ndihmuar në falsifikimin e dokumenteve të policisë dhe nuk ka njoftuar kolegët e tij për Dajtin i cili ishte prej gjashtë viteve në kërkim.


Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, mësohet se të tre të pandehurit do të gjykohen në një proces së bashku, pasi procedimi penal është i lidhur me njëri-tjetrin pavarësisht akuzave që rëndojnë mbi të pandehurit.


Ndërkohë, zyrtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda të cilët kanë nën hetim dosjen, konfirmuan se shumë shpejt dosja penale ndaj Dritan Dajtit, kunatit të tij Ergest Xhoxhi dhe policit Mariglen Muça do të shkojë në gjyq. Sipas akuzës, ngjarja për të cilën akuzohen të pandehurit ka ndodhur mesditën e 7 gushtit 2009, kur agjentët e policisë kishin zbarkuar në zonën e plazhit në Durrës për të arrestuar të shumë kërkuarin Dajti.


Por, në momentin që tentojnë ta prangosin i shumëkërkuari Dajti përgjigjet me zjarr duke vrarë katër efektivë të policisë Festim Xhanin, Artur Duçkollarin, Altin Dizdarin dhe Kastriot Feskën. Në zjarr e sipër ai ka vrarë edhe shokun e tij Ledion Marën dhe ka plagosur 17 -vjeçarin F.S. Ndërsa, vetë ka marrë tre plumba, një në krahë, në këmbë dhe në fund të shtyllës kurrizore, e cila ka sjellë edhe paralizën e këmbës së majtë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›