E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përvathi: Nuk kërkoj të them shumë

Pashk Përvathi në Galerinë e Arteve me peizazhet e vjeshtës së kuqe në Korçë dhe portretet e gruas. Bisedë me piktorin edhe për marrëdhëniet me politikën


Pashk Përvathi hap në Galerinë e Arteve ekspozitën me gjashtëdhjetë portrete, peizazhe, natyra të qeta, të realizuara në vitet 2007-2010. Tablotë e varura në Sallën e Ekspozitave deri më 30 qershor, janë ndërthurje e dy përvojave të mëparshme të Përvathit të cilat ai i ka prezantuar më parë në GKA.


Bëhet fjalë për ekspozitën e vitit 1983 ku artisti prezanton lidhjen e tij me natyrën dhe ekspozita e vitit 2005, ku ai paraqiti punën 10-vjeçare të kompozimeve në studio.


Kësaj radhe veçohen peizazhet nga Korça dhe rrethinat e saj, Vithkuqi, Drenova, Polena, Boboshtica në të katërta stinët, qyteti i lindjes së Përvathit, Lezha e mbuluar nga bora, rrugicat e Shkodrës, arkitektura e shtëpive të Mangalemit në Berat dhe gjiret intime të bregdetit të Himarës.


Portretet ia ka kushtuar figurës së gruas cigane dhe gruas zadrimore dhe mirditore e veshur me veshjet karakteristike të zonës.


U lind më 1958 në Manati të Lezhës, qyteti ku jeton dhe punon edhe sot. Në vitin 1979 mori pjesë në një ekspozitë të përbashkët me peizazhin "Vjeshtë në Manati". Ekspozita e parë vetjake në Galerinë e Arteve i takon vitit 1983.


Rivjen në vitin 2005 me ciklin e punimeve me varka, me kuaj dhe guralecë, të kompozuar në studio. Ai ka drejtuar Galerinë e Arteve në Lezhë dhe për dhjetë vjet (1994-2004) ka qenë anëtar në Këshillin Kombëtar të Radio-Televizionit. Në vitin 2002 ka realizuar pikturat e Kishës së Re të Shën Palit në Detroit, SHBA.


Z. Përvathi është ekspozita e tretë që hapni në Galerinë Kombëtare. Cilat mund të jenë arsyet që GKA i përgjigjet pozitivisht projekteve tuaja?

Ndoshta projekti im u ka thënë diçka. Në këtë ekspozitë që përfshin punë të realizuara në vitet 2007-2010 ka një lloj ndryshimi. Në ekspozitën e parë, 1983, kam punuar me peizazhin direkt nga natyra.


Më 2005 erdha me një ciklin e kompozimeve në studio, cikli i punimeve me varka, me kuaj dhe me guralecë. Më 2007 rastësisht u gjenda në natyrë, duke pikturuar në koloninë e piktorëve në Korçë.


Ndjeva entuziazëm dhe kuptova që natyra ishte pjesa më e qenësishme imja. Në këtë ekspozitë gërshetova edhe eksperiencat e mëparshme: momentin e kontaktit me natyrën dhe punën 10-vjeçare të kompozimeve në studio. Prandaj kemi këtë produkt që është miratuar nga Këshilli i Galerisë.


Nga kjo përvojë e gjatë që keni mund të shpjegoni se ç'është kjo lidhje e njeriut me natyrën?


Edhe pse këtë herë kam sjellë një cikël me 10 portrete dhe me natyra të qeta të cilat nuk i kam ekspozuar asnjëherë, tek peizazhi shprehem më mirë dhe e njoh më mirë.


Në vitin 1979, në moshën 21-vjeçare kam marrë pjesë në një ekspozitë në Galerinë Kombëtare me një peizazh. Atëherë unë nuk e dija nëse do të vazhdoja portretin, kompozimin, apo peizazhin.


Ndoshta ai prezantim vendosi që unë të lëvroj gjithmonë këtë gjini. Kurse, natyra më ka thërritur në të gjitha këto pikturat që janë ekspozuar këtu, Korça, bregu i Himarës, natyra e Valbonës, Berati me arkitekturën.


Ka 24 punime nga zona e Korçës dhe rrethinat e saj, Vithkuqi, Drenova, Polena. Edhe Vangjush Mio ka realizuar shumë punime nga Korça dhe kjo tregon se ai lëndën e parë e kishte shumë të mirë.


Në ciklin e portreteve shihen disa gra cigane. Përse jeni përqendruar te ky model? Ato vishen bukur. Shoh raporte pikturike në veshje dhe në ngjyrën e mishit të tyre. Unë i pikturoj vazhdimisht.


Ekzotika e tyre më pëlqen. Mendoj se piktori të bukurën e gjen kudo, vetëm duhet të dijë ta zbulojë. Ndërsa, për kostumet folklorike marr modelet e zonës sime. Vajza të bukura aty ka me tepri dhe veshjet janë një pasuri folklorike dhe një harmoni shumëngjyrëshe e rrallë.


I vetmi portret burri është ai i At Zef Pllumit. Ju si e ruani në kujtime?


Me At Zef Pllumin pata një miqësi të rastësishme në vitet e fundit. Realizmi i portretit është detyrimi më minimal që ne krijuesit kemi për figura të mëdha kombëtare siç është At. Zef Pllumi.

E kam në mendje duke më treguar tregimet e tij me një saktësi fenomenale dhe ne na dukej sikur lundronim në veprën e tij të ardhshme. Ai ishte njeri që e donte këtë vend, e donte Shqipërinë dhe mendonte se me njerëz të ditur ky vend do të shkonte përpara.


E quani të zgjidhur dialogun me publikun meqë piktura juaj kuptohet në masë?


Unë nuk kërkoj simbolikën te peizazhet e mia. Nuk kërkoj të them shumë. Kërkoj të sjell të bukurën. Përpiqem të sjell qetësinë tek spektatori, të sjell atë lloj peizazhi që ai e ka në imagjinatën e tij.


Nuk pikturoj dot në zonën veriperëndimore të Shqipërisë dhe në pjesën e ultësirës së Shqipërisë së Mesme sepse relievi është shumë i dëmtuar. Synoj vendet e virgjëra, të pashkelura, të braktisura.


Pastaj përdor mjetet shprehëse dhe krijoj një harmoni ngjyrash që t'i krijoj një ndjesi emocionale të këndshme secilit që e sheh. Jam i sigurt se shqiptarët e duan veprën e artit dhe këtë e kam konstatuar vetë. Fakti që unë jetoj mirë me pikturë që prej vitit 1994 do të thotë që piktura ime pëlqehet dhe blihet dhe kjo më bën të ndihem mirë.


Ç'marrëdhënie keni me politikën? Kujtojmë një seri portretesh të njerëzve politikë që rrinë varur në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë.


Ka qenë një porosi e kryetares së parlamentit Jozefina Topalli për të bërë portretet e kryetarëve të parlamentit të kohës së demokracisë, në vitet 1992-2000. Ishte një porosi në kuadrin e një emancipimi që ekziston edhe në vende të tjera.


Lidhur me politikën, kam tentuar një herë në vitin 2007 të isha pjesë saj, si kryetar bashkie për Partinë Demokratike.

Nuk e arrita dhe të nesërmen kam marrë penelat dhe kam filluar të pikturoj. Desha të dëshmoj dhe të investoj për qytetin tim diçka nga dijet e mia, nga kapaciteti im. Nuk ndodhi.

Absolutisht nuk u dëshpërova, përkundrazi gjithë entuziazëm iu ktheva punës. Kjo do të thotë që unë ndihem mirë me artin tim dhe nuk tentoj të hyj më në politikë. Unë desha të kontribuoj për qytetin tim, por jo duke e quajtur veten politikan. Artistët mund të bëjnë gjëra të bukura kudo që të jenë sepse shpirti i tyre nuk di të bëjë keq asnjëherë.

Ku lidhet politika me çështjet e shpirtit?


Politika në Shqipëri zhvillohet e ashpër. Nëse brenda saj do të ketë më tepër artistë, unë besoj që do të jetë më e mirë dhe më bashkëpunuese.


Artisti merr frymë lirisht në qarqet e politikës?


Besoj se jo. Por, ai e bën për hir të kontributit që ndjen se duhet dhënë. Dhe unë kështu e ndjeva atëherë. Pse të rrija indiferent? Prandaj pranova. Fundja kjo ishte një eksperiencë. Vepra të vitit 2010 në këtë ekspozitë janë 60 dhe nja 150 të tjera që janë jashtë. Të realizuara për tri vite.


Si është jeta e një artisti në Lezhë?


Unë kam ndërtuar jetën time në Lezhë sepse aty kam lindur dhe jam rritur. Kam prindërit, kam varret e të parëve, kam një studio që nuk e gjej në vend tjetër. Dhe ky është një lloj komoditeti që nuk mund ta gjej kurrkund tjetër, prandaj ndihem mirë në atë qytet.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›