41 vite burg dy vëllezërve laçianë, qëlluan policinë

PRETENCA
Në janar të këtij viti, vëllezërit Suta u konfrontuan me uniformat blu, pas shoqërimit të një prej vëllezërve në polici
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda, kërkon 41 vite burg për dy vëllezër nga Laçi të akuzuar se qëlluan me armë ndaj efektivëve të policisë së këtij komisariati në muajin janar të këtij viti.
Artur e Gentian Suti që mbrëmjen e 21 janarit të këtij viti, akuzohen se qëlluan me armë në drejtim të katër efektivëve të patrullës së policisë në Laçit, tashmë rrezikojnë dënimin me 41 vite burg në total.
Kjo masë dënimi u kërkua nga prokurori i çështjes Eugen Beçi, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare, ndërsa i kërkoi Gjykatës për Krime të Rënda, 21 vite burg për Artur Sutin, ndërsa për të vëllain Gentianin, 20 vite burg.
Sipas prokurorit, dy vëllezërit laçianë kanë kryer veprat penale të "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" katër herë e mbetur në tentativë; "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake"; "Fyerjes për shkak të detyrës" dhe "Mosbindje të urdhrit të policisë" në bashkëpunim.
Sipas prokurorit, gjatë shqyrtimit gjyqësor, u provua se me 21 janar të këtij viti, policia e Laçit shoqëroi në ambientet e saj Artur Sutin, pasi pasditen e asaj dite, po qarkullonte me shpejtësi në qendër të qytetit me motor duke kryer figura të rrezikshme. Manovrimet shqetësuan banorët, që lajmëruan policinë për situatën.
Pas njoftimit, një grup i gatshëm i policisë shkoi në vendin e lajmëruar, duke shoqëruar Artur Sutin. Në orën 23:00, policia e liroi, atë dhe në dalje të komisariatit e priste i vëllai Gentian Suti. Të dy së bashku, njëri me motoçikletën e markës "Yamaha" dhe tjetri me një veturë "Mercedez- Benz" 250, pa targa, nisën të bënin karshillëk ndaj policisë, duke krijuar zhurmë me xhirimin e gomave në qendër të qytetit.
Në orën 00:30 minuta, në vendin e quajtur "Kryqëzimi i Pazarit", në shëtitoren e qytetit, dy vëllezërit Suti nuk iu bindën urdhrit të patrullës së policisë për të ndaluar.
Duke zbritur nga motori Arturi me pistoletë në dorë qëlloi ndaj furgonit të policisë ku ndodheshin katër efektivët. Më pas ai nisi të ofendojë policët që i shpëtuan plumbave të dy vëllezërve. Ata mundën të ikin, por mëngjesin e 22 janarit u arrestua Gentian Suti. Pak muaj më pas u arrestua nga RENEA, vëllai tjetër Artur Suti.