E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përvjetori i Abdurrahim Buzës

Ekspozohen 105 vepra të panjohura

Çelet të mërkurën më 15 dhjetor ekspozita “Buza-105 vjeçar” me rastin e 105 vjetorit të lindjes së piktorit të njohur Abdurrahim Buza. I biri, Kujtim Buza me këtë rast ka zgjedhur të sjellë për publikun 105 punime të paekspozuara më parë të artistit që i përkasin viteve 1928-1986 kohë kur edhe ndërroi jetë

Në rreth 55 vjet krijimtari artistike, ai pati mundësinë të realizojë vepra që u bënë të njohura. Nga ato që u ekspozuan dhe vlerësuan. Por pati edhe qindra të tilla që ndër vite, të paktë ishin ata që patën fatin ti shihnin. Janë krijime që vijnë ndryshe nga sa fryma e kohës diktonte. Janw punime ku ai shfrynte të gjithë dufin e jetës, dashurinë, realizime me motive të ndryshme nga historia dhe epika legjendare e popullit tonë, motive idilike, lirike të dashurisë, të mitologjisë, motive të ndryshme nga lufta për liri dhe pavarësi, nudo pambarim etj. Megjithatë nuk u realizuan e mbi të gjitha nuk u mbajtën fshehurazi. Abdurrahim Buza ishte i mendimit se arti kishte nevojë edhe për to, ndaj kënaqësinë e këtyre realizimeve e ndante hapur me miqtë e dashamirësit që shpesh vizitonin studion e tij. Sot, pas dekadash, edhe publiku i gjerë ka mundësinë të njihet me këtë pjesë të panjohur të krijimtarisë së Abdurrahim Buzës. Me rastin e 105 vjetorit të lindjes së Piktorit të Popullit, (22 dhjetor 1905), i biri Kujtim Buza, do të çelë të mërkurën me 15 dhjetor një ekspozitë ku paraqiten për herë të parë 105 vepra të piktorit. Ekspozita do të çelet në ambientet e Universitetit Amerikan të Tiranës dhe do të qëndrojë e hapur për disa ditë me radhë.

Z. Buza, me rastin e 105 vjetorit të lindjes së babait tuaj, piktorit Abdurrahim Buza, ju ndërmerrni nismën të sillni për publikun një ekspozitë me vepra të tij që ekspozohen për herë të parë. Me çfarë do të njihet më konkretisht publiku?

Unë mendova të sjell 105 punime të reja të pakespozuara më parë. E megjithatë ato nuk janë punime të fshehura skutave. Janë vepra që babai, i ka treguar ndër miq, dashamirës e kolegë. Dhe e bënte këtë me qejf e me dëshirën e mirë për të treguar ecurinë, por edhe pasurimin më tej të artit shqiptar të cilin sigurisht që ai e përcillte me motive të realizuara sipas mënyrës së tij. Ai i tregonte hapur këto punë të cilat ishin vizatime, akuarele, tempera, bocete të realizuara në vaj, skica ku ai shfrynte të gjithë dufin e jetës, dashurinë, realizime me motive të ndryshme nga historia dhe epika legjendare e popullit tonë, motive idilike, lirike të dashurisë, të mitologjisë, motive të ndryshme nga lufta për liri dhe pavarësi, nudo pambarim etj. E pikërisht në këtë ekspozitë unë kam zgjedhur të sjell vetëm një pjesë të kësaj krijimtarie të bollshme. Këto 105 punime vijnë për herë të parë për publikun.

Bëhet fjalë për një nismë personale apo kanë dhënë edhe të tjerë ndihmë në realzimin e kësaj ekspozite?

Për realizimin e kësaj ekspozite më kanë inkurajuar, ndihmuar por edhe jam shtyrë nga një grup artistësh të rinj por edhe të vjetër të cilët i kishin parë këto punime. Ata shprehën dëshirën të mos i mbaj më mbullur. Kjo më shtyu të hap ciklin e  veprave të pakespozuara të Abdurrahim Buzës. Cikël, i cili me siguri që do të vazhdojë më tutje me 100 viazatime, 100 tempera me 100 ngjyra vaji... dhe nuk e di se edhe me sa 100 të tjera do të vazhdoj...

Kjo do të thotë se ka shumë vepra të paekspzuara e të panjohura të Abdurrahim Buzës?

Po janë shumë të tilla. Ai ka një jetë të tërë, 55 vjet krijimtari. Gjatë kësaj periudhe ka realizuar tablo që tashmë janë të njohura e që gjenden në Galerinë e Artit, pavarësisht se ekspozohen pjesërisht e në mënyrë spontane. Por ne kemi shumë vepra të ruajtura, të pashpërndara me të cilat nuk është abuzuar. Ato ruhen me kujdes me të vetmin qëllim që ti vlejnë pikturës sonë në një të ardhme.

Veprat që keni zgjedhur të ekspozoni në këtë përvjetor cilit vit i përkasin?

Janë punime që nisin me vitin 1928, pikërisht me vitin kur ai shkoi për studime në Firence të Italisë e vazhdojnë më tej ndër vite. E fundit i takon vitit 1986 kur ai ndërroi jetë duke punuar në tablonë e papërfunduar të tij titulluar “Vallja e maleve” që ka mbetur vizatim. Ai ishte gati për ta nisur me ngjyra, mirëpo fatkeqësisht u këput para e ndërroi jetë para saj.

Cilat janë rrymat që përshkojnë 105 punimet e paekspozuara të Buzës?

Është e rëndësishme se në këtë ekspozitë bëjnë pjesë të gjitha rrymat e drejtimet artistike përmes të cilave ai ka shprehur aspiratat e tij. Janë vepra që i përkasin impresionizmit e postimpresionizmit, për të vazhduar më pas me cikël portretesh të veçanta të përihdës së viteve ‘33-’34, më tej vazhdohet me disa vepra të ngacmuara nga arti i Europës Perëndimore, nga vendi ku ai kishte studiuar në Firence. Duhet të them që Simon Rrota në vitin 1915, Vangjush Mio në vitin 1923 dhe Abdurrahim Buza në vitin 1933 bashkë me Zef kolombin, janë piktorët e parë akademicienë që kanë mbaruar shkollën në Europën Perëndimore dhe që sollën në shqipëri jo vetëm profesionalzëm por edhe elemente të kësaj pikture. E pikërisht në këtë ekspozitë ndihen gjurmët e e ndikimet e artit evropian perëndimor në krijimtarinë e tim eti. Në këto 105 punë ai shëtit në gjithë drejtimet e manifestuara në artin perëndimor gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu shihen në këtë ekspozitë vepra që shtrihen mbi një shtrat ekspresionist, sikundër edhe abstraksione e vegime të një fantazie të mbështetura e thelluar në motive të artit tonë kombëtar.

Përse nuk janë ekspozuar më parë?

Bëhet fjalë për piktura që janë krijuar në një kohë kur kërkesat për realizimin dhe krijimin e një vepre arti ishin strikte. ato duhej të ishin të mbështetura në artin zyrtar, ku përjashtoheshin disa rryma e ku sigurisht përjashtoheshin vepra ku zbulohej shtati i bukur të femrës, etj.

A ka hasur probleme babai juaj për shkak të këtyre veprave duke qenë se një pjesë e tyre, nudot përshembull ishin të ndaluara?

Ato janë punë të procesit të tij krijues ndaj ai nuk i është trembur asnjëherë kësaj. Ato por edhe punimet e tjera të ciklit të veprave të paekspozuara janë punime të treguara, jo të fshehura në atë kohë. Ai mendonte se në këtë mënyrë e pasuronte artin tonë kombëtar, duke i sjellë atij një fizionomi pak më të gjerë e duke e shtyrë pak gardhin e atij arti që ndrydhte mendime dëshira. Ai kishte marrë parasysh gjithçka. E kështu ndodhi që gjithë këto punë edhe pse nuk mund të ekspozoheshin u grumbulluan. Brenda tyre është një pjesë e jetës shqiptare. Ai ka lëvizuar në çdo vend të shqipërisë duke sjellë nga andej motive nga jeta. Por më shumë Abdurrahim Buza ishte piktor i një fantazie ku më shumë riprodhonte në mënyrë figurative atë që ndjente, atë çka kishte dëshirë, atë çka përfytyronte për të tashmen dhe të ardhmen. Babai nuk i ka pranuar asnjëherë këto ndalime të kohës ndaj edhe ka pikurtuar ato që ka ndjerë. E nuk e bënte këtë në shenjë rebelimi por si një artist brenda studios së tij.

Mendoni se Abdurrahim Buza, është vlerësuar mjaftueshëm?

Sigurisht babai është vlerësuar. Vazhdon të vlerësohet, duke përjashtuar ndonjë keqkuptim a ndonjë keqdashje. E duan dhe e respektojnë e këtu bëjnë pjesë të gjithë krijuesit e artit figurati, por edhe shumë miq e dashamirës, këtej dhe andej Drinit në Kosovë, ku me të mburren si i pari piktor akademik kosovar i studiuar në Itali. Jo më kot mes relikeve kam nxjerrë një kartolinë të prillit të vitit 1937 që ai ma çon nga Prishtina me rastin e 25 vjetorit të Indipendencënsë. Atëherë unë isha katër muajsh por ai më dërgon këtë kartolinë për të mbetur si shenjë e familjes, ku shpreh idealet e tija. Më thotë: “Kujtimit të vogël me rastin e 25 vjetorit të Indipendencës. Po ta çoj këtë kartolinë ku është vizatuar harta e Shqipnisë, në mënyrë që kur të festohet 50 vjetori i saj t’ia shtosh Kosovën e robnueme, Baba yt Abdurrahimi-Prishtinë”.

Duke qenë se e përmendët Kosovën, a është ajo ndër punimet që ekspozoni?

Po sigurisht, ideali i gjithë krijimtarisë së tij është ideali kombëtar, çështja patriotike e luftës për liri e pavarësi, me heronj, me bashkëluftëtarë. Im atë ka marrë pjesë në revolucionin demokratik të vitit 1944 me Bajram Currin. Ai bashkë me të rinj të tjerë të Normales së Elbasanit e mbështetën këtë lëvizje. Ata erdhën në këmbë nga Elbasani në Tiranë dhe u rreshtuan me Bajram Currin. Por familja e tij është një familje që ka qenë në miqësi të ngushtë me Hasan Prishtinën, e të tjerë heronj e bashkëluftëtarë të cilët më pas i ka vizatuar.

Sa do të qëndrojë e hapur “Buza-105 vjeçar”?

Ekspozita do të qëndrojë pak ditë e hapur në ambientet e Universitetit Amerikan të Tiranës. Më vjen mirë që u çel në një ambient të tillë sepse atij i pëlqente shumë të qëndronte mes të rinjve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›