Basha: Sjap dorëheqjen, kam mbështetjen e PD-së
TIRANË- Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, i ka kthyer përgjigje organit të akuzës nga foltorja e Kuvendit lidhur me përmbajtjen e dosjes penale të depozituar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Lartë. Dy ditë më parë,Prokuroria e Përgjithshme zbardhi të plotë kërkesën për gjykim, e cila sot do të merret për shqyrtim nga pesë gjyqtarë të kësaj gjykate. Gjithçka ka filluar me qëndrimin kritik të sekretares së Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade, sipas së cilës, korrupsioni ka gjetur strehë në valixhen e imunitetin diplomatik, duke zënë vend në forumet më të larta pas emrit “Albania”. Menjëherë pas deklaratës së Dades, ka reaguar ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i cili është përpjekur të hedhë poshtë akuzat e ngritura kundër tij për rrugën Durrës-Kukës, jo vetëm nga opozita, por edhe nga Prokuroria e Përgjithshme. “A morët ndonjëherë mundimin, të nderuar kolegë të opozitës që hidhni këto akuza, të lexoni dokumentet përkatëse, ta shikoni se përzgjedhja e konsulentit nuk është bërë me tender. Si mund të shkelet barazia në tendera, kur vetë përzgjedhja nuk është bërë me tendera. Cili është qëllimi i këtij mashtrimi, shpërdorim detyre? Si shpërdorohet detyra kur Këshilli i Ministrave, vendim pas vendimi, ka sanksionuar veprimtarinë e agjencive përkatëse? Është e qartë që kemi të bëjmë me një absurd të shpifur, të realizuar në zyrat e Edi Ramës dhe fatkeqësisht të ndërmarrë si sulm nga një Prokurori, segmente të së cilës kanë rikthyer Prokurorinë politike në Shqipëri”,- tha Basha. Por, qëndrimi i Bashës tek deputetët e PS-së nuk ka sjellë gjë tjetër, veçse irritim. “Në Shqipëri kemi një njeri që akuzohet për 230 milionë euro. Dhe ky njeri ka ende guximin që, përmes kësaj foltoreje e këtij mandati, t’i fshihet Prokurorisë e të hedhë baltë, në radhë të parë mbi demokracinë e vendit. Demokracia është të respektosh institucionet e ligjit. Unë dhe Lulzim Basha jemi deputetë të rinj. Nëse ndaj meje do të ishte ngritur një akuzë e tillë, do të jepja dorëheqjen. Ndërsa Basha vazhdon të japë dëngla në Kuvend, por ai nuk duhet më të shkelë në Kuvend dhe të hedhë baltë mbi institucione”,- tha deputeti i PS-së, Tauland Balla. Por, përpos kërkesës së Ballës, Lulzim Basha nuk ka ndërmend që të japë dorëheqjen, duke konfirmuar dje në Kuvend se ka edhe mbështetjen e PD-së. “Do të vazhdoj të jem këtu për sa kohë do të kem besimin e shumicës së kolegëve të mi dhe shumicës së qytetarëve shqiptarë”,- tha Basha.