Zgjedhjet në Maqedoni, OSBE/ODIHR-i, thirrje për shmangie nga dhuna
Misioni i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet në Maqedoni bëri thirrje që të shmanget dhuna në zgjedhjet e 22 marsit. “Presim që procesi zgjedhor të kalojë në një atmosferë të qetë, demokratike, pa frikë dhe dhunë”, - ka theksuar shefi i ODIHR-it, Piter Ajher, në një konferencë shtypi. Ajher kërkoi angazhimin e institucioneve shtetërore, KSHZ-së dhe partive politike për kontribut i cili do të siguronte zgjedhje të lira dhe demokratike. Në Maqedoni kanë mbërritur vëzhguesit e parë, ndërsa 300 vëzhguesit afatshkurtër do të mbërrijnë në Maqedoni, disa ditë para zgjedhjeve. Misioni vëzhgues i ODIHR-it do të fillojë misionin e vëzhgimit të aktiviteteve të partive dhe mediave para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore më 2 mars.
SHBA, miratohet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve paketa e stimujve
Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi paketën e stimujve ekonomikë me vlerën e 787 miliardë dollarëve, që synon të ndihmojë e ekonominë amerikane në krizë. Edhe Dhoma e Përfaqësuesve votoi me 246 vota pro dhe 183 kundër këtë paketë e cila konsiderohet tepër e rëndësishme për daljen nga kriza. Projektligji, i cili përfshin shkurtimin e taksave dhe projekte për shpenzime brenda vendit, nuk u miratua nga asnjë anëtar republikan i Dhomës së Përfaqësuesve. Shumica e republikanëve kanë vërejtje për paketën, duke thënë se ajo përfshin shumë shpenzime qeveritare dhe nuk përmban shkurtimet e nevojshme të taksave. Të tjerë thonë se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për ta lexuar të gjithë projektligjin voluminoz, prej 1 mijë faqesh.
Demokratët thonë se projektligji përmban masa të menjëhershme dhe të nevojshme, për të cilat zoti Obama ka thënë se janë të nevojshme për rigjallërimin e ekonomisë amerikane dhe për krijimin e vendeve të punës. Varianti përfundimtar i projektligjit ishte një kompromis mes varianteve të miratuara më parë veç nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe nga Senati.
16 Shkurt 2009