E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përvjetori i largimit të presidentit/Sejdiu: Rugova bëri epokën e vet

Presidenti Fatmir Sejdiu me bashkëpunëtorë, sot me rastin e katërvjetorit të ndarjes nga jeta të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, bëri homazhe të varri i Presidentit Rugova dhe e vizitoi familjen Rugova. Me këtë rast, Presidenti Sejdiu, duke vlerësuar punën e madhe që Rugova ka bërë për Kosovën, theksoi se ai është në kujtesë të përhershme dhe se i mungon shumë vendit. “Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, të cilin e kemi në kujtesë të përhershme për punën e madhe që ka bërë për Kosovën, ishte një njeri që i mungon shumë vendit, një njeri që ka bërë historinë në kohët më të vështira që kemi pasur si popull, dhe mund të themi një njeri që e solli koha dhe që e bëri kohën, e bëri epokën e vet”, theksoi Presidenti Sejdiu. Gjithashtu, Presidenti Sejdiu tha se është shumë me rëndësi se e gjithë vepra e Presidentit Rugova ka qenë e përkushtuar për të vënë themelet e një shteti demokratik, një luftë e gjatë për pavarësinë e vendit, por në parimet më të mira universale të të drejtave dhe lirive njerëzore dhe të humanizmit, pra të njeriut i cili me kalibrin apo personalitetin e tij ka ditur që në mënyrë të shkëlqyeshme të artikulojë zërin dhe ndjenjën e shqiptarëve të Kosovës për liri, në kuptim të organizimit të rezistencës së brendshme, por edhe në kuptim e shpalosjes së identitetit tonë para botës. “Nuk është e rastësishme që një nga frontet më të rëndësishme të fituara është e vërteta për Kosovën jashtë dhe mbështetja e fuqishme për Kosovën nga jashtë. Puna e Presidentit Rugova është kolosale dhe ai ishte vërtet një kolos i Kosovës, një burrë i madh i vendit”, tha Presidenti Sejdiu. I pyetur nga gazetarët për çështjen e kompletimit të kompleksit memorial për Presidentin Rugova, Presidenti Sejdiu shprehu besimin e tij se në proces do të ketë qasje të drejtpërdrejta për t’i dhënë fizionominë finale idesë për të pasur një kompleks memorial, ashtu siç e kanë burrat e mëdhenj të vendit.Po sot, Presidenti Sejdiu me bashkëpunëtorë vizituan familjen e Presidentit Rugova, pjesëtarët e së cilës e falënderuan Presidentin Sejdiu për kujdesin e vazhdueshëm që Presidenti ka për familjen e Rugova. Komenti - Shtatorja e Rugovës pret “Po”-në e institucioneve/Sot, në katër vjetorin e vdekjes së Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugovës, një figurë poliedrike, që portretizonte diturinë, urtësinë, paqen dhe vizionin, vendi në të cilin do të vendoset shtatorja e tij vazhdon të qëndrojë i zbrazët. Megjithë premtimet dhe fjalët e shumta, të institucioneve kompetente, procesi është zvarritur dhe ideja e realizimit vazhdon të qëndrojë vetëm teorikisht. Ndërkaq ne jemi në dijeni të një shtatoreje tashmë të realizuar të Presidentit të ndjerë, nga autori i shtatores së Anton çetës, skulptori Fatmir Hoxha. Në një prononcim për gazetën tonë në lidhje me këtë çështje Hoxha është shprehur se shtatorja e Rugovës është e gatshme. “Kam punuar në këtë realizim afërsisht dy vjet e gjysmë. Tani ajo është e gatshme për tu vendosur në ndonjë prej hapësirave publike të qytetit. Institucione të ndryshme janë të njoftuar për këtë shtatore, por ka ngecur puna, ndoshta edhe për shkak të zgjedhjeve. Ka kaluar një vit që bëhen biseda në lidhje me këtë çështje” ka nënvizuar Hoxha.Përveç skulptorit edhe sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës Ramë Manaj është shprehur se propozimet për këtë projekt janë të shumta. “Sheshi Ibrahim Rugova është emëruar dhe tash pritet të ndërtohet ai shesh me emrin e tij”. Ai ka shtuar se kjo nuk do të mbetet vetëm projekt teorik, pasi që zvarritja ka ardhur si pasojë e problemeve me objektin e hotel Unionit. “Ka pak vonesa por kjo do të rregullohet dhe do të institucionalizohet edhe me emrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova. Idetë dhe propozimet nuk mungojnë, por disa janë në fazë të shqyrtimit dhe do të shohim se cila nga institucionet do të marrin emrin e presidentit Rugova” ka përfunduar Manaj duke i cilësuar këto si probleme të përgjithshme.Ajo çka duhet diskutuar, jo vetëm në këtë rast, por pothuajse për të gjitha veprat e monumenteve publike, që janë inauguruar kohëve të fundit në Kosovë, është mosrespektimi i procedurës apo vendimit të marr nga vetë këto institucione përgjegjëse, ku zakonisht kapërcehen fazat e miratimit dhe tenderimit dhe nuk respektohet e drejta e konkurrimit të barabartë të krijuesve. Kështu edhe për shtatoren e ish-Presidentit amerikan Bill Klinton nuk dimë nëse ka ekzistuar ndonjë konkurs qoftë edhe i brendshëm, ku do të paraqiteshin edhe alternativa të tjera, të paktën për një vlerësim krahasues, që të mënjanohen krijimet amatoreske. Mirëpo deri më sot, institucioni përkatëse nuk ka shpallur ndonjë konkurs për realizimin e shtatores së shumëpërfolur të kryetarit Rugova, që do të vendoset në sheshin pranë hotel Unionit, vend ky, i caktuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›