Perurohet sot restaurimi i Mozaikut te Tiranës
TIRANE- Sot paradite, në orën 11:00, bëhet përurimi i Mozaikut të Tiranës. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merr pjesë edhe ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj. Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës, dhe si i tillë mbart shumë vlera për sa i përket trashëgimisë së kryeqytetit. Ky mozaik, i cili fillimisht u zbulua në 1972, kishte disa vite që nuk restaurohej. Projekti i financuar nga MTKRS-ja bëri që mozaiku të restaurohej, duke e rikthyer në gjendjen që ishte edhe pas restaurimit të bërë për herë të parë në vitin 1976. Arkeologët mendojnë se kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit, që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (vila rustika). Salla me mozaik, e pajisur dhe me një absidë, ishte ambienti kryesor i saj. Autorët mendojnë që në shek. V-VI, vila u zëvendësua me një bazilikë paleokristiane. Gjatë viteve 2003-2004, punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut "Partizani" zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit, ndër të cilat më kryesoret ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme dhe një pitos i madh i periudhës së antikitetit. Kompleksi i vilës fshatare romake, është një dëshmi shumë e rëndësishme për identitetin historik të vendbanimeve të hershme në kryeqytetin tonë. Perceptimi në popullin e kryeqytetit është se Tirana, vendbanimet më të hershme i ka të shekullit 13-14 të erës sonë. Në fakt, ky mozaik dëshmon për hershmërinë e vendbanimeve në këtë qytet. Duke pasur parasysh që në Tiranë, dhe veçanërisht pranë këtij monumenti ka rrënoja arkeologjike, DRKK Tiranë do të paraqesë së shpejti një propozim për shpalljen e zonës rreth mozaikut, Zonë Arkeologjike A. Dhënia e këtij statusi do ta mbrojë me ligj këtë zonë, në mënyrë që të ndalet kasaphana që i është bërë trashëgimisë së kryeqytetit.(s.g/BalkanWeb)