E Shtunë, 31 Tetor 2026

HEC-et mbi Devoll, debat për kontratën koncesionare



Kontrata koncesionare për ndërtimin e tre HEC-eve mbi lumin Devoll është bërë objekt debati mes deputetëve në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Kanë qenë deputetet e opozitës që kanë dalë kundër kontratës koncensionare me kompanitë austriake EVN dhe kompania norvegjeze “Statkraft AS”, për hidrocentralet në lumin Devoll. Kontrata në fjalë kaloi dje për miratim në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, por deputetët e majtë janë deklaruar se në këtë kontratë ka shkelje ligjore. Deputetët e majtë kanë ngritur pretendimin se shkeljet qëndron tek afati i koncesionit dhënë firmës në fjalë, që është përcaktuar 38 vjet, ndërkohë që ligji parashikon afatin maksimal për 35 vite. Akuzat janë hedhur poshtë nga përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, të cilët kanë pretenduar se procesi ka qenë transparent dhe në përputhje me ligjin. Opozita ka akuzuar se shkelje ka pasur edhe gjatë zhvillimit të tenderit, ku sipas saj, kanë marrë pjesë 12 kompani. Edhe kjo akuzë është hedhur poshtë nga përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, të cilët kanë shpjeguar se 12 kompanitë kanë blerë dokumentacionin, por vetëm dy prej tyre kanë marrë pjesë në tender, ku fituese u zgjodhën kompanitë në fjalë. Komisioni miratoi dje kontratën koncesionare, për ndërtimin e tre HEC-ve mbi lumin Devoll, një investim ky që pritet të shkojë në 1 miliard euro. Kompania austriake EVN dhe kompania norvegjeze “Statkraft AS” do të ndërtojnë tre hidrocentrale në lumin Devoll me një investim prej 1 miliard eurosh.

Ky projekt do të mundësojë ndërtimin e tre hidrocentraleve, hidrocentralin Lozhanë-Grabovë me fuqi 173 MW, hidrocentralin “Skënderbegas” Drizë, me fuqi 188 MW dhe hidrocentralin e Banjës me fuqi 28 MW. EVN-ja është e renditur si një nga kompanitë ndërkombëtare austriake energjetike dhe ekologjike që ofron shërbime si energji elektrike, gaz, ngrohje, ujë dhe përpunimin e mbeturinave dhe shërbime të ngjashme për 3 milionë konsumatorë në 18 vende të botës. Gjatë viteve të fundit, grupi i EVN-se ka arritur të pozicionohet në industrinë energjetike në Bullgari dhe Maqedoni, duke furnizuar 2.3 milionë konsumatorë. Në shërbimet ekologjike, “EVN Group” operon me sukses në furnizimin me ujë, trajtimin e mbetjeve dhe përpunimin e mbeturinave. Gjatë vitit financiar 2007/’08 EVN-ja ka një total prej 9.342 punonjësish dhe të ardhurat vjetore 2.397.0 milionë euro. “Statkraf” është prodhuesi më i madh në Evropë për energjinë e rinovueshme. Grupi zhvillon dhe gjeneron energji ujore, energji nga era, energji gazi, ngrohje rajonale dhe është një faktor kryesor në shkëmbimin e energjisë në Evropë. Gjithashtu “Statkraft” prodhon energji diellore, energji marine, energji ozmotike dhe alternativa të tjera të energjisë inovative. Në vitin 2007 “Statkraft” ka pasur 2.2 bilionë euro të ardhura bruto. Grupi ka afërsisht 3.000 të punësuar në më shumë se 20 vende.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›