Pacientët e transplantuar, medikamentet futen në listën e rimbursimit
Gati 90-95 për qind e medikamenteve të domosdoshme për pacientët e transplantuar në veshka do të jenë pjesë e listës së rimbursueshme. Vetëm para një jave, Komisioni i Rimbursimit në ISKSH ka vendosur futjen e këtyre barnave në listën e sivjetshme të rimbursimit. Prof. Dr. Nestor Thereska dhe njëkohësisht shef i Shërbimit të Nefrologjisë, konfirmon për “standard” se “një pjesë e mirë e preparateve që përdoren nga pacientët para dhe pas transplantimit do të jenë në listën e rimbursueshme të 2009-s”. Kështu, personat që kryejnë transplantimin e veshkave në QSUT do të kenë fatin e mirë që me miratimin e listës së barnave të rimbursueshme të përfitojnë barnat me rimbursim. Ndërkohë që Prof. Dr. Thereska sqaron se ndonëse suksesi i tranplantit të veshkës është i lidhur ngushtë me përzgjedhjen dhe afrinë biologjike/gjenetike të dhuruesit me marrësin (pra të sëmurin), gjithsesi duhet kuadër ligjor në mënyrë që të garantohet një proces sa më i hapur dhe të mos lërë vend për abuzim.
Çfarë po ndodh konkretisht me transplantet, në ç’fazë gjendet ky proces? Dhe a mendoni se duhet përmirësuar kuadri ligjor në lidhje me transplantimet?
Në vende të ndryshme të botës ka ligje të ndryshme për dhuruesit. Në Shqipëri meqenëse po e fillojmë nga fillimi, për të evituar çdo lloj abuzimi që mund të bëhet, për të shmangur çdo lloj konfuzioni që mund të ketë, qoftë formal qoftë publik, deri sa të krijohet një legjislacion i plotë. Një ligj kërkon punë dhe specialistë që të krijohet. Transplanti do të kryhet mes familjarëve të afërt, domethënë babai, vëllai, motra, në raste të rralla edhe nga fisi, siç ndodhi me djalin nga Shkodra që ia dhuroi tezja. Këto gjëra duhet të bëhen me akte juridike të njohura mirë. Gjithashtu, dhuruesi duhet të jetë mjaft i njohur nga ekipi mjekësor që e ka ndjekur para transplantit, në mënyrë që të mos ketë keqkuptime. Ndërkohë që në vende të ndryshme të botës ka legjislacione që e rregullojnë këtë gjë. P.sh., në Itali dhe në Francë shumica e transplanteve bëhen nga kadavrat, këtu tek ne akoma nuk është parë e arsyeshme. Por ne kemi parë që në të ardhmen të zgjerohet mundësia e transplanteve nëpërmjet kadavrave. Dhurimet do të bëhen kryesisht nga familjarët.
Flitet shumë për dhuruesit, ndërkohë që ka paqartësi mbi kriteret që duhet të përmbushë për të qenë i tillë. A përbën kusht kryesor kufiri i moshës për dhuruesin?
Mosha e dhuruesit sa më e re të jetë aq më ideale është dhe sa më i vjetër në moshë, aq më shumë janë mundësitë për të bërë ndonjë ndërlikim. Mosha e prindërve të rinj në moshë, prindër 40 vjeç, 50 vjeç ecin mjaft më mirë sesa nga prindërit që janë 60 vjeç e sipër. Ka studime të mëdha që ecuria e transplantit sipas moshës së veshkës së dhënë ndikon shumë. P.sh., nëse veshka është marrë nga dhurues 60 vjeç ka disa repursione, veshka e transplantuar. Pas kësaj moshe fillojnë edhe sëmundjet, hipertensioni, diabeti, nefrosklerozë, nga pikëpamja biologjike dhe klinike kjo është një moshë që jep më kollaj, pra prindërit 35-40 deri në 55 vjeç janë më të fortë fizikisht më të adaptueshëm për të dhënë veshkën dhe vetë ata nuk kanë pasoja, pasi çdo gjë ecën normalisht.
Po për sa i përket grupit të gjakut, është e rëndësishme përputhshmëria?
Është më se e domosdoshme përputhja sipas rregullave klasike, si përputhja e grupit e gjakut dhe përputhja indore. Në rastet kur nuk ka përputhshmëri të grupeve të gjakut dhe aq më tepër përputhje indore, ne i përjashtojmë nga transplantimi dhe kërkojmë dhurues të tjerë.
Një veshkë e transplantuar për sa kohë funksionon dhe kur përfundon mundësia e flakjes së saj?
Një njeri që jep një veshkë dhe ajo merr funksionin e mirë, mund të vazhdojë gjithë jetën. Por duhet pasur parasysh mbijetesa. Më kujdes duhet treguar vitin e parë dhe me kalimin e vitit ecuria e saj mund të shkojë mirë. Por bazuar në disa të dhëna statistikore, pas 10 vjetësh vdesin 10 për qind e të sëmurëve që bëjnë transplantin. Ka përqindje të caktuar që me kalimin e viteve mbi 10-vjeçarin edhe përqindja e vdekjeve shtohet. Kjo normalisht ka të bëjë edhe me gjendjen shëndetësore të të sëmurit që i bëhet transplanti. Domethënë si ka qenë gjendja shëndetësore e organeve të tjera. A ka pasur të prekur zemrën, organet e tjera vitale apo ka qenë një njeri që vuante vetëm nga veshak dhe s’ka pasur ndërlikime të tjera. Ose i sëmuri që e ka dhuruar, i shikohet shumë mosha, pasi sa më i ri të tjerë p.sh., 40 vjeç, ai nuk është i prekur nga sëmundje si diabet apo dëmtim të enëve të gjakut dhe sëmundje të mëparshme të veshkave, pasi këto përkeqësojnë mbarëvajtjen e transplantit. Prandaj në kontrollin që i bëhet dhuruesit, mjekët duhet të jenë shumë rigorozë, të vlerësojnë mjaft mirë gjendjen e enëve të gjakut të atij që e jep veshkën, gjendjen e zemrës, qoftë tek ai që e jep, qoftë tek ai që e merr dhurimin. Për sa i përket flakjes, ajo mund të jetë akute e menjëhershme. Kjo ndodh që ditën e parë, fillon operimin dhe shikon që s’po ecën, fillon e pakësohet sasia e ujit të hollë, rritet azotemia. Presim të eliminojmë çdo faktor të mundshëm, prapë gjendja vazhdon e rëndë ose këta bëjnë vdekje ose këta të sëmurë i fusim sërish në planin e dializës. Sikurse mbijetesa është edhe flakja kronike që të sëmurët që kalojnë 6-7 vjet shtohen shanset për të bërë flakjen kronike, kjo shfaqet zakonisht me rënien e funksioneve renale, kjo gjë do kujdes.
Si rregullohet çështja e ilaçeve dhe për sa kohë duhet të përdorin ilaçe pacientët e transplantuar?
Ky është një problem shumë i madh. Të sëmurët që do të bëjnë transplant marrin ilaçe që përpara transplantit sipas skemave të caktuara. Sot e gjithë bota perëndimore ka arritur të bëjë protokolle për mjekimin e të sëmurëve pas transplantit. Ne kryesisht kemi punuar me protokolle nga vendet, të cilat kanë ardhur ato. Këto ilaçe duhen mbajtur për kohë të gjatë. Duhet pranuar që janë ilaçe shumë të shtrenjta që kushtojnë me miliona lekë. Prandaj falë edhe vendimeve të qeverisë është arritur që të futen në rimbursim. Vetëm para një jave ne arritëm të fusim në listën e rimbursimit edhe një preparat tejet të shtrenjtë që përdoret në operacion, valsajti, i cili është një medikament i shkëlqyer kundra infeksioneve virale. Pasi ndodh që transplanti të kalojë mirë, por merr një infeksion viral dhe në këto rast është ky valsajti që e shpëton të sëmurin, sepse ndryshe infeksioni viral të çon drejt vdekjes. Në këtë mënyrë, ne po arrijmë që të gjitha preparatet që përdoren, protokollet e ndryshme, t’i kemi në listën e rimbursueshme. Me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, komisioni i rimbursimit i kaloi. 90-95 për qind të medikamenteve të transplanteve renale i kemi të rimbursueshme. Janë medikamente tejet të kushtueshme, shumë të shtrenjta.
Pas transplantimit duhet që pacienti t’i nënshtrohet ndonjë kufizimi, apo të vazhdojë aktivitetin e tij të përditshëm?
Në përgjithësi në të gjithë botën, nuk ka kufizime, shikohet nëse janë në punë intelektuale, mund të bëjnë në punën e tyre kufizime ka kur ka punë fizike. Pasi kjo është edhe arsyeja që përse ne i kalojmë nga dializa në transplant. Pasi në dializë bëhet një jetë jocilësore e kufizuar, ata detyrohen që tre herë në javë të vijnë në spital të futen në procedurat e aparatit, të futen të rrinë 4-5 orë të mbërthyer në aparat, të varur prej tij. Ndërkohë që pas transplantimit nuk ka asnjë lloj varësie.
Tre projekte nga Banka Islamike
Banka Islamike për Zhvillim (BIZH) do të vazhdojë të investojë në shëndetësinë shqiptare, veçanërisht në ndërtimin e godinave të spitaleve dhe sigurimin e pajisjeve të nevojshme mjekësore. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, mori dje mbështetjen për këto investime, gjatë një takimi me përfaqësues të Misionit të Bankës Islamike për Zhvillim në Shqipëri. Gjatë takimit, ministrja e Shëndetësisë parashtroi projekte të rëndësishme investimi, si ai për rindërtimin e spitalit të Fierit. Ndërsa, në sistemin shëndetësor parësor, si një nga prioritetet e investimeve të Misionit të BIZH, ministrja Godo paraqiti projektet për ndërtimin e qendrave të reja shëndetësore në disa zona rurale të vendit. Ndërkohë, investimi në aparatura mjekësore dhe laboratorike në të gjithë spitalet rajonale mbetet prioritet i MSH në bashkëpunimin me Misionin e BIZH.