Obama, letër Thaçit: “Të punojmë për një botë të sigurt”
Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, i ka dërguar një letër falënderuese kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ku ndër të tjera thuhej: “Së bashku do të punojmë në frymën e paqes dhe të miqësisë për një botë më të sigurt”. Në letër shprehej falënderimi i Presidentit Obama për urimin që kryeministri Thaçi i dërgoi me rastin e marrjes së postit si President i SHBA-ve. “Ju falënderoj për urimin tuaj me rastin e zgjedhjes sime President i Shteteve të Bashkuara. E vlerësoj shumë mesazhin tuaj domethënës”, - shkruhej në letrën e Presidentit Obama. “Kam besim se mund të punojmë së bashku në frymën e paqes dhe të miqësisë për të ndërtuar një botë më të sigurt gjatë katër viteve të ardhshme. Mirëpres të punoj me ju në këtë përpjekje dhe për të promovuar raporte të mira midis dy vendeve tona”, - përfundon letra e Presidentit Obama.
Feith kritikon Prishtinën për pakicat dhe transparencën
Përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë, Piter Feith, e ka cilësuar si “të brishtë” situatën politike në Kosovë, veçanërisht në zonat e dominuara nga serbët në veri. Në fjalën e tij para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit Europian, Feith theksoi se Beogradi duhet të bëjë më shumë për të mbështetur EULEX-in. “Një mbështetje më e madhe dhe cilësisht më e mirë nga Beogradi për punën e misionit europian në terren është kyçe, në veçanti për të siguruar bashkëpunimin e pushtetit lokal në veri si dhe për të izoluar kriminelët e linjës së ashpër po në pjesën veriore”, - tha Feith. Me këtë rast, ai ka qenë kritik dhe ndaj Prishtinës duke thënë se institucionet nuk po bëjnë sa duhet për të rregulluar marrëdhëniet me pakicat. Përfaqësuesi civil ndërkombëtar kritikoi qeverinë e Kosovës pasi, sipas tij, ka probleme me transparencën, standardet demokratike dhe mbajtjen e përgjegjësive.
Industria serbe e naftës nën kontrollin e “Gazprom”
Tashmë industria serbe e naftës do të jetë nën gjigantin rus “Gazprom”. Kompania ruse ka blerë 51 për qind të aksioneve me një vlerë prej 400 milionë eurosh. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri serb, Mirko Cvetkoviç, sipas të cilit Aleksandër Djukov, drejtues i lartë i filialit të naftës “Gazprom”, ndodhet në Serbi për të marrë pjesë në takimin e parë të aksionerëve të kompanisë “NIS”, ku do të zgjidhet një këshill i ri administrativ për kompaninë. “Djukov i bëri të ditur kryeministrit serb projektet e “Gazprom-Neft”-it, aksioneri më i madh i kompanisë NIS, për përmirësimin e kompanisë së naftës”, - thuhet në një komunikatë. “Këshilli i ri administrativ i kompanisë “NIS” do të mbledhë gjashtë përfaqësues të “Gazprom”-it dhe pesë përfaqësues të “NIS”-it, monopoli serb i naftës”, - tha ministri serb i Energjisë, Petar Skundriç.
Kadima fiton zgjedhjet në Izrael, sfidë krijimi i qeverisë
Partia Kadima, e ministres së Jashtme izraelite Zipi Livni, fitoi në zgjedhjet parlamentare me një diferencë shumë të ngushtë. Partia e qendrës së djathtë ka fituar 28 vende, që do të thotë një mandat më shumë se partia Likud e shefit të opozitës Benjamin Netanjahu. Si Livni, ashtu dhe Netanjahu, kanë të drejtë të formojnë qeverinë. Pas numërimit të votave, forca e tretë në Kneset është partia ultranacionaliste e Avigdor Liebermanit me 15 mandate. Partia e Punës e Ehud Barakut nga 19 mandate që kishte, fitoi vetëm 13 duke shënuar me këtë edhe rezultatin më të dobët në historinë e saj. Me mbështetjen e Liebermanit dhe të partive të tjera me qëndrim të djathtë, si dhe të partive fetare, Netanjahu mund të arrijë një shumicë prej 65 vendesh nga 120 gjithsej që ka parlamenti dhe me këtë ai mund të jetë dhe kryeministri i ri i Izraelit. Pas kthimit të së djathtës pas zgjedhjeve parlamentare në Izrael, udhëheqja palestineze është shprehur e zhgënjyer nga rezultatet. Presidenti palestinez Mahmud Abaz u shpreh se ai nuk do të zhvillojë bisedime me një kryeministër izraelit, i cili ka kundërshtuar procesin e paqes.
12 Shkurt 2009