Përvjetori i rënies së Murit të Berlinit, apel se duhet thelluar dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare

Instituti i Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi” dhe Fondacioni “Konrad Adenauer” mbajtën dje seminarin e përbashkët “Muri i Berlinit dhe Shqipëria”, në të cilin referuan intelektualë e politikanë të njohur, si dhe ish-ministri i shtetit në kabinetin e Helmut Kohlit, Heinz Eggert
Fahri Balliu: “E turpshme që në mediat tona, zënë vend ata që vajtuan për rënien e Murit të Berlinit”
20 vjetori i rënies së Murit të Berlinit ka mbledhur dje në një seminar të veçantë intelektualë, politikanë, anëtarë të kabinetit “Berisha”, si dhe personalitete të Trupit Diplomatik, të akredituar në Tiranë. I organizuar nga Instituti i Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi” si dhe dega e Fondacionit “Konrad Adenauer” në Shqipëri, seminari “Muri i Berlinit dhe Shqipëria” i bëri jo vetëm jehonë kësaj ngjarjeje të madhe për Gjermaninë dhe mbarë botën, por edhe zhvillimeve dhe ndryshimeve që pasuan në Shqipëri, nga viti 1989 e deri në ditët e sotme. Në seminar morën pjesë ministri i Brendshëm z. Lulzim Basha, ai i Kulturës z. Ferdinand Xhaferri, këshillari i kryeministrit z. Petraq Milo, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave z. Gjergj Lezhja si dhe personalitete të tjera të politikës e të kulturës.
Seminarin e hapi Drejtori i Institutit “Alcide De Gasperi”, publicisti Fahri Balliu, i cili në fjalën e vet përshëndetëse, pasi falënderoi të pranishmit, ndër të tjera theksoi: “Muri i Berlinit nuk është vetëm një moment historik, një kujtesë, por është një simbol, një moment i rëndësishëm me përmasa botërore. Rënia e Murit është një temë e rëndësishme që do të na mbledhë e do të na shqetësojë vazhdimisht, sepse ajo ka të bëjë jo vetëm të më shkuarën, por edhe me të tashmen e me të ardhmen. Sot, 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, ka rënë edhe muri i mosbesimit, ka rënë muri i ndarjes, i izolimit. Shqipëria është sot anëtare e NATO-së, është në prag të anëtarësimit në BE. Por gjithesi, ajo çka e mban ende gjallë këtë mur janë disa segmente të ish politikës së vjetër, disa media të cilat herë pas here përcjellin jo ata që i vunë kazmën këtij muri por ata që e vajtuan e që u përpoqën ta mbajnë atë. Herë pas here kjo media glorifikon këto figura, këta pasardhës të cilët sollën izolimin e që po përpiqen ta bëjnë ende një gjë të tillë”. Ndërsa titullari i degës së Fondacionit “Konrad Adenauer” në Tiranë, Dr. Ëillibold Frehner, në përshëndetjen e tij, ndër të tjera tha: “Rënia e Murit të Berlinit më 10 nëntor u pasua nga një sërë ndryshimesh të mëdha. Revolucion paqësor solli ndryshim, e jo vetëm për Gjermaninë por për mbarë komitentin. Në radhë të parë, ai solli ndryshme thelbësore për njerëzit, për popujt e Gjermanisë dhe të vendeve lindore”.
Ligjëratën e parë të seminarit e mbajti ministri i Brendshëm z. Lulzim Basha. “Në këtë aktivitet të rëndësishëm përkujtohet ngjarja më vendimtare për Shqipërinë dhe gjithë vendet e Europës, vendet ish-komuniste, rënia e Murit të Berlinit, theksoi ministri Basha. Kjo ngjarje e rëndësishme për të gjithë Europën dhe më gjerë u përjetua me një sentiment të madh edhe në Shqipërinë. Pavarësisht se Muri i Berlinit binte në Berlin dhe në vende të tjera në Europë shumëkush mendonte se ajo do të mbetej një kopsht i izoluar që fatmirësisht nuk ndodhi, pasi jo më shumë se një vit më vonë si shkak i protestave të studentëve shqiptarë të mbështetura fuqimisht nga intelektualët, Muri i Berlinit ra edhe në Tiranë, pluralizmi politik u jetësua dhe partitë politike shembën komunizmin, diktaturën dhe nisën rrugëtimin e Shqipërisë drejt aspiratës së vet europiane.
Sot, Shqipëria, vend anëtar i Nato-s, është një vend i cili së shpejti pret konfirmimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim të plotë në BE, pasi ka konfirmuar nga të 27 parlamentet e vendeve anëtare marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si kontrata e fundit e marrëveshjes para anëtarësimit përfundimtar të saj në këtë organizatë. Por ka mbetur akoma një nga kujtesat më të hidhura të Murit të Berlinit, e cila veçanërisht për qytetarët e Shqipërisë ka një domethënie, ajo e imobilitetit, liberalizimi i vizave, heqja e vizave midis vendeve të Ballkanit perëndimor në përgjithësi dhe Shqipërisë në veçanti. Dhe BE është tulla e fundit e këtij muri. Shpreh bindjen se ky proces, i cili politikisht ka mbështetjen e plotë të të gjitha vendeve të BE-së do t’i afrohet së shpejti fundit, pasi Shqipëria ka përmbushur në tërësi kriteret për liberalizimin e vizave dhe është në përmbyllje të këtij procesi. Me rënien e murit të vizave, qytetarët shqiptarë përfundimisht do të realizojnë atë ëndërr, e cila u bë lajtmotivi i jetës së tyre për liri dhe demokraci, ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Europa, t’i bëjmë shqiptarët të ndihen europianë, dinjitozë, duke lëvizur të lirë në Europën e bashkuar”. Me rënien e murit të vizave, qytetarët shqiptarë përfundimisht do të realizojnë atë ëndërr, e cila u bë lajtmotivi i jetës së tyre për liri dhe demokraci, ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Europa, t’i bëjmë shqiptarët të ndihen europianë, dinjitozë, duke lëvizur të lirë në Europën e bashkuar”, e përfundoi ligjëratën e vet, ministri Lulzim Basha.
I pranishëm në këtë seminar ishte edhe deputeti i Landit të Saksonisë, ish-ministri i Shtetit në qeverinë gjermane, z. Heinz Eggert, i cili solli përvojën e tij si një individ që për mëse 55 vjet të jetës, kishte qenë i detyruar të mbetej i izoluar në Gjermaninë Lindore dhe që ishte i detyruar të mbijetojë në atë sistem të keq komunist. Fjala e tij u përqendrua në rënien e Murit të Berlinit, shkatërrimin e diktaturave komuniste si dhe jetën shoqërore 20 vjet pas rënies së këtij muri, pasojat për Gjermaninë dhe Evropën. Rënia e këtij muri u ndihmua si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë Gjermanisë. “Të dyja palët si brenda kufijve ashtu edhe jashtë saj ishin të interesuara për ta rrëzuar këtë mur, sepse ishin krijuar kushtet që ai të binte, theksoi ministri Eggert. Ishte populli vetë që mundi të kryejë këtë akt, duke shfrytëzuar edhe krizën që sollën zgjedhjet lokale në Gjermani. Rënia e këtij muri tregoi edhe falsitetin e regjimit komunist. Muri u shemb nga brenda sepse kishte edhe njerëz të interesuar për rrëzimin e tij. Rol të madh në rrëzimin e këtij muri luajti edhe feja sikurse edhe mediat e huaja, të cilat influencuan shumë në ndërgjegjësimin e popullit dhe në revoltën e tij. Eshtë fakt se në gusht të vitit 1989 me mijëra vetë kapërcyen kufijtë për të ikur nga Gjermania Lindore duke u bërë kështu ambasadorët e parë të lindjes”. Më pas z. Eggert foli për demonstratat e para, për rolin e presidentit sovjetik Gorbaçov, për mbi 300 mijë ushtarët rusë në Berlinin Lindor, të cilët mbeteshin një pengesë serioze për bashkimin e Gjermanisë, foli gjithashtu edhe për atë nen të Kushtetutës që i mbronte gjermanët, qofshin këta edhe lindorë. “Sot, 20 vjet pas rënies, ka ende probleme”.
Përvojën dhe reflektimin që solli rrëzimi i Murit të Berlinit e përcolli edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, z. Gazmend Pulaj. “Kjo rënie mundësoi më në fund edhe kërkesën e shqiptarëve të Kosovës për liri e vetëvendosje, për një Kosovë të pavarur e të lirë. Ai regjim komunist mbante në këmbë jo vetëm diktaturën në Gjermani, por edhe mbështeste regjimin e Beogradit, kundër popullit kosovar”, theksoi ai.
Mbi rolin e ekonomisë në sistemin komunist, si një filozofi e dështuar, e mbajti ligjëratën e vet z. Petraq Milo, këshilltar i kryeministrit Berisha. “Komunizmi si strukturë socio-ekonomike dhe ideologji politike promovon themelimin e një shoqerie te barabarte, shoqëri pa klasa, të bazuar në pronësinë e përbashkët dhe kontrollin e mjeteve të prodhimit dhe pronës në përgjithësi. Karl Marks thekson se komunizmi do të jetë fazë përfundimtare në shoqërinë njerëzore, e cila do të arrihet nëpërmjet një revolucion proletar. Zbatimi i plotë i një ekonomie të centralizuar të planifikuar shoqerohet me vendosjen e kufizimeve në import / eksporti te mallrave dhe këmbyeshmërinë e parasë. Shteti pret që subjektet e saj të blejne mallra te prodhimit vendas dhe ne rastet e importit ato me të lira, mallra jashtë cilësisë superiore. Në mënyrë tipike, operacionet e import/eksportit në një ekonomi të planifikuar do të realizohen nga ndërmarrjet shtetërore nën kontrollin e komitetit të planifikimit qendror, duke mos mundesuar aftësinë e personave privat per ta realizuar ate. Në vitet e pasluftës, të gjitha vendet e Europës Lindore miratuan nje model të ngjashm me strategjinë e zhvillimit në vijim modeli sovjetik të industrializimit të përshpejtuar dhe të kolektivizimit të bujqësisë. Planifikuesit jane përpjekur për të zbatuar tepër norma të larta të rritjes ekonomike dhe për të arritur një shkallë relativisht të lartë të akumulimit. Planifikuesit kane synuar për një normë të rritjes më të lartë në industrinë e rëndë sesa norma e përgjithshme industriale dhe një normë të lartë te rritjes në industrinë e çelikut se ajo e industrisë së rëndë, si një e tërë. Në përgjigje, ne Poloni ishte e nevojshme për të zgjeruar nxjerrjen e qymyrit, bakri, dhe squfur, si dhe prodhimin e çelikut dhe materialeve të tjera bazë industriale, pa marrë parasysh shpenzimet e larta. Kjo qasje ka shpërfillur sektorët e tjerë ekonomik: bujqësi, infrastrukturë, strehim, shërbime, dhe mallrave të konsumit.”, përfundoi z. Milo.
“Rrëzimi i Murit të Berlinit ishte pa dyshim ngjarja më e madhe politike e gjysmëshekullit të dytë të shekullit XX. Jehonën e zhurmës së tij e dëgjuan të gjithë, tha në fjalën e tij ish-ministri i Kulturës dhe ish-deputeti Bujar Leskaj. Studimi i thellë i modelit të transformimit të kmobit gjerman, në nëj shtet të vetëm pas shmebjes së Murit të Belrinit, na jep ne shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës mësimin që të jemi të zotë, vijoi ai. Para nesh, 20 vjet pas rrëzimit të kitj muri dalin disa detyra të rëndësishme, por do të veçoja tri prej tyre: dhënien e dësmshpërlimit të plotë për çdo të përndjekur, pa asnjë dallim, thellimin e dekomunistizimit dhe futja ne rendin e dites te riparaqitjes së Ligjit të Lustracionit. Për 45 vjet Perdja e hekurt ka qenë vija ndarëse qendrore në evropë. Kjo vijë është zhvendoisur disa qindra km në lindje. Tashmë ajo është vija që ndan popujt e krishterë nga pçopujt muslimanë e ortodoksë nga ana tjetër. Perëndimi është e do të mbetet për vitet e ardhshme qytetërimi më i fuqishëm i ibotës. Shqipëria, natyrisht historikisht, kulturalisht e politikisht është e do të jetë Perëndim. Shqipëria dhe Kosova, pra kombi shqiptar është një komb i rreshtuar në pozicionin e vet natyral, në Perëndim në këtë botë të re ne disa fuqi të mëdha”, e përfundoi fjalën e tij z. Leskaj.
Më pas, seminari procedoi me diskutime të lira, të cilat u përqendruan kryesisht në domosdoshmërinë e thellimit të procesit të dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare, përmes largimit të ikonave të nomenklaturës komuniste nga institucionet e shtetit demokratik, por edhe përmes ngritjes së një institucioni të Kujtesës Historike.
...