Qeveria miraton funksionimin e qendrës institucionale, operacionale detare
Liberalizimi i vizave
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme vendimin për organizimin, strukturën dhe funksionimin e qendrës institucionale, operacionale detare, në bashkëveprim me institucionet shtetërore që kanë interesa në det.
Kryeministri u shpreh se ngritja e kësaj qendre dhe funksionimi i saj është një nga kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për liberalizmin e vizave. Kryeministri e vlerësoi këtë proces jo te thjeshtë, por te domosdoshëm në kuadrin e kontrollit të kufijve dhe të liberalizimit të vizave.
“Ky është një prej kushteve, një prej standardeve evropiane, pasi në asnjërin prej vendeve të lira të Evropës dhe botës nuk është ushtria ajo që kontrollon kufijtë, por janë rojet bregdetare, të cilat kanë funksionim dhe organizimin krejt tjetër, ato të cilat e kryejnë këtë detyrë”, tha Berisha.
Kryeministri shpjegoi se në rastin e Shqipërisë apo edhe të ndonjë vendi tjetër të BE, është bërë një zgjidhje e ndërmjetme, në mënyrë që procesi të mos ketë kosto të larta financiare.
“Po të krijojmë dy roje bregdetare, një për ushtrinë dhe një për Ministrinë e Brendshme është e kushtueshme. Për këtë qëllim është bërë zgjidhja që roja bregdetare që merrte ruajtjen kufirit do të ketë komandë civile dhe do të jetë nën drejtimin e përbashkët e ministrisë së Brendshme dhe forcave ushtarake. Kryeministri tha se ky model, i cili i përshtatet më së miri Shqipërisë, ka miratimin e plotë edhe të institucioneve përkatëse të BE”, deklaroi kryeministri.