Përvjetori, një muze tek Kolonat për Nënë Terezën
alma mileMuze, shtëpi në mbrojtje, memorialë, aktivitete... Të gjitha në 100-vjetorin e Nënë Terezës. Përvjetori i humanistes shqiptare ka vënë në lëvizje gjithë strukturat shtetërore. Ditë pas dite paraqiten projekte të reja, që kanë për qëllim nderimin e figurës së Nënë Terezës, madje duket sikur gjatë këtij viti do të lahen të gjitha “borxhet” ndaj gruas së madhe. Vetëm pak ditë më parë u fol për një memorial-qendër rinore, që do të ngrihej në krah të Akademisë së Arteve, për të cilin do të sakrifikoheshin edhe disa ndërtime që ngrihen mes Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Gardës së Republikës. Ndërsa dje, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në mbledhjen e Qeverisë, paraqiti të tjera projekte e grupe pune. U fol për një muze që do të ngrihet tek Kolonat, mes Rektoratit të UT-së dhe Muzeut Arkeologjik, për zhvendosje të shtatores së Nënë Terezës, në qendër të sheshit me të njëjtin emër. Kreu i Qeverisë theksoi se 100 vjetori i lindjes së Nënë Terezës nuk duhet të karakterizohet nga pompoziteti dhe madhështia, tipare që nuk kishin asgjë të përbashkët me shpirtin dhe karakterin e saj, megjithatë gjithë këto projekte flasin për të kundërtën. Në mbledhjen e djeshme nuk u bë e qartë nëse vendimi i dytë anulon të parin, apo do të vihen në jetë si projekti i miratuar nga grupi i punës me në krye zv/Ministrin e Turizmit, Nikoll Lesi, ashtu edhe ai i diskutuar dje. Nëse është kështu, atëherë qeveria duhet se do ta zgjidhë mirë qesen e parave. “Ky vit, për Shqipërinë dhe shqiptarët, do të jetë viti i Nënë Terezës. Këtë vit, gruaja që u shenjtërua për së gjalli dhe që ia doli që me misionin e saj të pushtojë zemrat e jo miliona, por miliardave njerëzve në planet e të shpallet nënë e mbarë njerëzimit, ka 100-vjetorin e lindjes së saj. Në të gjithë jetën e saj, Nënë Tereza u shqua për besimin e saj të jashtëzakonshëm tek Zoti, vlerat, dashuria dhe forca e saj transformuese, shpresa dhe forca e saj udhërrëfyese. Askush nuk i ka dhënë më shumë nder dhe dinjitet njeriut, sesa ajo, me veprimtarinë dhe virtytet e saj,” u shpreh Kryeministri dhe bëri të ditur se për organizimin e të gjitha nderimeve do të ngrihet një komitet, në përbërje të të cilit do të jenë personalitete të të gjitha fushave dhe do të kryesohet nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Sipas Berishës nga grupi i punës ka një ide që të ngrihet një muze për të paraqitur e njohur qytetarët shqiptarë dhe miqtë që vijnë në Shqipëri me jetën dhe veprën e Nënë Terezës. “Ka pasur mendime të ndryshme, por në tërësi predominon mendimi se nuk bëhet fjalë për ndonjë vepër gjigande, por për një muze që të shprehë të gjithë dhuntitë e shpirtit të saj. Hapësira midis Rektoratit dhe Muzeut Arkeologjik përbën një hapësirë mjaft të goditur për një muze, në proporcion me përmasat e sheshit. Në këtë projekt janë bërë punë dhe në dijeninë time janë ofruar arkitektë për të dhuruar projektin e këtij muzeu. Të shqyrtohet projekti, të bëhet oponenca dhe fillimi i punimeve duhet të arrihet në kuadrin e 100- vjetorit të ditëlindjes së saj”, tha Kryeministri, duke kërkuar që në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe autoritetet e qeverisë vendore të kryeqytetit, të procedohet për lirimin e kësaj hapësire. Në të vërtetë nuk është hera e parë që hapësira te Kolonat bëhet qendër diskutimesh. Edhe gjatë kohës së ministrit Ylli Pango, u fol për largimin e aktiviteteve private që veprojnë aty dhe të ndërtohet “teatri i kolonadave”. Megjithatë kjo ide mbeti vetëm në letër, pasi prej asaj kohe nuk u fol më për “teatrin e kolonadave”. Gjatë mbledhjes së djeshme, Berisha propozoi marrjen në mbrojtje nga shteti të banesave ku kanë jetuar familjarët e Nënë Terezës. “Në Tiranë ekziston shtëpia e një familjeje fisnike qytetare, familje e nderuar, në të cilën nëna dhe motra e Nënë Terezës kanë jetuar për një kohë të gjatë. Kjo shtëpi duhet të merret në mbrojtje nga Ministria e Kulturës. Fillimisht, duhet të përcaktohet si shtëpi e mbrojtur, më vonë mund të shqyrtohen edhe vendime të tjera. Po kështu, në Shkodër ekziston një shtëpi tjetër, ku i vëllai dhe motra e saj kanë jetuar. Gjithashtu, edhe kjo shtëpi duhet të merret në mbrojtje”, tha ai. Berisha kërkoi angazhim maksimal të të gjitha institucioneve përgjegjëse dhe rakordim të punëve edhe me Konferencën Episkopale dhe autoritetet e Republikës së Kosovës si dhe me ato të Republikës së Maqedonisë.