E Diel, 1 Nëntor 2026

Tifozët kuqezinj, sherr mes tyre në qendër të Tiranës

Ultras nga Kosova dhe Shkupi përleshen me njëri-tjetrin, ndërkohë tifo-grupi TKZ ankohet për sekuestrimin e koreografisë nga policia

Sikur të mos mjaftonin emocionet pozitive që të jepte pritshmëria për sfidën Shqipëri-Francë, në program në gjatë mbrëmjes së djeshme, do të duhej që tifozët kuqezinj të përlesheshin mes tyre. Ngjarja e turpshme ka ndodhur në lulishten përballë Piramidës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe ka parë të përfshihen në të dhjetëra tifozë, mbështetës të Shqipërisë. Kur duheshin vetëm pak orë nga nisja e ndeshjes, tifozët nga Kosova dhe nga Shkupi e kanë nisur debatin për motive banale, debat i cili degjeneroi në zënkë masive. Tifozët e acaruar nuk kanë ngurruar të godasin njëri-tjetrin me grushte, gurë apo edhe fishekzjarre. Ndërhyrja e policisë ka qenë e menjëhershme dhe ka shuar sherrin mes tifozërive. Mësohet se nga ky incident nuk ka asnjë të plagosur rëndë, ndërsa forcat e rendit kanë shoqëruar disa persona në komisariat.

TKZ, protestë për sekuestrimin e koreografisë

Por ka pasur edhe një tjetër lloj proteste. Kësaj radhe nuk janë më tifo-grupet shqiptare që përfshihen në zënka me njëri-tjetrin, por TKZ (Tifozat Kuq e Zi), që në një notë proteste, ankohen për sekuestrimin e koreografisë së tyre nga forcat e rendit. “Për shkak të një videoklipi për këngen e kombëtares, kemi bërë koreografine me foton e Shqipërisë. Ditën e ndeshjes do të rregjistrohet videoklipi i këngës së tifozave dhe pamjet filmike janë shumë të rëndesishme për ne, për shkak te numrit të madh të anëtareve tanë (1000 persona) dhe koreografise. Pa asnjë shpjegim nga ana e Policisë së Shtetit, kjo koreografi po bllokohet që të hapet ne stadium. I kujtojmë policisë së shtetit se në stadiumet shqiptare po hapen koreografi dhe flamuj të të ashtuquajturit vorio-epir dhe ajo nuk reagon me bllokime, po ashtu ndodhi në ndeshjen e luajtur në Shkodër ndaj Malit të Zi ku u hap parrulla: “Shkodra është Mal i Zi”, në sheshet tona po ngrihet flamuri dhe buste grek dhe serb, dhe prapë asnjë reagim nga policia e shtetit. Rasti më i fundit, është vizita e delegacionit grek në takim me policinë shqiptare, ku nuk pati asnjë lloj reagimi ndaj shqiptarëve të kthyer në kufi. Policia tregon “forcen” e vet ndaj një cope, ndaj një koreografie, ndaj një grupi djemsh që përkrahin veçse kombëtaren dhe ngjyrat Kuq e Zi,” shkruhet ndër të tjera në komunikatën e Tifozave Kuq e Zi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›