Përvoja, një kusht që i paraprin energjisë rinore
Nga Andrea Çupo
Në praktikën politike shqiptare në këto 18 vite ka mbizotëruar kryesisht vendosja e të rinjve në nivele të larta të drejtimit të shtetit, të qeverisjes dhe të politikës. Kjo edhe për arsyen se “të vjetrit” mbartin më shumë njolla dhe mendësi të së kaluarës totalitare, ndërsa të rinjtë, duke mos qenë asnjëherë në pushtet, mendojnë se do t’i rezistonin presionit dhe korrupsionit. Duket se kjo praktikë po rezulton të jetë e gabuar dhe ka sjellë zhgënjim në opinionin publik. Faktet po tregojnë gjithnjë e më shumë se rinia po ndjek modele të gabuara për arritjen e suksesit. Ajo vijon të kërkojë me ngulm sigurimin e diplomave në rrugë të pandershme e pa iu nënshtruar formimit real akademik, deri duke e blerë atë. Po profesione të tilla, si gjykatë, prokurori, shkenca politike etj. lakmohen, si dhe postet vendimmarrëse e fitimprurëse në nivelet e larta të administratës së shtetit dhe politikës, fill mbas mbarimit të studimeve.
Qëllimi duket se është se si të ngjiten në majat e pushtetit dhe të pasurohen brenda natës, ndryshe nga praktika dhe modeli i zhvillimit në Perëndim, ku suksesi dhe paratë fitohen gradualisht me shumë mund dhe djersë, nëpërmjet punës së ligjshme. Ky fenomen i kthyer në vite është bërë një precedent dhe rrezik serioz për të ardhmen e vendit.
Politika edhe nga të rinjtë vlerësohet gjithnjë e më shumë si biznesi më fitimprurës pa vështirësi, pa taksa e tatime dhe jo si marrje dhe mbajtje e përgjegjësive për zhvillimin e vendit.
Duhet nënvizuar se njerëzit nga natyra ndjekin të gjithë të njëjtin qellim: lavdinë, pushtetin dhe pasurinë. Është teknologjia moderne institucionale ajo që frenon, minimizon dhe e rregullon këtë dukuri njerëzore. Gjithashtu, analiza historike mëson se po ke prekur qoftë edhe një herë kënaqësinë dehëse të pushtetit dhe të të urdhëruarit, nuk je më në gjendje të heqësh dorë prej tij. Është kjo arsyeja që shumë të rinj, fill pas mbarimit të studimeve, pasi kanë marrë dhe provuar poste të larta, nuk pranojnë të marrin më vonë detyra të larta. Kur pushteti merret apo jepet në moshë të re, përvoja ka treguar se ka qenë me pasoja për shoqërinë.
Maksima e vjetër që nxënësit të bëhen më të ditur dhe më të zotë se mësuesi është dialektike. Por kjo nuk ndodh me të gjithë nxënësit dhe ndodh atëherë kur ai të ketë arritur përvojën, pjekurinë dhe moshën e mësuesit.
Ajo që duhet nënvizuar dhe duhet realizuar është, dhënia e stafetës brezit të ri në mënyrë të natyrshme dhe harmonike e jo me luftë të egër përjashtuese brezash siç ka ndodhur këto 18 vite. Rinia po keqpërdoret duke u joshur me pushtet nga pjesa dinake e brezit të vjetër. Le të paraqesim disa fakte dhe të bëjmë arsyetime për objektin në fjalë.
Në kohen e qeverisjes së majtë kanë qarkulluar në poste ministrore rreth 160 ministra në qeveritë e ndërtuara me nga 17 deri në 21 anëtarë; kuptohet, për të kënaqur edhe orekset. Është eksperimentuar në qeverisjen e vendit me kryeministra, ministra me moshë nga 27-30 vjeç, të cilët nuk kanë pasur asnjë përvojë në organizimin dhe drejtimin e institucioneve të shtetit apo institucione të tjera.
Problemi është shumë i verifikueshëm, mjafton të kuptojmë Majkon, Metën, Ramën, Blushin, që nga studentë, pa punuar asnjë ditë, pa librezë pune, pa përvojë, u bënë kryeministra. Në poste vendimmarrëse dhe fitimprurëse të nivelit të drejtorit të përgjithshëm, të zv.ministrit, sekretarit të përgjithshëm dhe në pozicione të barasvlershme me to janë emëruar kryesisht të rinj e të reja 25-28-vjeçare, kryesisht të rinj pa përvojë, pse jo, dhe të papërgjegjshëm me formimin e nivel të ulët profesional e drejtues. Duhet nënvizuar se s’ka gjë më shkatërruese se injoranca në veprim në pushtet. Kjo praktikë, jo vetëm rezulton e gabuar, por ka krijuar shumë probleme shumë serioze në funksionimin e administratës publike. Do të preferoj edhe një ministër 20 vjeç, por me kusht që të kishte 20 vjet përvojë të suksesshme, mëson urtësia perëndimore. Por, të vijojmë arsyetimin dhe argumentin rreth problemit. A është mosha kriter në karrierë?
Përvoja dhe mosha në një karrierë intensive ecin bashkë dhe duhet nënvizuar se janë kriter i rëndësishëm të sanksionuara edhe me ligj.
Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë është e sanksionuar që Presidenti i Republikës zgjidhet vetëm shtetasi që midis tjerash ka mbushur moshën 40 vjeç. Edhe në Kushtetutën e SHBA-së përcaktohet që President (shefi ekzekutiv) zgjidhet shtetasi që ka mbushur moshën 40 vjeç. Si rregull i përgjithshëm, një i ri mbaron studimet në arsimin e lartë, kur ka mbushur moshën 22 vjeç, kur arrin pjekurinë zgjeron interesat idetë dhe karakterizohet nga pasioni për një fushë që dëshiron. Pra, njeriu nga ana psikologjike, formimi intelektual kalon në disa periudha. Një i ri nuk është i gatshëm nga ana e formimit të përgjithshëm të marrë edhe të mbajë përgjegjësi për nivelet e larta të drejtimit pa kaluar shkallë-shkallë, hap pas hapi, duke fituar përvojë në procesin intensiv të punës, duke nënvizuar se njeriu zakonisht në moshën 39-40 vjeç ka aftësi intelektuale dhe vendimmarrëse relativisht më të larta. Nëse do të përfytyronim një të ri që mbaron arsimin e lartë në moshën 22 vjeç dhe me pasion do të synonte nivelet e larta drejtuese do t’i duhej të kalonte nga pozicioni nëpunësit, niveli ekzekutues (specialist) në nivelet e larta drejtues, në pozicionet sekretar i përgjithshëm, drejtor departamenti, drejtor i përgjithshëm e pozicione të barasvlershme me të paktën pas 17 deri 21 vjeç kohë pune të strukturës, duke kaluar 9 pozicione në katër klasa: me nivele zbatuese, nivele të ulëta, niveli i mesëm, nivel i lartë. Pra, do t’i takonte që në moshën 39-43 vjeç të merrte detyra në nivelin e lartë drejtues. Ligji i statusit nëpunësit civil i vitit 1999 është i vlefshëm dhe përcakton katër klasat e nivelit të nëpunësit të lartpërmendur, por niveli i nëpunësit të lartpërmendur nuk përcakton kohën që duhet të plotësojë specialisti për t’u klasifikuar në nivelin e mesëm drejtues dhe kohën që duhet të plotësojë që të që të klasifikohet në nivelin e lartë drejtues.
Është e domosdoshme që në ligj të përcaktohet edhe koha e qëndrimit të nëpunësit në çdo nivel dhe afatet kur i lind dhe e drejta që të aplikojë për një pozicion më të lartë.
Në strukturat e Policisë së Shtetit me ligjin e vitit 2007 janë përcaktuar 4 nivelet e karrierës për punonjësit e policisë. Sipas tij, punonjësit të policisë të nivelit zbatues, që të arrijë nivelin e lartë drejtuese do t’i duhen 21 vjet karrierë e suksesshme që përkon kur të ketë mbushur moshën 40 vjeç.
Edhe në strukturat e Forcave të Armatosura, karriera, nga niveli i ulët në nivelin madhor është zgjidhur me ligj. Në ato tashmë nuk ndodh që ushtaraku të bëhet gjeneral në moshën 30-vjeçare. Që të bëhen gjëra të mëdha, duhet gjithmonë të djersitemi me gjëra të vogla. “Zoti ndodhet te holluesit”, - nënvizon Rudolph W. Giuliani në librin e tij “Udhëheqja”. Si përfundim, mendoj që mosha mund të duket një hollësi, por është e rëndësishme, e pashmangshme në veprimtarinë njerëzore.
Argumentet e prezantuara të çojnë në arsyetimin se duhen përcaktuar me akte ligjore e nënligjore që Kryeministri, ministrat, kryetari, zv.kryetari i Parlamentit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryetari i KLSH-së, funksione të tjera të përafërta e të barasvlershme me to mund të emërohen apo të zgjidhen kur kanë mbushur moshën 40 vjeç dhe të plotësojnë standardet.
Gjithashtu, është e domosdoshme që në aktet ligjore dhe nënligjore të përcaktohet koha e qëndrimit të nëpunësit në çdo nivel dhe afatet kur i lind e drejta të aplikojë për një pozicion më të lartë. Mendoj që nëpunësi ekzekutues (specialisti) për të arritur nivelet e larta drejtuese, funksionet zv.ministër, sekretar i përgjithshëm, drejtor departamenti, drejtori i përgjithshëm dhe funksione të barasvlershme me to, duhet të paktën të ketë 17 deri në 21 vjet përvojë dhe karrierë të suksesshme.
Gjithmonë për të kuptuar dhe zbatuar një ide progresive, duhet vlerësuar çfarë thuhet dhe jo kush e thotë.
*Pedagog në UU “Skënderbej”, Tiranë