E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia, Frroku: Ia raportova Klosit çfarë dija rreth shoqërimeve në Vain



Një punonjës aktual i SHISH-it, dikur ish-drejtori i godinës në Vain të Lezhës, ka dëshmuar dje para togave të zeza mbi gjithçka dinte rreth ngjarjeve të ndodhura në vendin që drejtonte. Mark Frroku rrëfeu dje se në ato ambiente, gjatë periudhës kohore 1990-1997 kur ai ishte emëruar, ishin kryer torturime dhe shoqërime të ndryshme. “Kur jam emëruar drejtor në Vain të Lezhës, e kam gjetur godinën të djegur. Nuk kam bërë asnjë ndryshim në staf. Aty gjeta katër roje, rojën përgjegjës dhe një kuzhiniere. Në shenjë mirënjohjeje që nuk i largova nga puna, kam pasur një afrimitet me punonjësit. Gjatë bisedave të lirshme me ta, kam mësuar se nga kryeqyteti vinin shumë persona. Një prej rojeve, Viktor Sokoli, më është shprehur se sillnin persona që i keqtrajtonin edhe fizikisht, të cilët i fusnin në bagazhet e automjeteve”, - deklaroi para gjykatës dëshmitari Frroku. Më tej në deklarimet e tij, ai rrëfeu se për të gjitha këto biseda, të cilat nuk kishin qenë të regjistruara por ishin vetëm verbale, kishte vënë në dijeni Fatos Klosin, i cili i kishte dhënë urdhër që të pyeste edhe rojet e tjerë. “Tre rojet e tjerë ishin të pozicionuar në deklarimin se nuk kishin asnjë dijeni për atë që kishte ndodhur. Pas urdhrit nuk mësova asnjë më shumë”, - shtoi më tej dëshmitari. Ai theksoi se nuk kishte pasur asgjë të shkruar në lidhje me këto detaje të marra nga vartësi i tij. I pyetur nga prokuroria nëse e njihte apo jo shtetasin Ziso Kristopuli, dëshmitari ka shpjeguar se “emrin e tij e kisha dëgjuar më parë, por në vitin 1998 ai ishte paraqitur në Vain të Lezhës i shoqëruar nga disa persona, ku edhe e kam takuar. Ardhja e tij ishte identifikimi i vilës së Vainit, në të cilën Ziso ishte marrë dhe ishte sjellë nga ish-punonjësit e SHIK-ut. Mbaj mend që ai e identifikoi vendin në sajë të burimit dhe të oxhakut”. Dëshmitari u shpreh se Ziso kishte deklaruar se ishte sjellë në mënyrë të fshehtë në vilë, si dhe mbi të ishte ushtruar dhunë psikologjike. Tre ditë pasi ishte lënë i lirë, sipas dëshmitarit, Ziso kishte shpjeguar se kishte shkuar tek vajza e tij, e cila jetonte në Qytetin Studenti, së cilës i kishte thënë edhe çfarë kishte ndodhur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›