E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përzgjidhen kandidatët

Këshilli Profesional i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka propozuar për përzgjedhës të përfaqësueses së Kosovës Arben Krasniqin, Agim Kasapollin dhe Bujar Locin. Dy të fundit janë të pavendosur nëse do të kandidojnë apo jo për këtë post. Nga Moral Pozhegu më 13 janar 2011 në ora 12:08

Këshilli Profesional (KP) i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), me në krye Masar Nixhën, në mbledhjen e vet të mbajtur të mërkurën ka propozuar treshen Agim Kasapolli, Arben Krasniqin (trajner i Sigal Prishtinës) e Bujar Locin (trajner i Pejës) për përzgjedhës të përfaqësueses së Kosovës.

Sipas KP të FBK-së, të gjithë të propozuarit janë të obliguar që deri më 17 janar në orën 12 ta paraqesin plan-programin njëvjeçar të punës dhe ta dorëzonjë në zyrat e FBK-së. Trajnerët pejanë, Kasapolli dhe Loci, nuk janë të vendosur nëse do të kandidojnë apo jo, ndërsa, si zakonisht, ka qenë e pamundur të kontaktohet me trajnerin prishtinas Krasniqi.

“Të shohim. Për mua s’ka pasur nevojë fare që të shpallet kjo kandidaturë. Unë e kam kryer punën si duhet dhe nuk shoh arsye për ndonjë ndryshim”, u shpreh Kasapolli.

Me qëndrim të njëjtë mbetet edhe ish përzgjedhësi Loci. “Unë mendoj se e kam dhënë kontributin tim për përfaqësuesen. Kemi dalë për herë të parë për të luajtur jashtë dhe kemi shënuar fitore të rëndësishme ndaj Egjiptit e Rumanisë. Më nevojitet kohë e gjatë të mendoj nëse do të kandidoj sërish, pasi kam obligime ndaj klubit tim aktual dhe kam punë të tjera. Duhet të specifikohen shumë gjëra nga FBK. Për shembull, në çfarë ndeshjeje do të marrësh pjesë në këtë periudhë njëvjeçare, çfarë aktivitete do të mbahen, etj”, theksoi Loci.

Të tre trajnerët e kandiduar kanë qenë përzgjedhës të Kosovës në të kaluarën. Burime të Express tregojnë se Arben Krasniqi shihet si favorit për ta fituar këtë garë. Ndërkohë, për kategorinë e senioreve – vajza, Këshilli Profesional ka propozuar Resmije Junikun (përzgjedhëse aktuale) dhe Fabian Xhukën (trajner i KB Penza).

KP i FBK-së ka propozuar edhe përzgjedhësit për kategori të reja: për kategorinë e juniorëve (U-18 meshkuj) propozohen: Bujar Begu, Albert Sylejmani e Tahir Murati. Për kategorinë e kadetëve (U-16 meshkuj) propozohen: Ilir Selmani, Ibrahim Karabeg e Petrit Zeqiri. Për kategorinë e pionierëve (U-14 – meshkuj) propozohen: Edon Godeni, Arianit Morina e Artan Mehmeti. Për kategorinë e kadeteve (U-16 – vajza) propozohen: Agron Çeku e Pal Syla. Për kategorinë e pioniereve (U-14 – vajza) propozohen: Elvira Dushku e Rrahman Kurti.

Sipas KP të FBK-së, kandidati i propozuar i cili nuk e dorëzon plan-programin deri në kohën e lartcekur do të llogaritet që heq dorë nga kandidatura.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›