Nuk ngutet
Njazi Kuqi vazhdon të jetë futbollist ilirë. Sulmuesi kosovar nuk po ngutet të gjejë klub, edhe pse kanë mbetur vetëm dy javë deri në mbylljen e afatit kalimtar të janarit.
Kosovari me pasaportë finlandeze ka disa oferta, por nuk dëshiron të nënshkruajë para se të mendojë mirë. Ai nuk dëshiron ta përsërisë gabimin e bërë gjatë verës së vitit 2010, kur nënshkroi me klubit skocez Dundee.
Vetëm disa javë pasi ishte transferuar te ekipi i ligës së dytë skoceze, 27 vjeçari ishte liruar nga klubi së bashku me tetë futbollistë të tjerë pasi Dundee falimentoi për shkak të borxheve të mëdha.
“Nuk dëshiroj të ngutem kësaj radhe dhe të gjej klub. Kur kam zgjedhur Dundeen jam ngutur pak, por tani nuk dëshiroj të ngutem dhe të vendos për të ardhmen”, ka thënë Kuqi për Express.
Ish sulmuesi i klubit anglez Birmingham City ka disa opsione për ta vazhduar karrierën si në Angli, Gjermania, Polonia, Holanda. Por, jo vetëm kaq. Interesim për Kuqin kanë shprehur edhe klube nga Katari.
“Ka klube të interesuara nga liga e dytë dhe e tretë angleze po ashtu edhe nga Bundesliga 2. Nga Holanda, Polonia dhe Katari klubet e interesuara janë nga liga e parë. Por, do pres se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme”, ka theksuar Kuqi.
Reprezentuesi finlandez pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në futbollit anglez dhe atë gjerman. Ai preferon që karrierën ta vazhdojë pikërisht në njërin nga këto vende, derisa synon ta gjejë një klub ku ka perspektivë.
Destinacioni i mundshëm i Kuqit mund të jetë edhe skuadra nga Bundesliga 2, Karlsruhe. Këtë klub e drejton trajner gjerman Uwe Rapolder, i cili kishte punuar me 27 vjeçari te skuadra Tus Koblenz për dy sezone me radhë.
“Karlsruhe është njëra nga skuadrat e interesuara. Ata kanë nevojë për sulmues dhe emri im është në listën e tyre. Me Uwe Rapolder kam raporte shumë të mira, por transferimi im në këtë klub nuk varet krejt nga ai”, ka përfunduar sulmuesi vushtrrias.