E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përzihen ujërat e bardha me të zeza, helmohen 102 veta

11/05/2010 Skandal në Ballsh, në rubinetet mbërriti ujë me fekale. Nisen urgjent drejt Fierit

Policia ndalon disa punonjës të ujësjellësit, 12 pacientë në gjendje të rëndë

BALLSH - Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut të Fierit pohuan pasditen e djeshme për mediet se rreth 102 qytetarë të Ballshit janë helmuar, pasi kanë konsumuar ujin e pijshëm në rubinetet e banesave të tyre, ndër të cilët 12 janë shumë rëndë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20 e 30 minuta të mbrëmjes të së hënës. Menjëherë pasi ata janë paraqitur në spitalin e qytetit janë dërguar për në spitalin rajonal të Fierit. Sipas burimeve policore fierake, mësohet se pas marrjes vesh të lajmit komisariati i policisë së Mallakastrës ka filluar nga puna, duke bllokuar depot e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit. Ata kanë njoftuar drejtorin e ndërmarrjes së ujësjellësit, si dhe kanë shoqëruar rojat dhe disa punonjës për në komisariatin e policisë. Një grup ekspertësh policorë kanë shkuar nëpër depot e ujësjellësit që furnizon qytetin dhe kanë marrë kampione për analiza. Drejtoria e policisë së qarkut të Fierit nga ana e saj është vënë në lëvizje, duke njoftuar spitalin rajonal të Fierit që të krijojë ambiente e shtretër bosh, si dhe të jenë në dispozicion të tyre disa ekipe mjekësh për t’u ardhur në ndihmë. Pacientët që do të jenë më rëndë do të nisen drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës.

Forca policore janë vënë në dispozicion në spitalin e Fierit. Ata do të marrin në pyetje banorët e helmuar për të zbardhur ngjarjen. Të tjera forca e mjete policore janë vënë në lëvizje për transportin e të helmuarve, si dhe për të zhbllokuar qarkullimin rrugor, pasi distanca Fier–Ballsh është 25 kilometra. Burime policore pohuan se në spitalin e qytetit të Ballshit janë regjistruar 102 qytetarë që kanë pasur simptoma helmimi, 12 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Sipas burimeve nga drejtoria e policisë së qarkut të Fierit dhe zëdhënëses së saj Valbona Meço, autoambulanca të spitaleve fqinj dhe automjete policie po bëjnë rrugën nga Fieri në Ballsh për të marrë pacientët e Ballshit dhe për t’i shtruar në katin e tretë dhe të katërt të spitalit rajonal të Fierit për një mjekim më të specializuar. Sipas këtij burimi, kanë ardhur gjithashtu edhe specialistë të higjienës dhe Ministrisë së Shëndetësisë për të mësuar rreth shkaqeve të ngjarjes. Ndërkohë drejtorja e spitalit deri në orët e vona të mbrëmjes së ditës së hënë Donika Alushani pohoi se kanë mbërritur 20 rastet e para të këtij helmimi masiv dhe se janë shtruar në repartin e patologjisë dhe infektivit të Spitalit rajonal të Fierit. Ne i kemi marrë masat me medikamente dhe shtretër”, - ka thënë Alushani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›