E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oborret në përdorim, ja procedurat e blerjes

11/05/2010 Aplikuesit kanë mundësi ta blejnë ose ta marrin falas. Vendimi për paratë nga AKKP-ja

Aplikuesit që duan të marrin pronësinë për oborret në përdorim mund ta fitojnë këtë të drejtë kundrejt pagesës së vlerës së truallit ose falas, por kjo vendoset vetëm pas shqyrtimit të dosjes së aplikuesit nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Pas verifikimit të të gjitha dokumenteve dhe kushteve ligjore, zyra EAKKP-së njofton kërkuesin, sipas rastit për të drejtën e tjetërsimit me shpërblim dhe detyrimin për të paguar brenda 30 ditëve, për llogari të AKKP-së, për fondin e kompensimit financiar, çmimin e tjetërsimit, duke i treguar edhe numrin e llogarisë. Ky njoftim përmban një paraqitje të kufijve, të sipërfaqes në m2 dhe të vendndodhjes së oborrit në përdorim, të shoqëruar me planimetrinë përkatëse. Por njoftimi mund të jetë edhe për dhënien e të drejtës së tjetërsimit pa kundërshpërblim, duke i treguar kërkuesit kufijtë, sipërfaqen në m2 dhe vendndodhjen e oborrit në përdorim, shoqëruar me planvendosjen përkatëse. Ndërkohë në respektim të vendimit për dhënien në pronësi të oborreve në përdorim aplikuesi do të njoftohet edhe për mospranimin e kërkesës për tjetërsim, duke arsyetuar, me shkrim, në mënyrë të hollësishme kushtet që nuk plotësohen apo provohen. Kërkuesi me marrjen e njoftimit për të drejtën e tjetërsimit me shpërblim paguan në numrin e llogarisë së caktuar nga AKKP-ja, për llogari të fondit të kompensimit të pronave kundërvlerën në lekë të sipërfaqes që do të tjetërsohet në pronësi të tij. Kjo pagesë bëhet jo më vonë se 30 ditë nga data e marrjes së njoftimit prej AKKP-së. Shkelja e këtij afati përbën shkak për mospranimin, nga AKKP-ja të kërkesës për tjetërsim. Pas kësaj etape, drejtori i përgjithshëm i AKKP-së vendos kalimin e pronësisë së oborrit në përdorim brenda 10 ditëve nga data e mbërritjes së mandatit, që vërteton pagimin e vlerës, në rastin e tjetërsimit me kundërshpërblim. Ndërkohë e njëjta procedurë dhe afat zbatohet edhe për kërkuesit për të drejtën e tjetërsimit për oborrin e kërkuar pa paguar asnjë lloj detyrimi financiar për këtë procedurë. Ndërkohë që vendimi i Drejtorit të Përgjithshëm i njoftohet kërkuesit dhe ZRPP-së për regjistrim ku më pas përfituesi do të marrë certifikatën e pronësisë për sipërfaqen që i është njohur nga AKKP-ja.

Dokumentet

Qytetarët që kërkojnë të hipotekojnë oborret përveç kërkesës dhe formularit tip që duhet të dorëzojnë në zyrën e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave duhet të kenë edhe një sërë dokumentesh me të cilët faktojnë pronësinë e truallit që duan të hipotekojnë.

Kufijtë

Saktësimi i kufijve kryhet nëpërmjet matjeve në terren, nëse dokumentacioni teknik ligjor i paraqitur nga kërkuesi, nuk i përmban kufijtë, ose nëse nga krahasimi i dokumentacionit të paraqitur me rezultatet e inspektimit në terren ka mospërputhje.

Procedurat

Sipas vendimit të qeverisë, ata persona që kanë shtëpi private të ndërtuara para viteve 90, por oborrin e kanë në përdorim dhe jo të hipotekuar, duhet të aplikojnë në zyrat Agjencisë së Kthimit Kompensimit të Pronave për të nisur procedurat.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›