E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë deputetët: PS, zbulohet grupi i punës për Presidentin e ri

Rama zgjedh Ruçin, Bushatin, Gjiknurin, Tahirin dhe Braçen.
Kreu i PS njofton deputetët se do përpunohet platforma për President konsensual.

Kreu socialist, Edi Rama, u tregoi dje deputetëve të Grupit Parlamentar strategjinë e PS-së për Presidentin e ri. Rama, gjatë mbledhjes së parë me Grupin Parlamentar për vitin 2012 u shpreh se është ngritur një grup pune për këtë qëllim dhe kërkoi që të gjithë deputetët të jenë në një linjë me faktin se ky grup nuk ka asnjë të ngjarë me procesin e përzgjedhjes së Avokatit të Popullit. Të jemi të tërë në unison dhe të japim të njëjtin mesazh, që të mos i japim hapësira mediave të keqinterpretojnë deklaratat tona. Është ngritur një grup pune, që do të paraqesë një platformë apo një staturë se si duhet të jetë Presidenti konsensual sipas konceptit tonë. Nuk bëhet fjalë për individë të veçantë, por për ndërtimin e një procesi që do të çojë në përcaktimin e profilit të Presidentit të ri, mësohet të ketë thënë Rama para deputetëve. Kryesocialisti ka cituar dhe deputetët pjesëmarrës në këtë grup. Kreu i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi dhe deputetët Ditmir Bushati, Sajmir Tahiri, Damian Gjiknuri dhe Erjon Braçe janë emrat e përzgjedhur nga kreu socialist për të hartuar platformën, për të cilën Rama nuk dha asnjë sqarim të mëtejshëm para Grupit Parlamentar. Kjo është hera e parë që kreu socialist shprehu opinionin e tij para deputetëve, por jo para medias, që prej nisjes së debatit për interpretimin e nenit 87 të Kushtetutës. Më parë, Rama ishte shprehur se Presidenti i ri duhet të jetë konsensual, duke i kërkuar maxhorancës të mos e interpretojë nenin kushtetues nga ana formale. Por, dje kreu socialist zbuloi dhe strategjinë që ka hartuar PS-ja për të paraqitur një profil konsensual të Presidentit të ri, i cili ndoshta edhe me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar do të detyrojë maxhorancën të pranojë një proces përzgjedhës bashkë me Partinë Socialiste.
Homazhet
Kreu socialist ka kërkuar nga deputetët socialistë të fokusohen në tri aktivitete të konsideruara shumë të rëndësishme për socialistët. Rama u ka kërkuar deputetëve, që bashkë me të rinjtë e zonave të cilat i kanë në patronazh, të jenë aktivë më 15 janar, në 20-vjetorin e krijimit të Forumit Rinor Eurosocialist dhe në aktivitetet e parashikuara këtë ditë. Po ashtu, kreu socialist ka njohur deputetët edhe me filozofinë e përkujtimit të 21 janarit dhe viktimave të tij. Rama është shprehur se nuk do të zhvillohen protesta, por një ceremoni përkujtimore, homazh në bulevard për të ndezur qirinj dhe vendosur lule në vendet ku humbën jetën katër viktimat e protestës së asaj dite. Më pas, sipas tij, do të zhvillohet një takim përkujtimor në Universitetin e Arteve me familjarët dhe protagonistët e protestës së 21 janarit, ndërsa aktivitete do të zhvillohen dhe në njësitë vendore ku banonin viktimat. Kreu socialist u ka kërkuar deputetëve të mbështesin dhe aksionin e mbledhjes së firmave për referendumin për importin e plehrave, aksion që po ndërmerret nga Aksioni qytetar kundër importit të plehrave. Ashtu siç kërkoi dhe nga kryetarët e PS-së në rrethe, por dhe kryetarëve të bashkive që drejtohen nga PS-ja, kreu socialist e cilësoi këtë aksion vazhdimin e kundërshtimit që Grupi Parlamentar i PS-së i bëri këtij ligji në Parlament, duke kërkuar rrëzimin e tij. Gjatë mbledhjes së djeshme, bashkëkryetari i Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka njohur deputetët me ecurinë e punës së këtij komisioni. Mësohet se ai ka përshkruar disa momente nga puna e komisionit dhe përcaktimi i prioriteteve që ekspertët e të dy palëve në këtë komision kanë vendosur e mbi të cilat do të punojnë anëtarët e këtij komisioni.

Programi i ri
Kreu socialist tha dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar se programi i PS do ta nxjerrë ekonominë nga rrënimi. Për ne socialistët ky vit kaq simbolik është viti i rrugës së programit tonë të ri Për një Rilindje Shqiptare, për të rimëkëmbur ekonominë, për të ripërtërirë shoqërinë, rivendosur demokracinë dhe ribashkuar Shqipërinë me Europën. Sot shqiptarët duan të dinë prej nesh, jo ato që tanimë i dinë edhe më mirë se ne, për keqqeverisjen e Saliut që e kanë në kurriz, po si do tua rimëkëmbim ne ekonominë, u shpreh Rama.

Rama: Rishikim të sistemit edhe duke ndryshuar Kushtetutën
Nuk bllokojmë marrëveshjen, por duam reformë zgjedhore brenda afatit

Kreu socialist tha dje gjatë fjalës së tij para Grupit Parlamentar se nuk do të bllokojë marrëveshjen me maxhorancën, por kërkoi që të respektohen afatet e përcaktuara për reformat. Rama u shpreh i hapur edhe për prekje të Kushtetutës për të rregulluar sistemin zgjedhor. Mos kini asnjë merak se mund të prishim marrëveshjen me ju, sepse ne marrëveshjen se kemi me ju, por me shqiptarët që duan Shqipërinë europiane. Do vazhdojmë të punojmë intensivisht edhe për miratimin në kohën e parashikuar, por me cilësi, të ligjeve që kërkojnë 3/5-tat e votave të Parlamentit. Draftet e përgatitura nga qeveria, kryesisht korrigjime të nxituara të ligjeve ekzistuese, janë si batanije të vjetra ushtarake të mbushura me arna. Duam një reformë zgjedhore brenda afatit të përcaktuar. Duam një reformë zgjedhore që të adresojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për të zgjidhur problemin e vjetër të vërtetësisë e të transparencës së listave zgjedhore, që të mos manipulohet më me to. Problemin e numërimit të votave, që të mos përsëriten më shfaqjet e shëmtuara të numërimeve maratonë. Problemin e administratës zgjedhore që procesi i komisionimit të zgjedhjeve të mos jetë më monopol i dy partive të mëdha dhe që KQZ-ja të mos jetë më bandë qeveritare. Por duam edhe një reformë zgjedhore që të adresojë domosdoshmërinë e rishikimit të sistemit, qoftë duke e prekur, qoftë duke mos e prekur Kushtetutën e vendit. Me rishikim të sistemit nuk nënkuptojmë ndryshimin, por përmirësimin e tij në funksion të një demokracie më përfaqësuese të mozaikut politik të vendit dhe pikërisht për këtë arsye kemi qenë, jemi dhe do të jemi të njëzëshëm si koalicion opozitar në këmbënguljen tonë në këtë drejtim, u shpreh Rama.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›