E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Viti 2011, arritje në sektorin e komunikimeve elektronike

TIRANË – “Viti 2011 ka shënuar arritje të mëdha në sektorin e komunikimeve elektronike”, tha të shtunën Genc Pollo, ministër i Inovacionit, Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit.

Duke analizuar ecurinë e punës së ministrisë që ai drejton, Pollo tha se "si pasojë e numrit të operatorëve, të masave rregullatore për tarifimin me shumicë dhe portabilitetit të numrit për telefoninë celulare, është rritur konkurrenca midis operatorëve celularë, janë ulur çmimet në përgjithësi, si dhe janë rritur mundësitë e zgjedhjeve për përdoruesit, përmes paketave të shërbimeve të ofruara nga operatorët, në kushtet e konkurrencës".
Sot, vijoi ai, "gjithkush mund të flasë me gjithkënd, madje sa gjatë të dojë, pasi çmimet kanë bërë pikiatë, krahasuar jo me 10, por edhe me 4 vjet më parë". Pollo bëri të ditur se "vetëm këtë vit çmimet, jo thjesht e paketave, por edhe çmimet e të gjithë abonentëve me kontratë, sipas shërbimeve, janë ulur nga 18 % deri në 57%.”

Tani, shtoi ai, “përmes shërbimit 3G ofrohet broadband mobile nga kompanitë Vodafone e AMC dhe së shpejti, në javët e ardhshme, nga një kompani e tretë. Pra do të kemi internet të shpejtë në pëllëmbën e dorës. Do të mund të informohemi në çast, të informojmë në çast dhe gjithmonë e më shumë do të kryejmë punë në çast”.

Ministri, po ashtu vlerësoi si mjaft pozitive ecurinë e punës lidhur me programin e MITIK për Qeverisjen elektronike. “Gjatë vitit 2011, Qeverisja elektronike, u ngrit në një nivel të ri", tha Pollo.

Sipas tij, "që në nëntor të vitit të kaluar, kanë filluar të ofrohen shërbimet e platformës së Cloud Computing të Qeverisë Shqiptare, e cila mundëson hostimin e sistemeve të qeverisjes elektronike (baza të dhënash, aplikime dhe shërbime për qytetarët dhe biznesin)”. Kjo platformë, theksoi Pollo, "është e para dhe e vetmja platformë qeveritare për Cloud Computing e ngritur në rajonin e Evropës Juglindore”.

Sistemi E-Cabinet, vijoi më tej ministri Pollo, "pësoi një ndryshim rrënjësor, duke bërë pjesë të sistemit mbi 1500 nëpunës të ministrive dhe duke përfshirë në platformën e re e-Aktet të gjithë hapat e nevojshme për hartimin e akteve ligjore, duke transformuar procesin legjislativ në qeveri në një procedurë tërësisht elektronike".

Po ashtu, nënvizoi ai, "gjatë vitit 2011 është vijuar me zgjerimin e rrjetit qeveritar Govnet, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve te përqendruara, të sigurta dhe me standarde bashkëkohore për qeverisjen elektronike, për të gjitha ministritë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qarqet kryesore të vendit”.

Duke folur për disa nga pritshmëritë që ka MITIK për vitin 2012 Pollo tha se në vitin e ardhshëm "shumë shërbime thelbësore të shtetit, si prona, tatimet dhe shëndetësia, planifikojmë të jenë digjitale. Ndërkohë, do të vazhdojë plotësimi i legjislacionit që ofron një klimë miqësore ndaj biznesit, mbron konsumatorin, siguron konkurrencën dhe luftën kundër monopoleve të kujtdo qofshin ato".

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›