E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë filma për AIDS

Për të tretën herë të rinjtë nga e gjithë ë Kosova do të mund të përfshihen në prodhimin dhe procesin e krijimit të filmave të shkurtër, të cilët trajtojnë çështjet e ndryshme që ndërlidhen me HIV/AIDS.

Është hera e tretë që të rinjtë nga të gjitha vendet e Kosovës, për 48 orë rresht dhe me vullnetin e tyre do të mund të bëhen pjesë e video-festit të të rinjve për HIV/AIDS.

në edicionin e sivjetmë rreth 25 të rinj nga Kosova do të përfshihen në prodhimin dhe procesin e krijimit të filmave të shkurtër që trajtojnë çështje të ndryshme lidhur me AIDS.

Sipas Zana Hoxhës, drejtuese e qendrës Artpolis, tashmë është dëshmuar se të rinjtë kanë fuqi për të ndryshuar stereotipet e përhapura për këtë sëmundje, gjë që shihet edhe nga ndryshimet graduale që kanë ndodhur edhe në shoqëritë e ndryshme në këtë aspekt.

“Filmat e dy edicioneve të kaluara janë shfaqur shumë herë në më shumë se 15 komuna të Kosovës, si dhe janë prezantuar e diskutuar edhe në festivalin e sivjetmë të DOKUFEST’it”, thekson Hoxha.

Ajo shton edhe atë se, filmat e dy edicioneve të kaluara madje janë parë edhe si një material i fuqishëm për hapjen e një debati mbi aftësitë krijuese të të rinjve, si një material i fuqishëm për ndërgjegjësimin e të tjerëve rreth HIV/AIDS’it, por edhe për promovimin e një sjelljeje të shëndetshme.

Edhe këtë vit forma e organizimit do të jetë e njëjtë. Temat për filmat e shkurtër do të përzgjidhen nga vetë të rinjtë, ndërsa këta të fundit do të përzgjidhen nga shkollat e mesme të Prishtinës, Mitrovicës Gjakovës, Prizrenit, Ferizajt, Gjilanit, Lipjanit, Therandës dhe Fushë Kosovës. Pas kalimit nëpër procesin e trajnimit që për temë ka parandalimin e HIV/AIDS, vazhdohet me fazën e krijimit të filmit (sinopsisi, skenari, përdorimi i kamerës, aktrimi para kamerës, regjia e filmit, etj).

Trajnimi i të rinjve do të bëhet gjatë periudhës 17 dhe 21 nëntor, nga krijues profesionistë të filmit në Kosovë, të cilët edhe do të kenë rolin e mentorimit dhe facilitimit të të rinjve, por edhe të ngritjes së aftësive të tyre në të gjitha fushat e krijimit të filmit.

Nga 25 të rinjtë e përzgjedhur do të krijohen pesë filma të shkurtër, që do trajtojnë çështje të ndryshme që lidhen me parandalimin dhe luftimin e përhapjes së HIV/AIDS’it në Kosovë. Natyrisht, e gjithë kjo e parë nga një perspektivë rinore.

Ndërkohë që filmat e krijuar pastaj do të shfaqen më 1 dhjetor në Kinemanë ABC, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të AIDS’it.

Filmat do të vlerësohen nga një juri profesioniste, e cila tre filmat më të mirë edhe do t’i shpërblejë.

Qendra Artpolis do të mbulojë të gjitha shpenzimet, duke synuar kështu që të mundësojë krijimin e këtyre filmave për të gjithë pjesëmarrësit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›