Pesë hidrocentrale të rinj në Kukës, jepen lejet
Në lumin Luma të rrethit të Kukësit do të ndërtohen 5 hidrocentrale me koncesion. Në një mbledhje të posaçme të zhvilluar në Qarkun e Kukësit, Komisioni i Rregullimit të Territorit të këtij rajoni miratoi studimin urbanistik pjesor të sheshit të ndërtimit dhe të lejes së ndërtimit për këto vepra energjetike. Hidrocentralet në lumin Luma do të ndërtohen me koncesion kryesisht në prona publike nga shoqëria "Euro Energy Group" me nënkontraktor firmën BOT, duke respektuar mjedisin në përputhje me standardet më të mira europiane. Kryetari i Qarkut të Kukësit, Shefqet Bruka, e ka vlerësuar si një hap shumë të rëndësishëm me ndikim në sistemin energjetik shqiptar, por dhe në rritjen e nivelit të punësimit në zonë. "Për të 5 hidrocentralet e marra së bashku fuqia e instaluar do të jetë 25.3 megavat dhe një prodhim vjetor prej 120 milion kwh, i mjaftueshëm për furnizimin e një rajoni me 250 mijë banorë", tha ai, duke shtuar se gjatë ndërtimit prej rreth dy vitesh të këtyre veprave do të punësohen rreth 400 punëtorë, ndërsa parashikohet se administrata do të përbëhet nga 65 punëtorë.
Hidrocentralet do të ndërtohen në përrenjtë që zbresin nga bjeshkët e Sharrit dhe Kallabakut dhe që formojnë në Grykën e Vanave lumin Luma. Përkatësisht dy hidrocentrale në fshatin Bele, dy në Topojan dhe një në Orgjost (ku tashmë janë dy të tillë, një i ndërtuar në vitet ‘70 të shekullit të shkuar dhe një i ndërtuar vitet e fundit nga investitorë privatë). Hidrocentralet do të ndërtohen me tubacion, ku do të shfrytëzohet prurja e ujërave të përrenjve malorë që zbresin nga një lartësi deri në 200 m.
S.Dida