E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, dy enigmat e dosjes

Prokuroria i ka sekuestruar Dritan Dajtit, gjatë arrestit, 10 celularë. Sipas të dhënave, ai përdorte një telefon për një "ushtar". Dajti ishte kapua. Urdhrat i jepte vetëm ai. Dy "ushtarët" e tij të preferuar ishin kunati i tij, Erges Xhoxhi, dhe Ledion Mara. Dy të fundit komunikonin me personat e tjerë për kryerjen e veprës penale. Por asnjëherë urdhrat nuk jepeshin drejtpërdrejt nga Dritan Dajti. Skema e krijimit dhe rekrutimit të "ushtarëve" ishte huazuar nga grupet mafioze italiane. Kapua nuk njihej nga askush. Askush nuk duhej të merrte informacione rreth tij. Atë e njihnin vetëm një numër i vogël njerëzish. Urdhrat jepeshin gojarisht dhe biseda nuk duhej të realizohej në gjuhën shqipe. Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron se nën akuzën e "gjobëvënies" janë kryer të gjitha veprimet hetimore të domosdoshme për të provuar akuzën në ngarkim të tre të pandehurve. "Nga organi procedues nuk u arrit që të provohej aktiviteti kriminal, veçanërisht në fushën e ‘gjobëvënies‘ konsumuar gjatë kohës kur ka qenë në kërkim nga i pandehuri Dritan Dajti", thuhet në kërkesën për gjykim. Gjithashtu, nga hetimi nuk u arrit të provohej fakti se kush ishte personi që neutralizoi veprimet kriminale të të pandehurit Dritan Dajti dhe me çfarë arme është bërë e mundur neutralizimi i autorit të veprës penale Dritan Dajti. Për këto arsye, prokuroria ka ndarë procedimin penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›