Pushteti lokal, i paaftë për të thithur fondet e BE-së
Shqipëria ka mundësi të shumta për të përfituar nga programet e zhvillimit të Bashkimit Europian, po në të shumtën e rasteve mungojnë kapacitetet për hartimin e projekteve dhe zbatimin e tyre. Për këtë qëllim, Këshilli i Qarkut Durrës dhe Ministria e Integrimit kanë mbledhur së bashku drejtues të qarqeve të ndryshme të vendit, pushtetit lokal, delegacionit të BE-së në Tiranë dhe shoqërisë civile për të diskutuar mbi problemet dhe rrugët që duhet të ndiqen për të përfituar nga fondet e Bashkimit Europian që akordohen përmes programeve të shumta. Bashkitë e majta e kanë bojkotuar këtë takim të rëndësishëm për njohjen konkrete të mundësive për tërheqjen e sa më shumë fondeve përmes bashkëpunimit dhe diskutimit të problemeve që kërkojnë zgjidhje për të mundësuar aplikime sa më të suksesshme. As kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, nuk ka marrë pjesë në të. Sipas kryetarit të këshillit të Qarkut Durrës, Seit Kërtusha, institucioni që ai drejton ka përfituar 3 projekte të ndryshme nga programi për bashkëpunim ndërkufitar dhe konkretisht për reminitancat e emigrantëve, menaxhimin e mbetjeve urbane dhe një projekt për trashëgiminë kulturore dhe ruajtjen e saj. "Vështirë se ne i kemi kapacitetet e duhura për të bërë projekte cilësore, por edhe kur qarqet kanë bërë projekte me ekspertizën e aktorëve të shoqërisë civile dhe që janë fituar, ka raste që ato nuk janë implementuar siç duhet. Duhet të ngremë dhe forcojmë njësitë e hartimit e menaxhimit të projekteve", theksoi Kërtusha. Mungesa e bashkëpunimit mes hallkave të pushtetit lokal e atij qendror, si dhe mungesa e informacionit të duhur mbi projektet dhe mënyrat e aplikimit, qenë të tjera probleme të ngritura gjatë takimit. Nga 5 komponentë që ofron BE-ja për aplikime, Shqipëria përfiton vetëm 2 prej tyre: ngritja e institucioneve dhe mbështetja për tranzicionin dhe bashkëpunimi ndërkufitar me një vlerë të përgjithshme që i kalon 400 milionë eurot. Në programet e bashkëpunimit ndërkufitar mund të aplikojnë vendet anëtare të BE-së, si dhe vendet kandidate potenciale. Qarqet bregdetare kanë pasur dhe do të kenë sërish mundësinë e aplikimeve përmes programit IPA Adriatik, ndërsa qarqet jugore përmes programit Greqi-Shqipëri, që ka në dispozicion rreth 4 milionë euro. Qarqet veriore, verilindore dhe juglindore kanë mundësinë e aplikimeve në programet Shqipëri-Mali i Zi, Shqipëri-Maqedoni dhe Qarku i Kukësit në programin e bashkëpunimit me Kosovën. Mundësi të shumta për të gjitha qarqet ofron programi i Europës Juglindore dhe ai i Mesdheut. Sipas përgjegjësit të programeve të BE-së për vendin tonë, Ardian Haçkaj, qarqet më aktive në vend për projektet komunitare janë Durrësi, Shkodra dhe Korça. Ai e vuri theksin te përgatitja profesionale për hartimin e zbatimin e projekteve. Ndërkaq, folësit theksuan nevojën për kapacitete të kualifikuara për të thithur sa më shumë fonde.
Va.Qy.
Va.Qy.