E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë mënyrat e Milanit për të mposhtur Man. Junajtid

Ja cilat janë pikat më të forta dhe më të dobëta të italianëve
Ja cilat mund të jenë specialitetet më inkandeshente të ndeshjes më drithëruese, Milan-Mançester Junajtid. Mançesteri është favorit përballë Milanit në Champions League, por a është Junajtid favorit absolut? Natyrisht, Milani nuk është ai që ishte dikur, por mund të themi se nga niveli është i barabartë me Mançester Junajtid. Për këtë arsye, më poshtë ju sjellim pesë mënyrat me të cilat Milani mund të mposhtë Mançester Junajtid.
Dita e një mesfushe
Vija e mesfushës së Milanit është rreziku permanent për Junajtid. Kjo varet shumë nga Andrea Pirlo. Ju mund të ndjeni se ai është më i vjetri në atë pozicion, por ai është vetëm 30 vjeç dhe në krahasim me Skolls, që është 35 vjeç, Pirlo mund të jetë çelësi i gjithçkaje. Shumë varet edhe nga forma e Masimo Ambrozinit, mesfushorit defensiv, që është në top formë. Ai po kalon sezonin më të mirë në karrierë me Milanin, por ka pasur batica dhe zbatica në të kaluarën. Për Sedorfin mos të flasim fare, duket thjesht një “18-vjeçar”. Nëse ndeshja do të vendoset në mesfushë, mos u habitni po ta shihni Milanin duke triumfuar në fund.
Qendërmbrojtësit
Asnjë mbrojtës në botë nuk do të dëshironte të përballej me Runin në këtë moment. Ai sulmues është i pandalshëm. Por… në fakt, dy top mbrojtës mund të jenë të gatshëm për ta ndalur sulmuesin e pandalshëm. I gjithë suksesi i Milanit në këtë sezon ka vulën e Aleksandro Nestës dhe Thiago Silvës. Sidoqoftë, kjo fuqi mund të bëhet edhe dobësi. Nëse njëri prej tyre mungon, atëherë mbrojtja e Milanit bëhet një perde e shqyer në mes. Nëse njëri prej tyre mungon, Runi do të jetë fitimtar në 180 minutat.
Pika e dobët e Milanit
Milani ndoshta ka mbrojtësit më të dobët të krahut në Champions League. Por stili i tanishëm i Junajtid premton se nuk do të ketë rrezik nga krahu. Në kohën e Ronaldos, krahu ishte thelbësor, por sot ndryshon. Natyrisht, Patris Evra mbetet rrezik, por Ringo Starr i “San Siro”-s, Injazio Abate, nuk do ketë fare punë, ashtu si Xhanluka Zambrota.
Thjesht Pato
Runi padyshim që është në këtë moment sulmuesi më i mirë në botë. Për këtë s’ka asnjë diskutim, pasi që të gjithë e dinë. Por, edhe pse Milanit i mungon një yll i kategorisë Runi, kuqezinjtë kanë se për çfarë të krenohen dhe kanë se me çfarë t’i bëjnë konkurrencë Runit në të ardhme. Të thuash të vërtetën, Pato ka shënuar vetëm dy gola në Champions, por që të dy i shënoi në përballjen me Realin e Madridit dhe i dyti, ai gjysmëvollej fantastik, vlen më shumë se çdo ndeshje. është një lloj momenti magjik që Paton mund të bëjë, nëse atij i ofrohet një gjysmërast.
Tradita nuk mungon
Milani është ekip i Champions, është e thjeshtë. Disa klube e kanë këtë, disa klube jo. Mes atyre që e kanë këtë, ka prej atyre që e kanë më të shprehur. Sigurisht, Junajtid llogaritet një prej top klubeve të kontinentit, por në histori të Kupave të Europës dhe Champions, Milani qëndron mbi ta. Vetëm Reali i Madridi është si askush tjetër, para kuqezinjve. Por, a do të luajë rol të madh historia, kur këto dy klube të ndeshen? Edhe një herë mbetet të shihet…!

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›