E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë policë rrahën spiunin e SHKB-së

Gjykata e Gjirokastrës liron policin e Kakavijës që u arrestua për korrupsion

Polici i arrestuar dy ditë më parë për korrupsion pasiv në pikën kufitare të Kakavijës ka rifituar dje lirinë, pasi ka bindur gjykatën se nuk kishte kryer asnjë akt korruptiv, por vetëm kishte reaguar dhunshëm ndaj një “spiuni” të ngarkuar me detyrë nga shërbimi sekret i policisë.

Trupi gjykues i Gjykatës së Gjirokastrës, i drejtuar nga Mirela Kore, ka hedhur poshtë dy nga tri akuzat e ngritura ndaj policit Kreshnik Birbili, duke e detyruar atë vetëm të paraqitet dy herë në muaj në prokurorinë e rrethit.

Gjatë seancës gjyqësore për dhënien e masës së sigurisë nga tri akuzat: shpërdorim detyre, korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike dhe kryerja e veprimeve arbitrare, sipas trupit gjykues vetëm akuza e fundit është e përputhur me veprimet e kryera nga ana e policit dhe ai është vlerësuar me detyrim për paraqitje dy herë në muaj në polici.

Ky vendim i gjykatës pritej të ishte i tillë, pasi edhe vetë përfaqësuesi i prokurorisë në këtë seancë, Asllan Bajrami, kërkoi lirimin në sallën e gjyqit të oficerit të policisë dhe detyrim për paraqitje të tij në Prokurorinë e Gjirokastrës dy herë në muaj.

Seanca e djeshme ka zbuluar edhe episodin e ndjekjes, gjurmimit dhe provokimit të tij nga një person, i cili ishte përpunuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i Policisë (SHKB) për të “kapur në flagrancë” policin që shërbente në radhët e policisë kufitare të Kakavijës.

Personi që gjoja kërkonte të kalonte në Greqi, duke u ofruar 500 euro punonjësve të policisë së Kakavijës, ishte i pajisur me një aparat përgjues nga ana e SHKB-së. Mirëpo rastësisht aparati përgjues është zbuluar nga polici dhe kjo është bërë shkak për përplasjen mes tyre. Sipas të dhënave të deklaruara në gjykatë, polici nuk kishte bërë asnjë pazar për kalimin e këtij personi apo të ndonjë tjetri, por thjesht një bisedë verbale në kushte provokuese nga vetë personi i vënë nga SHKB.

Në momentin kur K. Birbili identifikoi aparatin përgjues të montuar në kanotierën e personit, e tërhoqi në një ambient të brendshëm të Policisë Kufitare dhe aty e ka dhunuar fizikisht bashkë me disa kolegë të tij. Pjesëmarrës në dhunë kanë qenë pesë punonjës policie të Kakavijës, por ai që e mori përsipër autorësinë e këtij akti ishte vetëm Kreshnik Birbili.

Në kushtet e rrëzimit të akuzave për shpërdorim detyre dhe korrupsion, mbeti vetëm ajo e kryerjes së veprimeve arbitrare, duke nënkuptuar dhunën e ushtruar në dëm të të infiltruarit të SHKB-së dhe gjykata e konsideroi të paligjshëm arrestimin e policit. Ky i fundit, sipas të dhënave zyrtare, nuk ka marrë në asnjë moment në dorëzim asnjë lloj sasie të hollash nga ndonjë person dhe ky fakt është pohuar edhe nga organi i akuzës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›