PD emëron Cekën nënkryetar Kuvendi
ADI SHKEMBI
Neritan Ceka do të jetë nënkryetari i ri i Kuvendit, në vend të Fatos Bejës. Kjo është zyrtarizuar dje në orët e vona të darkës nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila bëri të ditur në seancën parlamentare pikërisht emërimin e kreut të Partisë Aleanca Demokratike në vendin e mbetur bosh që nga fundi i korrikut, kur Beja mori detyrën e ministrit të Arsimit. Ndërkohë gjatë paradites së djeshme, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i ka dërguar një kërkesë zyrtare kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ku i bënte pikërisht propozimin që në vendin e Fatos Bejës të emërohej pikërisht kryetari i Partisë Aleanca Demokratike. Duke folur në një prononcim për mediat, nënkryetari i ri i Kuvendit, Neritan Ceka, u shpreh se propozimi për këtë post nuk ka të bëjë me afrimin e tij me Partinë Demokratike, por si detyrë që i ka dhënë Kuvendi. Në të njëjtën kohë ai la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike, duke thënë se ky bashkëpunim mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme. Ndërkohë, megjithëse paraditen e djeshme përflitej si një emërim konsensual ai i Cekës në krah të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, përfaqësuesit e Partisë Socialiste nuk kanë dhënë konsensusin. Prej kohësh është duke u përfolur afrimi i Neritan Cekës me Partinë Demokratike, sidomos pas daljes nga koalicioni i majtë i kryesuar nga Partia Socialiste. Jo vetëm kaq, por emri i kreut të PAD-së u përmend edhe si ministër. Pak kohë më parë kreu i PAD-së u pa në një nga hotelet e kryeqytetit në kafe me Kryeministrin Berisha, por ai deklaroi në atë kohë se ajo ishte një kafe për të kujtuar kohët e shkuara. Gjithsesi, largimi i Cekës nga koalicioni i majtë dhe zyrtarizmi prej disa kohësh i ndryshimit të sistemit zgjedhor, e bën akoma edhe më të mundshme idenë dhe përfshirjen në koalicionin e djathtë të PAD-së së Neritan Cekës.