E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesha e një votimi

Mimoza Hafizi* 

Në Asamblenë e fundit Kombëtare të PS-së, ne, një grup anëtarësh të vjetër e të rinj, ngritëm dorën e votës kundër kryetarit. S’ishte e lehtë të ngrihej ajo dorë, kundër njeriut që për vite i besuam mundin e zemrën. Kishte peshën e rëndë të dhjetëra mijëra socialistëve, që aq shumë deshën ta shihnin kryeministër kryetarin e tyre,  të milionave të një populli që meritonte qeverisje më të mirë, të cilën vetëm ne do të mund t’ua jepnim. Zëri kundër ia doli të ngrihej mbi sfondin e trishtë politik të kësaj vere, sepse përcillte jehonën e votës popullore që ne socialistët s’ditëm ta merrnim a ta ruanim të programit tonë memec, që s’arriti të fliste; sepse i ngjante shpërthimit pas një heshtjeje të gjatë, tepër të gjatë për t’u justifikuar nga kujdesi elektoral; sepse ishte shenja e parë serioze, sigurisht mjaft e vonë, e ndërgjegjes kolektive të një partie kësisoj të emancipuar, për të denoncuar mungesën e kolegjialitetit dhe punës në ekip, unin e plotfuqishëm, konspiracionin e terrin e brendshëm informativ, anashkalimin, mosbesimin, nënvlerësimin, mospërfilljen, censurën e përfaqësimit mediatik, klonimin e fjalës e të mimikës. Dora kundër u ngrit të përçonte protestën e bashkëpunëtorëve që u shmangën pabesisht në momentin e pragfushatës; u ngrit të sfidonte “djajtë e zinj” që ia dolën t’i afroheshin kryetarit të partisë, aq sa arritën t’ia zbehnin forcën e cenonin imazhin; u ngrit në emër të strukturave e bazës së partisë që e panë veten të mënjanuara e të shkurajuara nga njerëz të denjë a të padenjë zbarkuar në momentin e fundit; u ngrit për atë kryesi të neglizhuar, që u thirr vetëm dy herë në gjashtëmujorin elektoral.
Fjala kundër përcolli trishtimin për socialistët që e humbën qeverisjen e merituar e për fajet që Edit ia humbën postin e kryeministrit. Dikur ky post askujt s’do t’i përkiste më shumë se atij, sa keq që tek ne dalldia e pushtetit ende vazhdon të shformojë!
Por ky zë grupi s’mund të jetë asesi një “kor i trishtuar”!
Është zëri i qytetarisë që po fiton përditë terren në Shqipëri, e padyshim në partinë më të madhe e më të emancipuar të saj. Ai është ftesa e parë drejtuar lidershipit të ardhshëm të PS-së, për kolegjialitet e punë në ekip, marrëdhënie besimi, liri e larmi, cilësi përfaqësimi e vlerësim kontributesh, respekt njerëzish, strukturash e kompetencash. Që ky lidership të mos bjerë më në grackën e mentalitetit bizantin, që grish e josh edhe atëherë kur i futesh rrugës politike si njeri modern.
*Anëtare e Kryesisë së PS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›