E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ligj pa enigma

Elsa Ballauri 

Lajmi i ligjit mbi martesat e homoseksualëve, që është edhe lajmi më kryesor këto ditë në Shqipëri, është një nga ngjarjet më tipike të një shoqërie ku mungon sensi qytetar i debatit dhe profesionalizmi i mediave.  Për mua, si iniciatorja e hartimit të ligjit kundër diskriminimit në Shqipëri dhe për organizatën që unë drejtoj, si një grup që ka punuar intensivisht dhe me përkushtim për këtë ligj, reagimet e para të këtyre ditëve kanë qenë më shumë qesharake se sa serioze. Por më vonë e kuptova që absurdi po shkonte shumë larg dhe ndjeva përgjegjësinë e një shpjegimi.
Ç’është ky ligji kundër diskriminimit dhe ku qëndron ngatërresa që ka bërë të shpërthejë një furi inatesh, urrejtjesh, sharjesh, ironish, mallkimesh.
E kam përmendur që në bisedat e para me gazetarët se, ligji s’ka të bëjë me martesat e homoseksualëve, por ndërkohë Kryeministri ka shprehur fraza pozitive ndaj këtyre lidhjeve. Askush nga gazetarët nuk u interesua për shprehjet e para të bisedës së tij mbi diskriminimit, gjithkush u tërhoq si me magnet ndaj komentit të opinionit të tij mbi martesat e homoseksualëve. Dhe shpejt u krijua lajmi. Natyrisht që ka një lehtësi për krijimin e lajmit për sa kohë fjalët dalin nga tavolina e qeverisë.
Por pavarësisht kësaj, unë kam marrë telefonata gazetarësh që pyesnin: “Si është ligji mbi martesat e gay-ve?” Dhe unë përgjigjesha, “nuk ka një ligj të tillë”.
Atëherë vinte pyetja tjetër nga gazetari: “Po birësimet e këtyre çifteve, do legalizohen ?....
Ç’mund t’iu përgjigjesha?
Nga njëra anë kemi një opinion, më shumë se një lajm që u tha nga goja e Kryeministrit. Lajmi në këtë rast ishte se në Parlamentin e ardhshëm do të diskutohej një ligj kundër diskriminimit. Opinioni ishte se ai, personalisht është i hapur dhe respekton edhe martesat e personave homoseksualë me njëri-tjetrin. Mendoj se Berisha e di fare mirë se një ligj kundër diskriminimit është edhe një obligimi më shumë për Shqipërinë në prag të ftesës evropiane, por jam e bindur se ai e di edhe që martesa e homoseksualëve nuk është domosdoshmërisht një kusht evropian, por ama është një emancipim i madh i një shoqërie që pretendon për standarde të larta socio-psikologjike. Edhe nëse nuk ka besuar se kjo mund të arrihet shpejt, mendoj që Berisha ka vepruar si një udhëheqës vizionar dhe në tavolinën e rrumbullakët të qeverisë ka luajtur rolin e politikanit që është në gjendje edhe të ngacmojë opinione, edhe t’i testojë ato….
Sa për të sqaruar edhe njëherë lexuesit, dua të them se ligji kundër diskriminimit është një ligj i rëndësishëm i vendeve të zhvilluara. Ai rregullon të drejtat e çdo individi që i përket një komuniteti të caktuar dhe që është në rrezik për t’u diskriminuar nga shumica.
Për të qenë më e saktë me ata që do ta kenë shumë shpejt në dorë ligjin dhe për t’iu lënë mundësi të shohin tendencat dhe prirjet e këtij ligji, po shënoj paragrafin e parë të nenit 3, që është   Mbrojtja nga Diskriminimi:
Ai thotë: “Ligjet, si dhe aktet ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është pjesë, nuk mund të parashikojnë diskriminime të padrejta, drejtpërdrejt ose tërthorazi, për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore, ngjyra, mosha, orientimi seksual, statusi familjar a martesor, statusi shëndetësor, statusi i pronësisë, gjendja e paaftësisë, përkatësia ndaj një grupi të cenuar, ose për çdo shkak tjetër që përbën diskriminim”.
Me këtë pjesë ligji, dua të tregoj se sa i gjerë është ai për kategori të shumta, të cilat i merr nën mbrojtje. Personat me orientim seksual të caktuar, janë pjesë e këtij ligji, sikurse shumë kategori të tjera të diskriminuara.
Përsëri dua të mbetem te media dhe te mënyra se si u shpërnda lajmi dhe se si u dëmtua ai. Askujt nga gazetarët nuk i shkoi mendja të pyeste dhe të interesohej për fjalën Diskriminim. Në fakt, ky është edhe thelbi i ligjit: Diskriminimi. Këtu dua të ndalem pak në marrëdhëniet që kemi ne si shoqëri me konceptin e diskriminimit. Jemi një popull që jemi diskriminuar gjatë tërë historisë sonë dhe që gjithashtu dimë të diskriminojmë shumë mirë të tjerët (përveç atyre që i konsiderojmë më të fortë se vetja dhe kjo është pjesë e sindromës të të qenit kompleksiv.) Diskriminimi nuk na le edhe të zhvillohemi siç duhet në mënyrë civile apo intelektualisht. Një nga mënyrat tipike të diskriminimit është përjashtimi. Kategoria që realisht diskriminon, është shumë më e madhe se sa ata që janë indiferentë, por të dy palët janë një pengesë e madhe për krijimin e një shoqërie mendjehapur. Diskriminojmë romët, egjiptianët, handikapët (një nga traditat më të shëmtuara është mbajtja e të afërme handikapë të fshehur, që të mos ta merrnin vesh komshinjtë dhe fisi), diskriminojmë gratë dhe pa e kuptuar edhe fëmijët, se ata janë më të dobët se të rriturit, diskriminojmë homoseksualët jo se besojmë te zoti (siç të paktën pretendojnë komunitetet fetare që kanë protestuar sistematikisht këto ditë), por se nuk pranojmë të ndryshmen dhe na pëlqen përjashtimi, nuk përballemi dot guximshëm me veten tonë dhe nuk dimë të respektojmë të tjerët.
Nuk e di nëse Berisha ka menduar për përmasat e mëdha që mori ngjarja apo jo, por unë mendoj se nëse po, ai i ka bërë shumë mirë shoqërisë shqiptare. Kemi nevojë të shkundemi nga inati i pakuptueshëm dhe i paarsyeshëm që na buçet nga qelizat tonë primitive....
Po ta ndjekësh këtë ngjarje nga disa dhjetëra kilometra larg, siç po e ndjek unë, më duket se grupi më i mençur, më dinjitoz dhe më me këmbë në tokë janë gay-të dhe lesbikët, që po i diskutojnë këto çështje në një rrafsh shumë më filozofik dhe social se sa shumë nga opinionistët, gazetarët, apo politikanët që kanë dhënë intervista të tipit të realizmit socialist lart e poshtë. Hyni në facebook-un e shoqatës së të rinjve gay dhe lesbikë dhe do të shikoni se sa modestë dhe të mençur janë për të trajtuar çështje të tilla.
Këtu qëndron një tjetër aspekt i dobët i marrëdhënies që kanë njerëzit publikë me mediat. Askush s’u mendua dy herë dhe askush s’kërkoi të merrte më shumë informacion për atë ç’ka po ndodhte: të gjithë gjetën kohën dhe rastin të sulmojnë një armik të paqenë, por që iu ka munduar brej brezash mendjen në mënyrë enigmatike dhe i ka bërë të ndjehen mirë me traditën e raportit miqësor që kanë me diskriminimin. 
Është e shëmtuar kur lexon me dhjetëra dhe qindra komente në internet, ku të gjithë janë në një mendje që homoseksualët duhet të zhduken nga faqja e dheut, por është më shumë e dhimbshme të dëgjosh se këtë mendim kundra e kanë shumë persona që pretendojnë dhe kanë marrë përsipër krijimin e opinioneve të reja, apo edukimin e të tjerëve.
Ndërkohë të vjen keq që nuk ka asnjë mendim intelektual të vërtetë, nuk ka asnjë debat të mençur që të shprehet për një temë, e cila ndonëse do ta ketë arritjen ligjore jo shumë herët, tashmë është hapur si e tillë dhe kërkon vëmendje intelektuale më shumë se sa vëmendjen e rrugës.
Pavarësisht se lajmi nuk është i vërtetë dhe nuk ka ende asnjë ligj për martesat homoseksuale në Shqipëri, ky debat ishte shumë i natyrshëm dhe nxori në pah një tjetër pengesë të madhe që Shqipëria do ta arrijë me shumë vështirësi, parimin e përfshirjes dhe të respektit për të drejtat e tjetrit.
Pak përpara se të shpërthente “gëzimi” mediatik, isha duke menduar për të shkruar mbi një histori të dhimbshme që ndodhi në Sarandë pak ditë më parë: një vëlla vrau të vëllanë se ishte gay.
Cili nga ju që po lexoni tani këtë shkrim do ta justifikonte vrasjen?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›