E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshëngritje, shpresohet vetëm te Romela Begaj

Kombëtarja shqiptare e peshëngritjes nuk arrin të sigurojë një "biletë" për në Lojërat Olimpike Pekin 2008. Organizatorët e Evropianit të Linjanos publikuan klasifikimin provizor për ekipe, ku sportistet kuqezi nuk kanë arritur të sigurojnë më shumë se vendi i tetë, ndërkohë që vetëm pesë të parat kualifikonin sportiste për në evenimentin që do të mbahet në Kinë (dy të parat nga dy sportiste, ndërsa tre të tjerat nga një). Por, nëse për një pjesë të madhe të skuadrave ky klasifikim është i përkohshëm, për femrat shqiptare ai është rezultati final (dhe situata vetëm mund të përkeqësohet), pasi vendi ynë nuk garon në peshat e rënda. Shqipëria e ka mbyllur konkurrimin me një total prej 264 pikësh të grumbulluara nga 6 shtangiste, ndërkohë që në vend të parë ndodhet me 391 pikë nga 7 sportiste. Tashmë, shpresat e skuadrës së femrave janë të gjitha te Romela Begaj, kampione e Evropës në shkëputje, fituese e bronzit në shtytje dhe e argjendit në dygarësh: pas këtyre rezultateve ajo shpreson që të udhëtojë drejt Pekinit me ftesë nga organizatorët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›