E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshkatari gjen kufomën e vajzës së mbytur

Mbaron pritja e familjes Çapja. Tri ditë pas tragjedisë në lumin Devoll, ku humbën jetën nënë e bijë, gjendet trupi i pajetë i vogëlushes 7-vjeçare. Vajza u mbyt mëngjesin e së dielës, por ndonëse trupi i 45-vjeçares Selvije Çapja u gjet brenda pak orësh disa metra poshtë vendit ku u mbytën, palombarët nuk mundën të gjenin dot vajzën. Trupi i vogëlushes është gjetur vetëm dje në mëngjes nga një peshkatar, që kishte hedhur rrjetat e peshkimit në lumin Devoll. Babai i vajzës, Tasim Çapja, të hënën ka bërë apel nëpërmjet ekranit të "Top Channel", duke i kërkuar shtetit jo ndihma financiare, por t‘i gjenin kufomën e vajzës së tij, që u mbyt më 24 maj në lagjen Shelg të fshatit Rrenas, në Komunën e Grekanit, rreth 45 km larg qytetit të Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, një telefonatë në komisariat ka çuar drejt Komunës Grekan një ekip ekspertësh që kanë bërë identifikimin e Xhirxhina Çapjas. Telefonata është bërë nga një banor i zonës, i cili ka qenë duke peshkuar së bashku me një shokun e tij në ujërat e lumit Devoll, vetëm pak metra larg vendit ku u mbytën nënë e bijë. Burri ka sqaruar se duke peshkuar, ka gjetur trupin e pajetë, që pas verifikimeve u konstatua se i përkiste 7-vjeçares. Të dielën në mëngjes, Selvije Çapja, bashkë me dy fëmijët e saj, Xhirxhinën dhe djalin Adrin, kanë qenë duke kaluar lumin Devoll për të shkuar te të afërmit e tyre në Mollas. Duke tentuar të kalojnë lumin me një karrocë, janë përpirë nga rrjedha e ujit dhe si rezultat 45-vjeçarja Selvije Çapja dhe vajza e saj u mbytën. Ndërsa djali shpëtoi falë ndihmës së karrocierit që po i kalonte për në bregun tjetër. Kësisoj, për familjen Çapja merr fund ankthi i gjetjes edhe të trupit të së bijës, e cila është varrosur po dje në të njëjtën orë kur një ditë më parë familja dhe qindra të afërm kanë përcjellë për në banesën e fundit nënën e saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›