E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qafë-Gjashta, dëshmia: Si e gjeta kolegun tim të djegur

Një punonjës policie ka dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda duke treguar detaje nga masakra e Qafë-Gjashtës. Alush Isufi, ish-punonjës policie në Sarandë, dëshmoi se ka gjetur të djegur oficerin e policisë, Gjergji Mehmeti, si dhe të lidhur pas pemës pengun Eduart Aliaj. Isufi ka qenë i vetmi dëshmitar i gjallë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pasi dy dëshmitë e tjera janë lexuar nga prokurori i çështjes. "Gjergji Mehmetin e kam njohur prej kohësh, pasi kishte qenë oficer policie në Vlorë ku kam punuar deri në vitin 1996. Edhe dy oficerët e tjerë i njihja dhe i kisha takuar disa herë", nisi të rrëfejë Isufi, duke treguar edhe nga dita e masakrës. Ai thotë se gjatë shkëmbimit të zjarrit ka qenë tek "gazetat", siç quhet vendi nga sarandjotët, dhe dëgjoi se kishte ndodhur një vrasje në Qafë-Gjashtë. "Menjëherë u nisa në drejtim të Qafë-Gjashtës, pasi Gjergjin e njihja dhe shkova mos e gjeja ende gjallë, pasi më vinte shumë keq për të. Kur shkova atje, pashë një makinë të djegur dhe iu afrova, aty pashë Gjergjin të djegur komplet. Më thanë se ishte edhe një polic tjetër që e kishin lidhur mbas një peme. E njoha që ishte Edi Aliaj dhe vajta e përqafova, por më shtynë disa njerëz që unë nuk i pashë nga fytyra. Tentova dhe një herë dhe Edi më tha ‘Alush çfarë do ti këtu, ik largohu‘, dhe unë i thashë mbaje veten djalë se sa të kanë rrahur nuk do të rrahin më, pasi ai ishte i gjakosur në gjithë trupin" vijoi Isufi. Më pas tregoi se diku më larg kishte parë Xhevat Koçiun që fliste me altoparlant: "Mos gjuani më se ai është rob i luftës dhe ligji i luftës nuk e lejon". Isufi vazhdoi dëshminë duke treguar se rreth pengut Ad Aliaj ishte një grup afro 5 mijë vetash dhe të gjithë ishin të armatosur. Gjyqi ka vazhduar me dëshminë e dytë të Zaho Labës, e cila është lexuar nga prokurori, pasi dëshmitari kishte vdekur pak kohë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›