E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mallakastër, ekzekutim me armë për tokën

Konflikti për pronën shënon viktimën e radhës. Një 70-vjeçar ka mbetur i vrarë në Mallakastër, ndërkohë që autori është vënë në pranga rreth një orë më vonë. Vrasja ka ndodhur në fshatin Poçem të Komunës Klos, rreth 30 km larg qytetit të Ballshit. Mësohet se në orën 14.30, Niko Malaj është qëlluar me armë zjarri pistoletë nga Përparim Merkaj.

Mes dy familjeve që jetojnë në Poçem, ka pasur konflikte prej vitesh. "Molla e sherrit" ka qenë një parcelë ullinjsh, në të cilën viktima ishte duke ndërtuar një shtëpi. Kjo tokë pretendohej se ishte pronë e autorit të vrasjes.

Ditën e djeshme konflikti ka marrë përmasa serioze, duke shkuar në gjakderdhje. Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë së Ballshit tregojnë për "Shqip" se 70-vjeçari Niko Malaj, si çdo ditë tjetër ishte drejtuar për te toka e tij, që ndodhet rreth 1 km larg fshatit. Ndërsa merrej me pastrimin e barit në disa pemë me ullinj në afërsi të shtëpisë që ishte në ndërtim e sipër, është përballur me bashkëfshatarin e tij, 60-vjeçarin Përparim Merkaj. Ky i fundit i ka kërkuar të hiqte dorë nga toka, ndërtimi i shtëpisë dhe pronësia e ullinjve, duke i thënë se nuk do ta lejonte të vijonte ndërtimet. Mendohet se kjo bisedë ka ndezur sherrin mes dy bashkëfshatarëve, sherr që gjithmonë ka qenë i hapur.

Pa u larguar as një metër nga vendi i ngjarjes, 60-vjeçari Merkaj ka nxjerrë pistoletën që mbante pa leje dhe ka qëlluar në drejtim të Niko Malajt. Ky i fundit mësohet se është qëlluar pas shpine dhe ka marrë dy plumba, një në shpatull e një në ije. Më pas autori është larguar, duke lënë 70-vjeçarin të shtrirë mbi një pellg gjaku. Krismat e armëve kanë bërë që familjarët e Malajt të shkojnë me shpejtësi drejt shtëpisë në ndërtim, ku kanë gjetur të afërmin e tyre pa shenja jete. Dërgimi i tij drejt spitalit të Ballshit ka qenë i kotë, pasi kishte gjetur vdekjen e menjëhershme nga plumbat e marrë në trup.

Policia është njoftuar nga banorët e Poçemit për ngjarjen e ndodhur dhe pas marrjes së të dhënave paraprake, forca të shumta policore kanë rrethuar fshatin, me qëllim kapjen e autorit. Sipas policisë, 60-vjeçari Përparim Merkaj është kapur në rrugë teksa kthehej në shtëpi. Ai ka qëndruar i fshehur për disa minuta nëpër tokat rreth fshatit dhe ndërsa i drejtohej shtëpisë është prangosur.

Armën me të cilën kreu vrasjen, një pistoletë TT, ai e kishte hedhur në disa shkurre. Pas arrestimit, ai ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka treguar edhe vendin e hedhjes së armës. Policia ka lënë patrulla në fshatin Poçem, për të shmangur ndonjë përplasje mes dy familjeve që jetojnë pranë njëra-tjetrës. Familjarët e viktimës, si dhe të autorit janë marrë në pyetje nga policia.

Ata kanë zbardhur edhe motivin e përplasjes që mori jetën e një personi. Policia dhe grupi i hetimit bëjnë të ditur se autori Përparim Merkaj pretendonte se toka ku viktima Niko Malaj po ndërtonte një objekt: shtëpi dhe dyqan, ishte pronë e tij dhe e kishte fituar me anën e Ligjit 7501. Konflikti ka shkuar deri në përplasje fizike të mëparshme mes anëtarëve të dy familjeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›