Mbahet peng e përdhunohet për dy ditë një 16-vjeçare
Merret peng, keqtrajtohet, përdhunohet dhe më pas kërcënohet. Kjo ngjarje tragjike i ka ndodhur një adoleshenteje nga Tirana, e cila ka rënë pre e kësaj dhune makare nga shoku i saj, vetëm 18 vjeç. Për dy ditë, 16-vjeçarja L. L. nuk ka ditur se ku ndodhej, nga dhuna e ushtruar ndaj saj. E kur është liruar, nga tmerri i përjetuar, nuk ka dashur të tregojë se çfarë i kishte ndodhur. Por, prindërit e saj, me ndihmën e psikologëve, e kanë bindur që të rrëfejë ngjarjen makabre, ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim autorin. Para psikologut, vajza 16-vjeçare, e cila është nxënëse e vitit të dytë në shkollë të mesme, ka rrëfyer me detaje se çfarë i kishte ngjarë. Sipas policisë, ajo ka shpjeguar se e njihte prej pak kohësh Genc L., 18 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Madje kishte edhe simpati për të. Disa herë kishte frekuentuar kafenetë e kryeqytetit, deri më 22 maj, kur ka ardhur dita e tmerrit. Ai e ka marrë me mjetin e tij dhe e ka dërguar në një banesë private pranë Doganës. Aty kanë hyrë brenda dhe ai i ka thënë se jetonte i vetëm. Vajza, duke mos i pëlqyer sjellja e tij, i ka kërkuar të ktheheshin sërish, ku ishin më parë. Por, "shoku" i saj nuk ka pranuar. Madje, ka filluar ta provokojë, duke e pyetur pse kishte shkuar deri aty. E kështu mes tyre ka lindur një debat, që ka degjeneruar në goditje ndaj adoleshentes. Ajo është goditur me grushte në fytyrë, në trup, duke marrë një sërë plagësh. Më pas është lënë e shtrirë pa ndjenja, ndërsa 18-vjeçari ka dalë me shokët. Ai është kthyer më vonë, e ka gjetur pa ndjenja dhe e ka sjellë në vete. I ka bërtitur duke e kërcënuar se nuk do ta lëshonte kurrë. E ka rrahur sërish dhe më pas e ka përdhunuar. Vajza e re është munduar t‘i shmanget këtij krimi, por nuk ka mundur, pasi djali, siç tregon ajo, duke qenë trupmadh e ka shtrirë përdhe dhe e godiste pareshtur. E ka lënë sërish të shtrirë në një krevat në banesën private, e më vonë e ka përdhunuar sërish. Duke përjetuar këtë tmerr, vajza i është përgjëruar që ta linte të lirë. Por ai nuk ka pranuar. Vetëm pas 48 orëve, është bindur ta lirojë, duke e kërcënuar se do ta vriste nëse i tregonte njeriu se çfarë kishte ndodhur. E ajo, duke dashur në ato çaste, vetëm të largohej e të kërkonte ndihmë, është shprehur se nuk do të tregonte asgjë. Kur ajo është lënë e lirë, prindërit e kanë shoqëruar në polici ku e kanë marrë në pyetje. Sipas grupit hetimor, ajo ka shenja dhune në trup dhe agresori tashmë është i identifikuar dhe arrestimi i tij është vetëm çështje kohe. Më tej, policia u shpreh se ka pasur edhe raste të tjera flagrante, por shpeshherë, kanë rezultuar kallëzime të rreme. Për këtë rast, policia tha se ka edhe shenja dhune në trup dhe sipas mjekëve, adoleshentja është e përdhunuar. Aktualisht po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, ndërkohë që 18-vjeçari është zhdukur pa lënë gjurmë. Policia tha se ai do të akuzohet për plagosje të rëndë, përdhunim, kanosje dhe për pengmarrje.