Peshkim në ujërat malazeze, arrestohen tetë peshkatarë
Banorët e Hanit të Hotit ishin 150 metra larg tokës sonë. Gjoba 1 mijë euro.
Policia malazeze arreston tetë peshkatarë shqiptarë. Me akuzën e peshkimit të paligjshëm në ujërat malazeze, kufitarët fqinjë kanë prangosur në flagrancë peshkatarët dhe u kanë sekuestruar mjetet e peshkimit dhe ato lundruese.
Lajmi është bërë publik vetëm nga mediat malazeze, por Policia shqiptare nuk ka marrë asnjë informacion nga homologët e saj, duke e mësuar ngjarjen nga të afërmit e të arrestuarve. Pas plagosjes së një bariu pak ditë më parë, një tjetër incident ka ndodhur mes Policisë së vendit fqinj me popullsinë shqiptare të zonës në afërsi të kufirit shqiptaro-malazez. Sikurse bëhet e ditur, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, në afërsi të pikës kufitare të Hanit të Hotit, në vendin e quajtur Suri i Sheganit. Peshkatarët, të cilët ishin të gjithë banorë të zonës së Hanit të Hotit, mes tyre dy të mitur, kishin dalë që në orët e para të mëngjesit për të peshkuar në ujërat e liqenit të Shkodrës. Me varkat e tyre kishin kaluar rreth 150 metra larg zonës shqiptare, por që sipas pretendimeve të palës malazeze territori ku ata po peshkonin, ishte pjesë e tërësisë territoriale të tyre, ndaj dhe ka kryer arrestimin e menjëhershëm të peshkatarëve. Ky fakt është mësuar nga të afërmit e të arrestuarve nga edicionet informative të mediave të shtetit fqinj. Ndërkohë që ata janë munduar të mësojnë më shumë nga policia shqiptare, drejtuesit e saj u kanë pohuar se nuk kanë dijeni për një fakt të tillë. Sipas informacioneve të marra më pas nga burime përtej kufirit, bëhet e ditur se tetë peshkatarët janë arrestuar nga patrulla malazeze e liqenit të Shkodrës, duke e justifikuar arrestimin e tyre me pretendimin se që me datë 1 prill në territorin malazez të liqenit është e ndaluar gjuetia e peshkut në liqen, pasi kjo përkon me periudhën e shumimit të peshkut. Tentativa e çdo personi për të peshkuar pas kësaj date deri më 1 qershor, përbën kundërvajtje ligjore, e cila dhe ndëshkohet sipas ligjeve malazeze. Zbatimit të ligjit nuk i kanë shpëtuar shqiptarët, të cilët janë justifikuar me pretekstin se në ujërat tona ndalohet gjuetia e peshkut pas datës 15 prill. Mirëpo kjo nuk e ka penguar palën malazeze që të arrestojë 8 peshkatarët shqiptarë, si dhe të sekuestrojë edhe katër varkat me të cilat po lundronin peshkatarët. Mësohet se ata janë gjobitur me nga 1 mijë euro dhe pas pagesës mund të lihen të lirë, ndërsa u mbeten të bllokuara mjetet e lundrimit. Pak ditë më parë, një 32-vjeçar u qëllua me armë zjarri nga rojet kufitare të Malit të Zi, pasi bagëtitë që ruante ai kaluan në tokën malazeze.
Zona e ndërmjetme territoriale
Zona ku u arrestuan peshkatarët është një zonë e ndërmjetme mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Kjo sipërfaqe ujore është shfrytëzuar gjithnjë nga peshkatarët shqiptarë, pasi njihet si zonë e cila ka një thellësi të madhe me burime nënujore dhe që njihet për rezervat e mëdha të peshkut. Ndërkohë, sipas pohimit të peshkatarëve nga zonat afër kufirit malazez, në sipërfaqen ujore të liqenit, për mungesë të sinjalistikës ujore është shumë e vështirë të bëhet identifikimi se ku mbaron kufiri i Shqipërisë dhe ku fillon territori i zonës malazeze.
SHKODER/ RITVAN DIBRA