E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi: Katër zyra të reja në rrethe për Shërbimin e Provës

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi

TIRANE Shërbimi i Provës është shtuar së fundi me 4 zyra të reja, duke e çuar në 12 numrin e zyrave në rang vendi. Ndërsa pas pak ditësh, Ministria e Drejtësisë pritet të hapë tenderin ndërkombëtar për procesin e mbikëqyrjes elektronike. Faktet u bënë të ditura dje nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, në një konferencë të organizuar në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me Shërbimin e Provës në vend. Në fjalën e tij, ministri Halimi e konsideroi një histori suksesi Shërbimin e Provës në sistemin e drejtësisë. Sipas ministrit, aktualisht Shërbimi i Provës ka nën vëmendjen dhe kujdesin e vet rreth 3500 persona, ndërkohë që të dënuar janë rreth 3000 persona. Sot jemi në një moment të rëndësishëm të kësaj reforme. Është bërë e mundur rritja e numrit me 4 zyra të reja të shërbimit të provës, ku aktualisht  numërohen 12 zyra vendore, veprimtaria e të cilave mbulon të gjithë territorin e vendit, të cilat funksionojnë me kapacitet të plotë administrativ dhe infrastrukturor, tha ministri. Në lidhje me reformën e mbikëqyrjes elektronike të personave në dënime alternative apo me masa sigurie, ministri u shpreh se pas pak ditësh ne do të hapim tenderin ndërkombëtar për këtë proces, dhe kjo reformë do të jetë e prekshme për pak muaj në Tiranë. Në konferencë ishin të pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, Arben Sefgjini, ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui, ambasadori i Britanisë së Madhe në vendin tonë, Nicholas Cannon, si edhe përfaqësues të ndryshëm të sistemit të drejtësisë në vend.                        ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›