Prokurori i shkarkuar: Ina Rama shkel Kushtetutën

Kryeprokurorja e pergjithshme, Ina Rama
Xhemal Saliaj padit kryeprokuroren: Këshilli të Prokurorisë pa mandat.
Ish-kryeprokurori i Beratit, Xhemal Saliaj, i shkarkuar tri ditë më parë me urdhër të Ina Ramës, ka depozituar në Gjykatën e Tiranës një padi kundër Prokurorisë së Përgjithshme. Në padinë e tij, prokurori kërkon shfuqizimin pjesërisht të një urdhri të firmosur nga kryeprokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, më 27 tetor 2011. Bëhet fjalë për urdhrin nr. 191 Për shërbimin e gatishmërisë në Prokurori. Referuar padisë, ky urdhër, në një prej neneve të tij, bie ndesh me Kushtetutën. Lajmi i depozitimit të padisë u bë i ditur nga vetë prokurori Saliaj. Ai ndodhej dje në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, për shkak të një konference në të cilën ishte pjesëmarrës, ku më pas mbajti një komunikim me median në lidhje me shkarkimin nga detyra. Sipas prokurorit Saliaj, në urdhrin nr.191 të Prokurorisë së Përgjithshme, shkelet parimi themelor i barastrajtimit, pasi për të njëjtat prokurori dhe për të njëjtën kohë pune bëhen pagesa të diferencuara. Mosbarazia e pretenduar nga prokurori Saliaj i referohet pikës 3 dhe 4 të nenit 8 të urdhrit të kryeprokurores Rama. Nuk gjendet asnjë dispozitë ligjore që prokurori i Përgjithshëm të miratojë vetë paga të madhësive të ndryshme për punë të barabartë në prokurori, duke përjashtuar pa një shkak konkret disa prokurori në raport me disa të tjera. Nuk do të thotë që qëndrimi në punë mbi kohën e rregullt të punës nuk mund të konsiderohet punë suplementare. Sipas urdhrit, për disa prokurori për qëndrimin në punë pavarësisht nga fakti nëse punohet apo jo, është paguar, ndërsa për disa prokurori aplikohet klauzola: do të paguhet koha në të cilën me të vërtetë do të punohet. Por shtesat për orë suplementare, pavarësisht nëse është kryer një punë efektivisht konkrete, ashtu si për punë suplementare, kushtëzohen me një shpërblim shtesë, parim i cili nuk merret në konsideratë, thuhet në padi. Duke

Xhemal Saliaj, ish-prokurori i Beratit
folur në lidhje me shkarkimin nga detyra, ish-prokurori i Beratit tha se largimi i tij ka ardhur nga një Këshill i Prokurorisë së Përgjithshme, që përbëhet nga anëtarë të cilëve u ka mbaruar mandati. Sipas Saliajt, me shkarkimin e tij, Këshilli i Prokurorisë ka kryer një shkelje tjetër pasi nuk i ka dhënë mundësinë të dëgjohet dhe të mbrohet për akuzat që i janë bërë. Duke shtuar dhe pjesën tjetër të dyshimtë, që unë do ta verifikoj me kalimin e kohës, mandati i anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë ka përfunduar, çka do të thotë që, në qoftë se mandati i tyre ka përfunduar, ata kanë kryer funksionin pas mbarimit të mandatit dhe kjo është shumë e rëndë në ushtrimin e kompetencave ligjore dhe kushtetuese të prokurorit të Përgjithshëm, tha dje Saliaj. Ai pohoi se motivet e shkarkimit të tij nga detyra nuk janë ato që ka deklaruar Prokuroria e Përgjithshme për keqadministrim të dokumentacionit dhe mosushtrim të funksioneve drejtuese.
Shkarkimi
Tri ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme është vendosur shkarkimi i Xhemal Saliajt nga funksioni i prokurorit të rrethit të Beratit. Pas shkarkimit të Saliajt, në drejtimin e Prokurorisë së Beratit është komanduar Ardian Ylli. Sipas Këshillit, ish-prokurori i Beratit ka kryer shkelje dhe neglizhime në administrimin e Prokurorisë së Skraparit, të cilën e ka pasur nën përgjegjësi ku kanë humbur edhe dosje.
ARMAND BAJRAMI