E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata lë Kajollin në arrest shtëpie

Fatmir Kajolli, këshilltari republikan në Fier

Prokuroria kërkoi arrest me burg. Avokatja: Kajolli me pozicion të rëndësishëm në Fier.

Fatmir Kajolli lë burgun deri në momentin e ekstradimit.

Del nga burgu për tu izoluar në shtëpi biznesmeni dhe përfaqësuesi i PR-së në Këshillin Bashkiak të Fierit, Fatmir Kajolli. Gjykata e Fierit vendosi dje masën e mësipërme për 47-vjeçarin, i cili u arrestua pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar me 40 vite burg nga dy gjykata italiane për trafik droge. Gjyqtari i kësaj çështjeje, Gentian Hamitaj, dha vendimin e djeshëm duke urdhëruar të pandehurin Kajolli të qëndrojë në banesën e tij, si dhe i kufizoi komunikimin me persona të tjerë jashtë familjes, derisa gjykata të vendosë në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së ekstradimit me Italinë. Gjithashtu, gjyqtari Hamitaj urdhëroi Prokurorinë dhe Policinë gjyqësore që të kontrollojnë urdhrat e dhënë ndaj të pandehurit. Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë nuk ishte i pranishëm vetë i arrestuari. Ai përfaqësohej nga avokatja Rozeta Plaku. E para ka folur prokurorja e çështjes, e cila e ka njohur gjykatën me materialin e letër-porosisë italiane, si dhe kërkesën e policisë gjyqësore për miratimin e arrestimit të Kajollit. Në dispozicion të gjykatës është vendosur kërkesa e arrestimit në nivel ndërkombëtar të 47-vjeçarit Fatmir Kajolli, transmetuar nga Interpol Roma dhe përkthimi zyrtar i këtyre akteve nga Ministria e Drejtësisë, ku përshkruhen faktet penale, dënimet si edhe urdhrat e arrestit. Në bazë të tyre kërkoi lënien në burg pa afat të Kajollit, deri në momentin e ekstradimit. Pala mbrojtëse i kërkoi gjykatës që të mos merret parasysh kërkesa e akuzës. Sipas avokates Plaku, në vendimet e paraqitura nga gjykatat italiane ka boshllëqe në kuadrin ligjor. Ajo kërkoi që klienti i saj të izolohej në banesë deri në mbajtjen e seancës për kërkesën e autoriteteve italiane për ekstradim, me arsyetimin se klienti që ajo mbron nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore, mban një pozicion të rëndësishëm në qytetin e Fierit dhe nuk ka rrezik për tu larguar nga vendi. Sipas avokates, Kajolli është një nga biznesmenët më të fuqishëm në Fier, gjithë investimet e tij i ka në këtë rajon, ndërsa është i angazhuar edhe në jetën politike e shoqërore në këtë qark. Kërkesën e saj për arrest shtëpie avokatja e bazoi në nenin 237 të Kodit të Procedurës Penale. Pasi dëgjoi palët, gjyqtari Hamitaj vendosi që Fatmir Kajolli të qëndrojë në arrest shtëpie, derisa gjykata të shqyrtojë kërkesën e autoriteteve italiane për ekstradimin e tij.

dosja
Sipas të dhënave nga dosja që prokuroria i ka paraqitur gjykatës deklarohet se, gjatë viteve 2000-2001, grupit të strukturuar kriminal, ku akuzohet se bënte pjesë dhe Kajolli, i është kapur dhe sekuestruar 14 kilogramë heroinë qe ishte transportuar nga Shqipëria drejt Italisë. Ndërsa në vitin 98 u kapën në Milano 6 kg heroinë dhe 1 kg kokainë, për të cilën sërish u akuzua Fatmir Kajolli.

Mediat italiane: Në Tiranë, 30 të kërkuar nga Interpol Roma
TIRANE Mediat italiane kanë përcjellë me vëmendje arrestimin e Fatmir Kajollit, përfaqësuesit republikan në Këshillin Bashkiak të Fierit. Sipas mediave italiane, Policia shqiptare ekzekutoi një urdhër arresti të unifikuar nga Gjykata e Romës, në lidhje me dy dënime të dhëna në mungesë ndaj Fatmir Kajollit, i cili ishte dënuar në mungesë me 40 vjet burg. Sipas medias italiane, arrestimi është pjesë e një aksioni të Policisë shqiptare për ekzekutimin e mandateve të arrestit të lëshuara nga autoritetet e Interpol Romës. Nga viti 2006 e pas deri tani, sipas medias italiane, Interpol Roma i ka përcjellë Policisë shqiptare disa lista personash të kërkuar. Sipas të dhënave që citojnë mediat italiane, aktualisht Policia shqiptare ka marrë një listë prej 30 emrash që u përkasin personave të kërkuar nga drejtësia kryesisht për trafiqe, të cilët besohet se fshihen në Tiranë. Gjatë muajit  të fundit, Policia shqiptare ka ekzekutuar katër urdhra arresti të Policisë italiane. Prej këtyre urdhrave dy janë ekzekutuar nga Policia e Vlorës në zona të ndryshme të këtij qarku, ndërsa dy urdhrat e fundit të arrestit janë ekzekutuar në Fier me kapjen e Fatmir Kajollit dhe në Tiranë me arrestimin e Ergys Ferhatit. Interpoli dhe Policia shqiptare kanë ndërkohë në ndjekje një numër të konsiderueshëm rastesh me persona të kërkuar që besohet se strehohen në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›