E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e policit në Tiranë, kapen në kufi të dyshuarit

Viktima Ymer Hajdari, pas atentatit

Beqir e Luan Xheçuka nuk u gjetën në banesa nga kontrollet e RENEA-s.

Hasmët e gardianit po arratiseshin nga Rinasi e Kapshtica.

Ndalohen në dy vendkalime kufitare në Korçë dhe Tiranë, duke tentuar të dalin jashtë Shqipërisë, dy vëllezër nga Mamurrasi, të dyshuar për vrasjen e policit të Burgut 313, i cili u ekzekutua mëngjesin e së martës në Tiranë. Ndalimi i tyre është bërë thuajse në të njëjtën kohë, njëri gjatë tentativës për të kaluar kufirin shqiptar drejt Greqisë nga pika kufitare e Kapshticës, ndërsa tjetri nga Aeroporti Nënë Tereza. Burime nga Policia thanë se fakti që Beqir dhe Luan Xheçuka po tentonin largimin nga Shqipëria vetëm 24 orë pas vrasjes së Ymer Hajdarit, është një prej dyshimeve më të forta që ka sjellë shoqërimin e tyre të menjëhershëm drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Dyshimi i parë, megjithatë, kishte lindur që prej së martës, kur policia konstatoi mungesën e dy vëllezërve në banesë gjatë kontrollit të kryer nga forcat RENEA në shtëpitë e familjeve Xheçuka në Mamurras e Burrel. Kjo familje, sipas Policisë, e konsideronte Ymer Hajdarin si hasëm që prej muajit prill të vitit të kaluar, kur nipi i tij, Alket Hajdari, vrau vëllain e të ndaluarve, Shanin Xheçukën. Grupi i hetimit ka dyshime të forta që vrasja është kryer për hakmarrje. Vëllezërit e ndaluar që prej mëngjesit të djeshëm nga forcat e Policisë, nuk kanë pranuar në asnjë moment implikimin e tyre në vrasjen e policit 54-vjeçar. Burimet nga hetimi konfirmuan se në momentin e ndalimit atyre nuk u është gjetur asnjë provë komprometuese që ti lidhte me vrasjen e së martës në Tiranë. Por, sipas Policisë, dy të ndaluarit janë të dyshuarit kryesorë për ekzekutimin me tre plumba të Ymer Hajdarit. Burimet thanë se pritet përfundimi i seancave të marrjes në pyetje dhe konsultimi me prokurorin, për të vendosur arrestimin e tyre ose jo.
NDALIMI
Për shkak se forcat speciale RENEA, gjatë kontrollit të banesave në Mamurras e Burrel, nuk i gjetën në shtëpi vëllezërit Beqir dhe Luan Xheçuka, policia vendosi që të shpërndajë të dhënat dhe fotografitë e tyre në të gjitha vendkalimet kufitare. Pa kaluar as 24 orë nga vrasja e policit të Burgut 313, dyshimet e policisë për ndonjë arratisje të mundshme të tyre rezultuan të vërteta. Në orët e para të mëngjesit, Policia Kufitare ndaloi në Kapshticë njërin nga vëllezërit, Beqir Xheçuka, 38 vjeç, i cili po tentonte të kalonte kufirin drejt Greqisë. Policia nuk e lejoi që ai të kalonte në anën tjetër të kufirit, duke e shoqëruar atë drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ndërsa vetën disa minuta më vonë, vëllai tjetër, Luan Xheçuak, u ndalua nga policia e Komisariatit të Rinasit, kur edhe ai gjithashtu po tentonte të udhëtonte në linjë ajrore drejt Greqisë, nga Aeroporti Nënë Tereza.
VRASJA PER HASMERI
Polici i Burgut 313, Ymer Hajdari, u ekzekutua me 3 plumba në orën 06:30 të mëngjesit të së martës në Tiranë, sa po dilte nga apartamenti ku banonte me qira në një pallat në Unazën e Re. Hajdari u qëllua për vdekje sapo kishte hipur në makinën e tij Seat, ngjyrë gri, me targë AA 762 AD, të cilën e kishte parkuar poshtë pallatit. Tre plumbat, që e kanë goditur 54-vjeçarin në pjesën e kraharorit, e kanë lënë të vdekur në vend. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, vrasja e Ymer Hajdarit dyshohet të jetë kryer për hakmarrje. Një vit më parë, më 23 prill 2011, nipi i tij, Alket Hajdari, ka vrarë në një lokal në Mamurras emigrantin Shahin Xheçuka, 40 vjeç, nga Burreli. Për këtë vrasje, të cilën e ka pranuar dhe është dorëzuar menjëherë në polici Alket Hajdari, i cili gjithashtu ishte polic i Burgut të Fushë-Krujës, vuan dënimin në Burgun e Lezhës.

Dyshimet për hakmarrje
Që pas vrasjes së ndodhur më 23 prill 2011, në një lokal në qendër të Mamurrasit, pavarësisht se personi i arrestuar, Alket Hajdari, pranoi autorësinë duke pohuar se ngjarja kishte ndodhur nga pakujdesia, dy familjet Hajdari dhe ajo e viktimës, Shahin Xheçuka, u futën në hasmëri. Pjesa më e madhe e familjes Hajdari u ngujua pas vrasjes nga frika e hakmarrjes. Ky ka qenë edhe motivi që Ymer Hajdari, i cili u vra të martën në Tiranë, kishte kërkuar transferimin nga Burgu i Krujës, për tu emëruar në Burgun 313, ku punonte prej më shumë se gjashtë muaj.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›