E Diel, 1 Nëntor 2026

Neoklasicizmi dhe impresionizmi i piktorit Sefedin Stefa



Petrika GROSI
Nuanca delikate, por edhe nostalgjike të neoklasicizmit, kombinime të ëmbla ngjyrash që të bëjnë të ëndërrosh për jetën, natyrën dhe njerëzit. Këto janë fjalët e para që të vijnë në mendje nëse do të duhet të përshkruash tablotë e piktorit Sefedin Stefa. Piktori Stefa çel sot në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet ekspozitën personale të radhës, të titulluar “Mesdheu”. Artisti gjithashtu ka përgatitur edhe një kalendar simpatik me pikturat e tij, të cilat u përshtaten stinëve dhe muajve të ndryshëm të vitit. Sa u takon subjekteve, kemi një larmi, e cila, duhet nënvizuar faktin që ravijëzon subjekte të ndryshme me njëra-tjetra, duke nisur nga mistikja, e paprekshmja, imagjinata, hyjnorja te pagania, realja, peizazhi, njerëzorja. Piktori duket se ka një shkathtësi të admirueshme sa i takon teknikës në përdorimin e penelatave. Piktura e tij është jo vetëm e arrirë artistikisht. Ndër të tjera, tablo që të tërheqin vëmendjen janë ato të Venecias, natyrës, detit, por edhe portretet e realizuara si estetikisht, ashtu edhe psikologjikisht, siç është ai i Margaritës së vogël. Me penelata delikate dhe një disiplinë të admirueshme, artisti krijon universin e tij të ëmbël, sensual, human e njëherësh hyjnor. Realizmi nuk mungon te peizazhet, ashtu sikundër ndeshim edhe në shenja të postimpresionizmit. Deti duket se është një nga muzat e mëdha për piktorin Sefedin Stefa, e për këtë dëshmojnë qartë pikturat e tij. Teksa shikon detin në tablotë e piktorit, ngjyra të ndezura, plot ekspresivitet të bien në sy, duke të ngjallur ndjesinë e një shpërthimi të brendshëm. Frymëzim dhe pikë tjetër referimi për piktorin mbetet kultura greko-romake. Janë ngjarje e motive që piktorin e ushqejnë dhe furnizojnë me subjekte e gjetje për t’u sjellë në bashkëkohësi sipas stilit të tij me të vërtetë unik. Me pak fjalë, një ekspozitë plot vlera, piktura që ia vlen t’i kesh në koleksionin privat, por edhe t’i kundrosh teksa qëndrojnë të ekspozuara. Për të gjithë ata që nuk e njohin artistin, Sefedin Stefa ka lindur në Burrel (1952). Ai është diplomuar në pikturë monumentale në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Pikturat e autorit mund të gjenden në arkivat e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në galeritë e Elbasanit, Burrelit, por edhe jashtë kufijve, në muze e koleksione të ndryshme të Italisë, Greqisë, Zvicrës, Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, ku ai ka çelur ekspozita të ndryshme.

7 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›