Mediat britanike: “Obama, nga fushata te sfidat”
Shtypi britanik është përqendruar te zgjedhja e Barak Obamës si presidenti ri i Shteteve të Bashkuara dhe ndalet te sfidat dhe detyrat e ardhshme të liderit të ri, në një kohë që Amerika ende është duke marrë veten nga entuziazmi dhe euforia me të cilin u përcoll lajmi. “THE INDEPENDENT” është hapur dje me titullin “Një ëndërr amerikane”. Në faqe të parë është paraqitur fotografia e Obamës me vajzën e tij më të madhe, Malia, gjatë fjalimit në Grant Park në Çikago. Kjo e përditshme i ka kushtuar kësaj ngjarjeje dhjetëra faqe me analiza, komente dhe foto që pasqyrojnë momentin historik të Amerikës. “Me gjithë entuziazmin e madh që përfshiu Amerikën dhe botën, vetëm një person arriti ta ruajë gjakftohtësinë dhe ai është presidenti i ri”. Ai i fitoi zemrat e amerikanëve, por a do të mund ta shërojë Amerikën dhe të zhbëjë ndarjen e krijuar nga 8 vitet e administratës së Bushit? Në Europë udhëheqësit e kanë pritur me padurim këtë fitore. Franca është vendi ku zgjedhja e Obamës është pritur me më shumë entuziazëm. Në politikën e jashtme sfidat mbeten Iraku, Lindja e Mesme si edhe Irani, në këtë të fundit fitorja e Obamës u prit ngrohtë nga popullsia e këtij vendi, që është relativisht e re në moshë. “THE GUARDIAN” ka shkruar se Obama është Amerika e re. Presidenti i parë afro-amerikan foli për lindjen e lirisë në fjalimin e tij të fitores. “THE GUARDIAN” shkruan se Obama do të jetë një tjetër lloj presidenti, intelektual, tolerant dhe mjaft i fokusuar. Ai kërkon të jetë më shumë se një politikan që fitoi zgjedhjet, ai kërkon të jetë një lider që do e nxjerrë vendin nga stuhia. Ai ka një stil krejt tjetër nga presidentët Klinton dhe Bush. Obama i merr idetë shumë seriozisht, ai është një akademik i disiplinuar.
Sfidat dhe problemet e trashëguara të politikës së jashtme për Obamën
Ekspertët politikë dhe analistët e politikës së jashtme thonë se presidenti i ri do të përballet me sfida të vështira që në fillim. Sapo të fillojë detyrën si presidenti i sapozgjedhur, Obama do të gjendet përballë problemeve të lëna pas nga presidenti Bush, përfshirë krizën financiare, luftërat në Irak dhe Afganistan, mundësia që Irani të prodhojë armë bërthamore dhe një numër situatash të tjera që kërkojnë vëmendje të menjëhershme. Profesori i Shkencave Politike në Universitetin “Rajs”, Erl Blek, bashkautor i librit “Amerika e ndarë”, thotë se presidentëve të rinj u është dashur shpesh të përballen me probleme të lëna pas nga paraardhësi i tyre. Profesori Blek thotë se një problem për presidentin e ardhshëm Obama mund të jenë shpresat e mëdha që ai ngjalli te përkrahësit e tij pasi të gjithë janë përgatitur për ndryshim duke tërhequr miliona përkrahës. Ndër sfidat më të mëdha dhe më shqetësuese që e presin presidentin e ri, janë ato për politikën e jashtme. Piter Zaihan, nënpresident i Analizës për Stratforin, thotë se të gjithë presidentët që hyjnë në Shtëpinë e Bardhë e kuptojnë që i kanë alternativat e kufizuara. Por, thotë ai, presidenti Obama do të përballet me disa probleme specifike siç janë Iraku, konflikti me Pakistanin dhe fuqizimi i Rusisë.
Zaihan thotë se alternativat e Shteteve të Bashkuara do të jenë të kufizuara në vitet e ardhshme sepse vendi po përdor maksimumin e kapacitetit ushtarakisht dhe financiarisht.
BE-ja, shpresa për marrëdhënie barazie me SHBA-të
Shpresa e Bashkimit Europian është që presidenti i sapozgjedhur i SHBA-ve, Barak Obama, të ndihmojë në krijimin e raporteve sa më të barabarta mes Brukselit e Uashingtonit. Premtimi i Barak Obamës për ndryshime ka dalë shumë popullor edhe përtej kufijve të Shteteve të Bashkuara. Shefi i diplomacisë europiane, Havier Solana, shpreson se presidenti i sapozgjedhur do ta shohë BE-në si partner në përballjen e sfidave globale. “Motoja e garës së Barak Obamës për president është motoja e ndryshimit. Ndryshimi është ai për të cilin kemi nevojë tani. Kemi shumë probleme që presin mbi tryezë dhe shpresoj që do të jemi në gjendje të gjejmë zgjidhje së bashku. BE-ja është e vullnetshme dhe e gatshme për këtë bashkëpunim”, tha Solana. Të njëjtin mendim ka shprehur edhe kreu i Parlamentit Europian, Hans Gert Potering. “Shpresa dhe dëshira ime e madhe është që marrëdhëniet tona të bazohen mbi partneritetin dhe mirëkuptimin, të kemi më pak vendime të njëanshme nga SHBA-të, të kemi më shumë komunikim dhe marrje vendimesh në bashkëpunim me partnerët e rëndësishëm në botë, përfshirë dhe BE-në”,- është shprehur Potering. Gazetat e kryeqendrave europiane në javët para zgjedhjeve e kanë ritheksuar shpesh faktin se Uashingtoni ka vepruar i vetëm në shumë çështje gjatë tetë viteve të shkuara.
7 Nentor 2008