E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshtjellime te papritura ne Maqedoni

Para fillimit të fushatës elektorale presidenciale në Maqedoni, në skenën politike të këtij vendi, ndodhi një pështjellim i papritur, kur Sërgjan Kerimi, ish-kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe ish-ministër i Jashtëm i Maqedonisë, që pritej të ishte kandidat presidencial nga ana e partisë kryesore në pushtet, VMRO-DPMNE, mori ftesë nga partia opozitare kryesore, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM) që të bëhej kandidat i përbashkët i dy blloqeve politike kundërshtare të Maqedonisë, pra të së djathtës dhe të së majtës. Por, në një veprim tjetër befasues, VMRO-DPME-ja, së cilës propozimin e mësipërm për kandidaturën e z. Kerim LSDM-ja ia kishte bërë të ditur asaj para pak ditësh, reagoi, duke paraqitur kundërkandidatin e saj, profesorin e njohur të universitetit, Gjorgje Ivanov, që ka mbështetjen e grupit me peshë dhe me influencë në VMRO-DPMNE, ku bëjnë pjesë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kryeministrit Nikolla Gruevski, zv.kryeministri Zoran Stavreski dhe ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska.

Duket qartë se situata rreth kandidatëve presidencialë është e komplikuar, pasi ende nuk është shumë e qartë nëse Kerimi dhe Ivanovi janë kandidatët presidencialë përfundimtarë nga partitë politike kryesore sllavo-maqedonase. Sërgjan Kerimi, nga ana e tij, është takuar këto ditë me Presidentin Branko Crvenkovski dhe me Kryeministrin Nikolla Gruevski, por nuk u dhanë hollësira për përmbajtjen e bisedimeve, ndërkohë që Kerimi, menjëherë mbas takimeve të lartpërmendura, shkoi jashtë shtetit.

Situata rreth zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni, të cilat, sikurse është vendosur tashmë, do të zhvillohen më 22 mars të këtij viti, krahas zgjedhjeve lokale, nuk është e qartë edhe në bllokun politik shqiptar, pra ende nuk dihet kush nga përfaqësuesit e partive të këtij blloku do të konkurrojë për kryetar të shtetit të Maqedonisë. E vetmja gjë që dihet, deri tani, është se në garën presidenciale do të marrë pjesë kryetari i partisë së porsakrijuar të Demokracisë së Re (DR), Imer Selmani, ish-zv.kryeministër dhe ministër i Shëndetësisë në koalicionin qeverisës të mëparshëm të Nikolla Gruevskit, kur ai (Selmani) bënte pjesë në PDSH-në e Menduh Thaçit, nga e cila u shkëput më vonë, mbas mosmarrëveshjeve rreth mënyrës sesi drejtohej partia (PDSH-ja) me vetë z. Thaçi. Sidoqoftë, në udhëheqjen e DR-së ende nuk ka konfirmim nëse z. Imer Selmani do ta pranojë kandidaturën, por funksionarët e lartë të kësaj partie thonë se ata do të ngulin këmbë që z. Selmani të jetë një nga ata që do të konkurrojë për funksionin më të lartë shtetëror në Maqedoni. "Besimi i madh që ai gëzon midis një numri të madh qytetarësh, jo vetëm të bashkësisë shqiptare, por edhe të bashkësive maqedonase dhe etnike të tjera, gjë për të cilën flet edhe rejtingu i fundit i partive politike, tregon se kryetari ynë është një kandidat serioz për në zgjedhjet presidenciale të ardhshme. Pavarësisht se ai ende nuk e ka konfirmuar kandidaturën e tij, partia jonë, megjithatë, ka mendimin unik se ai është i vetmi personalitet, mbas të cilit qëndron partia jonë dhe që e meriton të jetë kandidati ynë në zgjedhjet presidenciale të ardhshme", vuri në dukje z. Abedin Zymberi, funksionar i lartë dhe deputet i DR-së në Parlamentin maqedonas.

Në të dyja partitë shqiptare kryesore, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH) thuhet se ato ende nuk kanë marrë vendim përfundimtar për kandidatët e tyre presidencialë, gjë që, sipas analistëve politikë, mund të interpretohet se ato edhe mund të mos marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale, pra të mos paraqesin në to kandidatët e tyre. Ndërkohë, dihet se në BDI ekzistojnë dy opsione të hapura: ose të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale me kandidatin e tyre ose të mbështesin kandidatin presidencial që do të paraqesë partnerja e tyre në koalicionin qeverisës, VMRO-DPMNE-ja. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Xhevat Ademi, tha këto ditë se "në mbledhjen e fundit të Kryesisë Qendrore të partisë u mor vendimi për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, kurse vendimin lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale do ta marrë Këshilli Qendror, si organi më i lartë i partisë. Vendimi, nëse do të marrim pjesë në zgjedhjet presidenciale me kandidatin tonë ose do të mbështesim kandidatin e partnerit tonë të koalicionit, do të merret deri në fund të janarit", tha ai. Megjithatë, qarkullojnë zëra se, ka të ngjarë, që BDI-ja të shprehet në favor të opsionit të mbështetjes së kandidatit presidencial të VMRO-DPMNE-së, porse në këtë rast do të kërkojë nga kjo e fundit kompensimet përkatëse.

Kryesia e partisë tjetër shqiptare, PDSH (opozitare), nga ana e saj, në një mbledhje që zhvilloi këtë mesjavë, vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe që më tepër të përqendrohet te zgjedhjet lokale. Por, burime brenda kësaj partie bëjnë të ditur se dyert për pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet presidenciale ajo (partia) nuk i ka mbyllur krejtësisht, pasi Kryesia e PDSH-së do të mblidhet, së afërmi, edhe një herë tjetër që të vendosë përfundimisht lidhur me çështjen në fjalë. Sidoqoftë, mbetet i hapur opsioni i mbështetjes së kandidatit presidencial të një partie tjetër. Por, duke qenë se vendi si mbështetës i kandidatit të partisë në pushtet VMRO-DPMNE, aleate tradicionale e saj e deridjeshme, është zënë, duket pak si habi që ajo (PDSH-ja) të mbështesë kandidatin e partisë opozitare sllavo-maqedonase, LSDM. Sidoqoftë, pështjellime dhe befasi ka pasur edhe më parë në jetën politike të Maqedonisë shumetnike, kur ka qenë fjala për zgjedhje presidenciale ose parlamentare. Kështu, që meqenëse ato (befasirat) tashmë filluan, përse edhe të mos vazhdojnë?



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›